Objekte te rralla terrakota dhe monedha antike ne Shkoder

Objekte te rralla terrakota dhe monedha antike ne Shkoder

Në ilustrimet e studimeve, librave, fjalorëve dhe botimeve tona të ndryshme madhore të arkeologjisë, mitologjisë, linguistikës, veshjeve antike etj, si zakonisht deri më sot kemi parë ilustrime me piktura grafika të improvizuara ose me fotoskanime të nxjerra nga botimet e huaja kryesisht greke e romake. Ndërkaq “pak e aspak”, janë përdorur ilustrimet me fondet e muzeumeve tona dhe akoma pothuajse aspak nuk janë përdorur e gjurmuar koleksionet private. Varfëria ilustruese, dikur shpjegohej me mungesën e aparateve fotografike bardhezi e me ngjyra, me mungesën e aparateve filmuese, me censurat e imponuara, me monopolet e pseudospecialistëve etj, por të vazhdojë sot ajo lloj inercie e gjendje, kur kemi gjithë këto mjete të sofistikuara dhe nga më të mirat digjitale moderne, absolutisht është e papranueshme.

Duke i hedhur një sy të shpejtë Inventarëve e Katalogëve në MHSH, pastaj kushteve muzeumore etj, rezulton një gjendje alarmante! Mund të themi se në krahasim me kohën e viteve ‘30 dhe të viteve ‘60, sot në kohën e Demokracisë jemi në nivele shumë mw poshtë, bile edhe në një regres me pasoja afatgjata katastrofike! Si mundet të jetë muzeumi, pa aparate fotografike, pa skanera e fotokopjatriçe digjitale të cilësisë së lartë, pa një peshore elektronike për peshimin e monedhave, pa punonjës të specializuar për mirëmbajtje e pa restauratorë? Si mundet të imagjinohet një muzeum pa i hedhur me standardet moderne të dhënat shkencore në kompjuter, pa paraqitje të skanuara të monedhave, terrakotave, statuetave të bronzit, shkrimeve e objekteve të tjera, pa një sallë studimi e simpoziumesh etj. Ndërkaq, nuk po flasim për shitjen e objekteve arkeologjike e numizmatike jashtë shtetit, as për mbushjen e muzeumit me gjetje të reja nga   gërmimet arkeologjike, nuk po e cekim as çështjen e pamundësisë së muzeumit për blerje të reperteve arkeologjike me vlerë modeste nga privatë të ndryshëm etj.

Mendohet se do të nevojitej një farë strategjie afruese e aktivizuese e koleksionistëve privatë, ndryshe nga ish ligjet e ashpërsia konfiskuese e shtetit diktatorial. Është rasti këtu të ngrihet si emergjencë me përparësi se, Shkodra, kryeqendra e Ilirisë dhe ilirëve, nuk ka në muzeumin e saj një koleksionim të monedhave të saj autoktone ilire, nuk ka koleksion të fondit të monedhave të basileusit Genthi dhe as të fondit mesjetar! Monedhat antike ilire një pjesë e mirë ishin transportuar në Tiranë, një pjesë tjetër ish “Fondi i Kel Abatit” flitet se ka tretur me rastin e sulmit, plaçkitjes dhe djegies së Bankës në vitin e anarkisë piramidale maloke etj. Do të ishte në nderin e krenarinë e historisë sonë qytetare, gadishullore e europiane, marrja e masave të gjithanshme për plotësimin e një fondi me monedhat e qytetit tonë. Tit Livi, e kishte lënë si dëshmi me shkrim se, në Triumfin e Ilirisë, ilirëve, kryeqytetit Shkodra dhe Gentit ishin mbledhur shuma e pasuri të pabesueshme dhe paraqiste edhe një lloj inventari: “miliona sesterca nga shitja e plaçkës    dhe ar e argjend i derdhur në thesarin publik; nga thesari i mbretit Gent, 27 (njëzeteshtatë) ponde ari, 19 (nëntëmbëdhjetë) ponde argjendi, 13.000 (trembëdhjetë mijë) denarë, 120.000 (njëqindenjëzet mijë) monedha argjendi ilire; secili ushtar mori nga 45 denarë, nga 90 denarë çdo centurion dhe 135 denarë çdo kalorës, po ashtu shpërbleu aleatët dhe detarët e flotës së aleatëve.

Nga plaçka që u zu në Iliri ishin edhe 220 anije… Mu duk e pabesueshme mbledhja e një shume kaq të madhe prandaj e citova autorin Antias që e përmend …” (Livi, Libri XLV, 43) Duhet të kemi parasysh se, për të siguruar aleancën anti-romake, Perseu i Maqedonisë, megjithë koprracinë e tij i kishte paguar Genthit të ilirëve shuma të konsiderueshme në talente ari e argjendi. Këtu duhet vërejtur se këto monedha duhet të kishin qarkulluar dhe funksiononin në territoret ilire jo vetëm për blerje mallrash, por edhe si pasuri monetare e konservuar, megjithë sistemin lokal të Genthit. Kjo do të thotë se, këto monedha, mitologjia, historia dhe alfabeti i tyre njiheshin e lexoheshin në territoret ilire dhe të gjitha këto duhet t’i kemi parasysh në interpretimet tona. Fatkeqësisht ne sot nuk i njohim stampat e ikonave të monedhave me markë ilire, argjendi e ari, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të gjendet ndonjë ekzemplar i tyre. [Një plaçkitje të pashembullt mbi monedhat e arit, bizhuteritë, pasuritë industriale e tregtare organizoi në Shkodër edhe regjimi diktatorial i bandës së Hoxha-Shehut, në vitet e para të mbas luftës II-të botërore dhe ky inventarizim është një detyrim i pa zbardhur akoma dhe i penguar qëllimisht nga inercia neoenveriste dhe kapësit xhon-demokrate).

