E papërshtatshme
Gafa u publikua menjëherë nga televizionet, nga blogjet në internet dhe u servir si prova e radhës që Sara Peilin është krejt e papërshtatshme në rolin e zëvendëspresidentit. Në fakt, sipas legjislacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zëvendëspresidenti merr pjesë gjatë votimeve në Dhomën e Lartë të Kongresit vetëm dhe ekskluzivisht në rast se një procedurë e caktuar ngec si pasojë e votave të barabarta pro dhe kundër. "Zëvendëspresidenti drejton Senatin dhe, nëse do, është në gjendje të ndërmarrë shumë ndryshime politike", u kishte shpjeguar nxënësve Sara Peilin. "Në rast se Presidenti vdes mund të jetë pikërisht ajo që do ta pasojë në postin e kreut të vendit", komentoi "Msnbc", "dhe është pikërisht kjo që na terrorizon".
"Urrejtje niksoniane për elitën"
Kundër "prirjes së verbër anti-intelektuale" të Sara Peilin lëshohet edhe analisti konservator (tepër influencues) Endrju Salivan, i cili nga faqet elektronike të revistës "The Atlantic" e akuzon se "ushqen urrejtje niksoniane për elitën e ngritur". Prova? Sipas analistit, është shumë e thjeshtë: asnjë prej fëmijëve të saj nuk e ka përfunduar shkollën e mesme (më të voglat, në vend që të shkojnë në shkollë e kalojnë kohën duke udhëtuar me të ëmën me shpenzimet e taksapaguesve), ndërkohë që ajo vetë, kur ishte kryetare e Bashkisë së Vasillës, i hoqi fondet për ndërtimin e një biblioteke në favor të ndërtimit të një stadiumi. "Injoranca e saj e plotë për sa i përket legjislacionit nuk më habit", shpjegon Salivan. "Sara Peilin e ka varrosur traditën e mendimit konservator të inauguruar nga Uilliam Baklei. Një tragjedi e denjë për Shekspirin".
"Troopergate"
Armiqtë politikë po e presin me padurim çastin (sot) kur zëvendësja e MekKejnit do të japë dëshminë në kuadrin e hetimit të hapur në Alaskë mbi të ashtuquajturin "Troopergate": skandali i shkaktuar nga akuza për abuzim me pushtetin nga ana e Sara Peilin. Sipas akuzës, si ajo, ashtu edhe i shoqi, kanë bërë presione të paligjshme, deri sa detyruan shefin e sigurisë publike të Alaskës të jepte dorëheqjen, pasi nuk kishte pranuar të merrte masa kundër një vartësi të vet: Maik Uden, kunat i Sara Peilin, i cili po ndahej nga e motra dhe që Sara donte ta ndëshkonte me çdo kusht.
Shtypi pro Obamës
Dhjetë ditë nga zgjedhjet presidenciale, shtypi amerikan po vihet gjithnjë e më shumë përkrah Obamës, ndërkohë që Xhon MekKejn arrin ta bindë shtypin amerikan përherë e më pak. Sipas projektit "Për shkëlqim në gazetari" të realizuar nga qendra e studimeve "Pew", pjesa më e madhe e artikujve të shkruar mbi kandidatin republikan mes 8 shtatorit dhe 16 tetorit kanë shprehur nota negative dhe vetëm 14 për qind e kanë parë me sy pozitiv. Ndërkohë, 36 për qind e artikujve mbi Obamën e kanë parë me sy pozitiv dhe vetëm 29 për qind janë shprehur kundër tij. Sara Peilin pati start të mirë, por gjërat morën keq me shpejtësi: 39 për qind e artikujve mbi të janë negativë, kundrejt 28 për qind pozitivëve (33 për qind neutralë).
Sondazhet
Një lajm i mirë për çiftin MekKejn-Peilin vjen nga sondazhi i fundit i "Associated Press". Dje, po gjatë ditës në të cilën Xhon Zogbi, eksperti i njohur i sondazheve, parashikonte triumf total për demokratin Barak Obama dhe kur "Fox News" i Rupert Murdok, transmetuesi më pro-republikan në SHBA, i jepte kandidatit me ngjyrë 9 pikë përparësi, një tjetër sondazh i zhvilluar nga "Associated Press" arriti në përfundimin se në garë janë të dy të barabartë. Sipas këtij sondazhi, dy kandidatët, Obama dhe MekKejn, ndajnë përkatësisht 44% dhe 43% të elektoratit. "Pas debatit të fundit të drejtpërdrejtë televiziv, MekKejni gjeti më shumë mbështetje tek elektorati republikan", shpjegoi "Associated Press" përmes një deklarate.
Kostot e fushatës
Kur projektorët do të fiken, me kalimin e 4 nëntorit, ditës së zgjedhjeve presidenciale, shpenzimet totale të fushatës për Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin Amerikan do të jenë në nivelet e një rekordi absolut: 5.3 miliardë dollarë, ndër të cilat 2.4 vetëm për sfidën mes dy kandidatëve presidencialë. Lajmin e bën të ditur Qendra për Përgjegjësi në Politikë, një qendër studimesh në Uashington e specializuar në analizimet e kostove të politikës, sipas së cilës, fushata aktuale elektorale "është më e kushtueshmja në historinë amerikane dhe me shumë gjasa në të gjithë historinë e njerëzimit", me një bilanc përfundimtar më të madh se të disa shteteve.
Sondazhi
Obama, 12 pikë para MekKejnit
Avantazhi i demokratit Barak Obama kundrejt rivalit republikan Xhon MekKejn është rritur në 12 pikë përgjatë garës presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një çast kur votat shumë të rëndësishme të zgjedhësve të pavarur dhe ato të grave po vazhdojnë të kalojnë në anën e tij. Përfundimi vjen nga një sondazh i zhvilluar prej "Reuters/C-SPAN/Zogby", rezultatet e të cilit u publikuan dje.
Sipas sondazhit të zhvilluar gjatë tri ditëve të fundit, tani, më pak se dy javë përpara ditës së zgjedhjeve, 4 nëntorit, Obama ka bërë për vete 52 për qind të votuesve, kundrejt 40 për qind të MekKejnit (organizatorët vërejnë se koeficienti i gabimit është 2.9 pikë). Obama ka hedhur hapa të qëndrueshëm gjatë katër ditëve të fundit dhe e ka trefishuar avantazhin nga rivali gjatë një jave. "Shtrirja e Obamës vërehet në të gjitha shtresat e votuesve", sqaroi eksperti i sondazheve, Xhon Zogbi. "Duket se ka ditur të punojë më së miri te çdo grup demografik".
Kandidati me ngjyrë bëri edhe më përpara në radhët e votueseve femra, të cilat priten të luajnë rol deciziv gjatë këtyre zgjedhjeve, duke u larguar nga 16 në 18 pikë nga rivali republikan. Po ashtu, si votuesit e pavarur, të cilët kanë qenë në shënjestër të fushatave të dy kandidatëve, që tashmë janë vënë dukshëm në krah të Obamës: 59 për qind e tyre rezultojnë pro kandidatit republikan dhe vetëm 29 për qind mbeten me MekKejnin.
Zogbi tha se 72-vjeçari tashmë e ka humbur atë ndikim që fitoi menjëherë pas debatit të tretë televiziv mes kandidatëve.
"MekKejni ka ende shanse t‘i kthejë gjërat në favor të vet, por i duhet të gjejë përqendrimin", tha Zogbi, duke shtuar se problemet ekonomike, si edhe krizat në tregun e kredive, të pasurive të paluajtshme dhe të financave, vazhdojnë të ndikojnë në favor të Obamës. Në ndonjë pikë ka çështje për të cilat MekKejni mbizotëron, por ai është paraqitur dobët veçanërisht për çështjet që lidhen me ekonominë", vërejti Zogbi në një deklaratë për shtyp. Disa sondazhe të tjera kanë treguar avantazhe jo kaq të thella në favor të Obamës, por Zogbi tha se kishte shumë besim te metodat e veta për realizimin e sondazheve.
Gjatë këtij hetimi të fundit mbi qëndrimet e votuesve, mësohet se MekKejn po vazhdon të humbasë terren edhe në atë që konsiderohet "baza e mbështetësve". Ndërsa Obama i gëzohet mbështetjes së 86 për qind të demokratëve, vetëm 81 për qind e republikanëve mbështesin senatorin 72-vjeçar, shifër mjaft e ulët po të krahasohet me 90 për qind që ishte pas Konventës Kombëtare Republikane që u mbajt në ditët e para të shtatorit.
Gazeta: Shqip