Këto ditë po dëgjohet shpesh, me shkas prishjen e shtëpisë së Themistokli Gërmenjit në Korçë, zëra që i ndajnë me thikë vlerat historike të një objekti nga vlerat estetike arkitektonike. Nuk është një diskutim teorik, por një hidh e prit midis personave të monumenteve në detyrë dhe atyre që flasin nga pozita e aktivistit për mbrojtjen e trashëgimisë, midis atyre që i kërkojnë në hava përgjegjësitë e shkatërrimeve dhe atyre që nuk pranojnë i përgjegjësitë por bëjnë ndarje “racash” të monumenteve. Vitet e fundit (sërish në detyrën e drejtorit të Institutit të Monumenteve ishte akademik Apollon Baçe) kanë dalë nga lista e atyre që mbajnë statusin “Monument Kulture” objekte si Kasollja e Galigatit, një vend ku kish bujtur Enver Hoxha gjatë LANÇ-it. Pra “qërohen” objekte me ngarkesë politike për një kohë historikë por harrohen ato me vlera të qëndrueshme.
Shembull është shtëpia Gërmenjit e shënuar nga ngjarja e vitit 1916.
Ka raste të tjera jo flagrante deri në shkatërrim, por ku pakujdesia, mosvëmendja ka çuar te degjenerimi i ngadaltë i objektit dhe devijimi nga autentikja.
Ndërtesë pothuajse homologe për nga rëndësia e ngjarjes historike është godina e selisë së Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit në Vlorë, e njohur si Muzeu i Pavarësisë. Është dashur që disa muaj përpara të ishte zbatuar projekti i restaurimit, me qëllim “përmirësimin e imazhit të objektit”.
“Gjendja e këtij monumenti nuk është më e keqja. Por në kuadër të 100-vjetorit duhet të jetë maksimalisht i trajtuar”, thotë autorja e projektit të restaurimit Kozeta Angjeliu, specialiste në Institutin e Monumenteve të Kulturës.
Objekti është ndërtim i fundit të shekullit XIX, me 2 kate, me mur tulle dhe çati me tjegulla vendi. Ndodhet në fund të rrugës Vlorë-Skelë. Nisur dhe nga vetë destinacioni për të cilin është ndërtuar, si karantinë ushtarake, pjesë e doganës së Portit të Vlorës, specialistja Angjeliu nënvizon në projektin e saj që “objekti ka një arkitekturë të thjeshtë, pa vlera të spikatura arkitektonike dhe Monument Kulture i kategorisë së parë është shpallur për vlerat historike”.
Objekti ka nevojë të rehabilitohet nga ndërhyrjet e mëparshme, të korrigjohen gabimet që janë bërë në vite. “Ka disa ndërhyrje që nuk janë fare të mira dhe tani nuk mund t’i shprishim. Është shtruar dyshemeja me pllaka të shëmtuara. Këtë herë ne nuk e kemi marrë parasysh ndërhyrjen në pllaka sepse objekti ndodhet afër detit dhe mund të ketë përmbytje. Shkallët që janë veshur me mermer dhe granit në vitet dymijë do të hiqen e do të bëhen prej druri.”
Ndërhyrje të tjera janë të nevojshme në ballkonin e selisë, “i gjithë parapeti i ballkonit është gati i kalbur”, shton specialistja Angjeliu. “Dritaret janë me grila por të prishura, do të ndërrohen.”
Çfarë ka autentike në ndërtesën që shërbeu si seli e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë nga 4 dhjetori 1912 deri më 22 janar 1914?
Disa lloje objektesh, “të kohës së Ismail Qemalit” që janë me dru masiv dhe “të kohës së Zogut” ku dominon stili italian. Në vitin 1936 ka funksionuar si muze i parë arkeologjik dhe historik me dy eksponate të arkeologjisë dhe të Pavarësisë. Arkeologu i shquar francez Leon Rei ekspozoi aty objektet që zbuloi në Apoloni.
Në vitin 1963 godina u shpall Monument Kulture dhe Muze i Pavarësisë, funksion që e ka sot e kësaj dite.
Deri vonë, vendin e objekteve autentike e zinin punimet e Krujës në dru, apo prodhimet e lira tekstile të importit për perdet apo për tapicerinë.
Nëse qeveria do ta lëvrojë fondin për këtë muze, veç buxhetit të IMK-së, ndoshta do të restaurohen edhe objektet autentike të mobilimit, si karrige, tavolina, etazher, perde, objekte origjinale të kabinetit të Kryeministrit.
Muzeu ka shtatë pavijone dhe dy holle ku janë ekspozuar objekte dhe dokumente historike si: aparati mors nëpërmjet të cilit iu dërguan Fuqive të Mëdha telegramet për shpalljen e pavarësisë; flamuj origjinalë të çetave patriotike të viteve 1905-1908; pushkë origjinale e ushtarëve të Qeverisë Provizore të Vlorës; shpata origjinale e periudhës së pushtimit osman; relike të trashëguara të familjes Vlora; literaturë në gjuhën osmane, frënge; dekreti i sulltanit për emërimin e Ismail Qemalit në poste të larta të Perandorisë Osmane; letërkëmbimet e anëtarëve të Qeverisë dhe Kryeministrit me njëri-tjetrin si dhe me përfaqësues të huaj dhe me institucione vendore; Kanuni i përshtatshëm i administratës civile; libra origjinalë të patriotëve të rilindjes.
Së jashtmi godina nuk ka asgjë që të të bëjë ta ndalësh hapin. “Të gjithë kanë dashur ta mirëmbajnë në vite fasadën e objektit”, thotë Kozeta Angjeliu “por në fakt kanë ndërhyrë në mënyrë të tillë që për autenticitet nuk mund të flitet. Suvatimi është i graniluar si në ndërtesat e fundit të viteve nëntëdhjetë. Ky granilim do të hiqet dhe do të lihet me një suvatim të thjeshtë. Edhe rrethimi që duket në rregull, është skandal. Skara dekorative që është bërë para viteve ’90-të do të ndërrohet me kangjella të cilat do të punohen me kujdes që të vijnë me konfiguracionin e atyre që përdoren në banesat e Vlorës. Ndërkohë Bashkia e Vlorës e cila do të ketë një fond të qeverisë në kuadër të 100-vjetorit, do të mendojë për mjedisin rrotull, trotuarin, ndriçimin etj.”
Puna për gjithë sa u përshkrua nuk ka filluar. Ndërhyrja ka mbetur peng i burokracive në Bashkinë e Vlorës, sepse zbatimi i projektit do të bëhet nga specialistët vendës të monumenteve. Buxheti për këto ndërhyrje restauruese është 2.3 milionë lekë.