Agron Luka (Ish-vullnetar i Bërthamës Arkeologjike të M. H. Shkodër)

Eduard Grishaj (Muzeolog në MHSH)   

Muzeumi Historik i Shkodrës, përshtatje e shtëpisë së Oso Kukës

Ky që quhet sot si, “Muzeumi Historik i Shkodrës”, realisht është një improvizim-përshtatje (antishkencore), i shtëpisë së Oso Kukës, në kohën e “novatorizmit” të Ramiz Alisë. Ishte përzgjedhur me shije e urdhër nga lart, me sa shihet jo aq për Oson Barotin legjendar, se sa nga fakti i servilizmit se, shoku Ramiz na kishte banuar ca kohë në atë shtëpi. (Për një paradoks, një drejtori që ankohej vazhdimisht për kushtet e papërshtatshme etj, të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ky i Shkodrës i dukej një ndërtesë hijerëndë pranë rrapit/çinarit madhështor…) Hapësira që zë kjo ndërtesë e shek XIX është absolutisht e pamjaftueshme, ka nja katër dhoma të kufizuara, me dritare të vogla pa dritë. Në katin përdhes, në ahërin (ahurin) plot me lagështi e shtruar me kalldrëm Zall Kiri, ndodhet arkeologjia e numizmatika, ndërsa në katin e dytë, me çati që pikon e në rrezik shembje nga të çarat e mureve, me trarë e dërrasa nën kritikën brejtëse të tênjave e minjve, ndodhen të magazinuara, më saktë të rrasura mbarë e mbrapshtë: etnografia, pinakoteka, biblioteka, arkivi, Dosja Migjeni, Fondi Pipa etj.

 

Për mendimin tonë më emergjente se sa Fototeka, do ishte ndërtimi i një Muzeu Arkeologjik-Historik dhe shpëtimi nga katastrofa e asgjësimit të Zonës Arkeologjike të ishqytetit antik poshtë e rrethepërqark shkëmb-kodrës së kështjellës. Po shpresojmë se, epoka e anarkizmit dhe e rrënimit injorant, të ketë marrë fund dhe kjo Shqipëria e jonë të mos ecë më sëprapthi nga ta çojë mushka…

 

1.Terrakotë arkaike, afërsisht e shek VI-VII p.e.r. e gjetur në Shkodër, mendohet si Fatia me fëmijën për gjirit, në legjendën me flijimmurosje   për ndërtimin e akropolit të ?????????. Ruhet si koleksion privat dhe do t’i kalojë MHSH.

 

2. Monedhë argjendi me mitologjinë e rrëmbimit të Evropës (bija e mbretit fenikas Feniksi/Agenori dhe motra e Kadmit), nga kryezoti Zeus i metamorfizuar si dem i bardhë. Emri Evropa fillimisht u përdor si emërtim i gadishullit tonë e pastaj u zgjerua si emërtim kontinental. Ruhet në MHSH.

 

 3. Monedhë bronzi me shkrim alfabetik helen të lexueshëm. Shikoni shqiponjën krenare “me krahë të hapur cep më cep” dhe degët e lisit, karakteristika të traditave e trashëgimisë së epirotëve. Ruhet në MHSH.

 

4. Monedha argjendi e bronzi me Herakliun me topuz dhe një nga gratë e tija, të bukura. Në mitologjinë epirote e ilire, ai kishte prezencë në legjendën e trinjakëve Gerionë të Epirit; në legjendën e Dyrrahut, në luftërat kundra vëllezërve ilirë; i biri i tij Hylli kishte qytezën dhe fisin Hylleis në Mallakastër dhe në Dorida në Peloponez etj. Vini re oksidimin nga kushtet e këqija të ruajtjes në muze në ambiente me ajër me lagështirë etj. Monedhë bronzi që ilustron mitologjinë e Dionizit që i ka hipur sëprapthi mushkës. Ruhet në MHSH Monedhë teradrahme argjendi me formë pothuajse identike e shek V p.e.r., ruhet në British Museum, Londër. 5. Monedhë argjendi me mitologjinë e Herakliut ne topuz, me shkrim të lexueshëm me alfabet helen. Ana tjetër, grifon fluturues që ruan një bletë. Ilirët njiheshin si apikultorë të shquar dhe njiheshin në gjithë botën mesdhetare për prodhimin e një vere prej mjalti hidromelia, “vêna nektar e ambrozinë që e pinin perënditë Olimpike”. Koleksion privat.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama