Objektet e komunizmit me te pambrojturat

Objektet e komunizmit me te pambrojturat
Për objektet që u ndërtuan në regjimet totalitare të shekullit të njëzetë, tani shtrohet çështja: si të hyjnë në guidat turistike të qyteteve. Kështu që ekspertët e menaxhimit urban u shtrijnë dorën arkitektëve për ta parë në një këndvështrim të ri trashëgiminë e shekullit që lamë pas. Atrium - Arkitektura e Regjimeve Totalitare të shek. XX në Menaxhimin Urban – seminari që u zhvillua së fundi në Tiranë, është vendi ku prezantohet ky diskutim nga Drejtoria e Promovimit të Qytetit të Bashkisë së Tiranës, me pjesëmarrjen e arkitektëve nga vende të Evropës Juglindore, e specialistëve të trashëgimisë kulturore nga Ministria e Kulturës. Institucionet e përfshira në Atrium mendojnë për rritjen e kapaciteteve turistike, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj vizitorëve të huaj krahas zhvillimit ekonomik. Fjala është për të përfshirë në këtë proces komunitetin dhe territorin.

Si mund të jetë burim i rëndësishëm në këtë projekt vendor arkitektura e shek.XX, e regjimeve totalitare, fashizmit dhe komunizmit? Të pranishmit flasin për inkurajimin e një këndvështrimi të përbashkët të identitetit historik dhe kulturor. Atrium ka përfshirë 11 vende si Rumania, Sllovenia, Kroacia, Shqipëria etj., prej të cilave janë përzgjedhur një numër objektesh të caktuara, godina rrugë, sheshe. Nëpërmjet një informacioni të plotë, këto objekte futen në itineraret kulturore si objekte tërheqëse. Për këtë arsye është përgatitur një manual trans-nacional, në bazë të një sondazhi, ku çdo vend paraqet objektet e tij më të rëndësishme realizuar gjatë periudhave historike të regjimeve totalitare.

Kjo do të vlente për të arritur një valorizim të kësaj ekonomie kulturore, për të arritur një itinerar më të përgjithshëm në pajtim me kushtet apo me kriteret e përcaktuara dhe nga Këshilli i Evropës në kuadër të promovimit. Atrium është një mënyrë e mirë që specialistët e huaj të arkitekturës, por dhe vizitorët e huaj të njihen me arkitekturën tonë. Ndërkohë që specialistët e menaxhimit urban rrahin në drejtim të “ekonomisë kulturore”, arkitektët shqiptarë i shqetëson gjendja e ruajtjes së objekteve të ndërtuara gjatë regjimeve totalitare.

Armand Vokshi, specialist i arkitekturës në Universitetin Politeknik të Tiranës i referohet ndërtimeve që janë realizuar gjatë periudhës fashiste, prej vitit 1925, “kur Zogu konsolidon pozitën si kryeministër i Shqipërisë dhe kërkon nga shteti fashist ndihmë ekonomike”. Kështu vijnë e zbatojnë idetë e tyre brilante në territorin shqiptar, konkretisht në Tiranë, arkitektë të zotë. I pari është Armando Brasini, “i njohur për stilin neoklasik, i cili sjell idenë për një bulevard të shkëputur, por idetë e tij patën përplasje me Zogun dhe ai u largua”. I dyti është Florestino Di Fausto, që konceptoi ansamblin e ministrive, pjesën më të bukur të Tiranës. E mbas tij Vittorio Morpurgo që merret me Bankën e Shqipërisë, por puna e tij u ndërprere për shkak të origjinës së tij hebreje. Më 1939 gjithçka i kaloi Zyrës së Urbanistikës Italiane për Shqipërinë dhe në krye të saj emërohet Gherardo Bosio, arkitekt i talentuar që ndahet nga jeta shumë i ri.

“Bosio ndan qendrën qytetare me atë ideologjike, krijon një shesh të ri në fund të bulevardit si një objekt i ideologjisë së asaj kohe, siç ishte shtëpia e fashistëve që aktualisht është UP. Me vlerë janë dhe stadiumi “Qemal Stafa” që ndoshta nuk do të jetë më, por pjesa e Kolonave dhe Rektorati së bashku me ish-Akademinë e Arteve.” Pas historikut të ndërtimit të këtyre veprave, arkitekti i ri Armand Vokshi ndali në dy probleme, të cilat i cilëson mjaft shqetësuese përpara se të flasim për rivitalizimin e tyre. “Nuk janë të rëndësishme vetëm ndërtesat, po edhe hapësira midis tyre. Për shembull, në Sheshin “Italia” është një objekt duke u ndërtuar jashtë çdo parametri urban.

Mendoj se leje të tilla nuk duhet të jepen. Apo të vendosësh objekte si dy Kullat Binjake në Bulevard nuk është e drejtë”, thotë Vokshi, i cili tekefundit i konsideron këto objekte njëlloj sikur të ishin tumore brenda një trupi të shëndoshë. “Prandaj nuk duhet të transformojmë vetëm objektin në vetvete, po edhe hapësirat rreth objektit”. Katalogimi është problem tjetër shqetësues që u ngrit për diskutim. Madje mungesa e një qendre katalogimi të objekteve arkitekturore të shek. XX brenda MTKRS-së e bën të dyshimtë ruajtjen dhe jetëgjatësinë e këtyre objekteve. Melsi Labi, drejtor i përgjithshëm i MTKRS-së, shpjegon se objektet e periudhës së Zogut është më e lehtë të hyjnë në këtë proces që synon Atrium, gjë që s’mund të thuhet për objektet e periudhës komuniste, “sepse vetë ligji thotë se duhet të paktën të kalojnë 70 vjet që një objekt të përcaktohet si objekt i trashëgimisë kulturore”.

Armand Vokshi: Pallati i Brigadave duhet hapur

Arkitekti sugjeron që brenda manualit të objekteve të vizitueshme të realizuara në regjimet totalitare, duhet të jetë dhe Pallati i Brigadave. “Ka një histori të jashtëzakonshme dhe është një nga objektet më me vlerë që ne kemi. Do të ishte mirë që Drejtoria e Turizmit në MTKRS, në njëfarë mënyrë të mendonte për një projekt që mund të hapë dyert e kësaj godine për masat. Shkova në 28 nëntor dhe kishte një fluks të paparë njerëzish që mund të përkthehet dhe në vlerë monetare. Sepse kështu mund të rivitalizohet dhe ajo vilë me lekët që merret nga fluksi i turistëve shqiptarë dhe të huaj.” 

Përshtatjet po prekin esencën e objekteve

Florian Nepravishta, Përgjegjës i Departamentit të Arkitekturës në Universitetin Politeknik të Tiranës shprehet për mënyrën si trajtohet rivitalizimi i objekteve të regjimeve totalitare. Ruajtja, rivlerësimi dhe valorizimi ekonomik i veprave të trashëgimisë nga periudha e Zogut, e pushtimit fashist, apo e diktaturës së Hoxhës kur për arsye ideologjike as përmendeshin emrat e arkitektëve, është mjaft e diskutueshme, për të mos thënë që është me rrezik. Ndërhyrjet për transformimin e idesë së objektit nëpërmjet adaptimit dhe përshtatjes, po prekin vetë esencën e objektit. Por cilat janë këto objekte?

Nga arkitektura italiane Nepravishta përmend Vilën e Zogut, apo ish-Pallatin e Brigadave, e cila pati një proces adaptimi. Diku në vitin 1956 bëhet një projekt që zgjeron dy krahët anësore të objektit. Në atë kohë ka pasur një zyrë projektimi pranë UP, e cila është munduar të kujdeset që shtesat të jenë të përshtatshme për të mos e prekur identitetin e objektit. Kemi rastin e Bankës së Shtetit, e cila si rezultat i një konkursi ndërkombëtar po zgjerohet dhe po shtohet. Kemi Hotel Dajtin, i cili po transformohet nga funksioni i hotelit. I është dhënë Bankës së Shtetit dhe i është nënshtruar një projekti që mund ta rigjallërojë. Nepravishta përmend ndikimin e Planit Francez mbi Pallatin e Kulturës.

Plani parashikon pjesë shtesa duke e larguar kësisoj nga imazhi i parë. Në fund arkitekti Nepravishta ka një thirrje: “Të ndërgjegjësohen Bashkia e Tiranës, MTKRS me të gjithë institucionet që kanë, me universitet shtetërore dhe private, të gjejnë mënyrat më të mira për t’i përshtatur dhe përdorur këto projekte, por gjithnjë duke ruajtur identitetin që ato kanë. Periudha e regjimit komunist me objektet më të rëndësishme janë komplet të pambuluara dhe duhet të përfshihen në këtë guidë. Ne si UP kemi bërë një punë konkrete duke ngritur në 3D të gjithë kompleksin monumental në qendër të Tiranës.”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama