Objektivi i Manuel Nojer Te ndalim Pogbane e Grizmanin

Objektivi i Manuel Nojer: Të ndalim Pogbanë e Grizmanin

Portieri i Gjermanisë, Manuel Nojer, ndihet optimist për gjysmëfinalen ndaj Francës. Gjatë konferencës, ai flet për Italinë, Francën, mungesat dhe kapitenin.

Germany v Italy - EURO 2016 - Quarter Final

Nojer, si u ndiet në rolin e kapitenit ndaj Italisë? Pse ia dhatë shiritin më pas Shvajnshtaigerit?

Roli im nuk ka ndryshuar. Këtë detyrë dhe përgjegjësi e kam marrë nga dita e parë dhe ka funksionuar gjithnjë. Kur Shvajni u fut në fushë, ishte e qartë që duhej t'ia kaloja shiritin. Ishte një sinjal që kapiteni ynë është në bord.

Ju pëlqen të luani më shumë me 4 apo 3 mbrojtës si kundër italianëve?

Për portierin nuk ndryshon gjë. Besoj se edhe ndaj Francës do zgjedhim sistemin fitues. Trajneri e di shumë mirë sesi luhet kundër Francës. Ne do të zbatojmë me përpikëri planin dhe ndjekim idetë e trajnerit. Jam i bindur që do të jetë i drejti si me 4 apo 3 mbrojtës.

Të enjten do kërcënoheni nga një prej sulmuesve më të rrezikshëm, Oliver Zhiru...

Është shumë i rrezikshëm në zonën e rreptësisë si me kokë dhe këmbë. Stopon dhe e mban shumë mirë topin. Ai është i pakëndshëm për qendërmbrojtësit, por nuk është i panjohur për ne. Komplet reparti sulmues i Francës ka kualitet.

Manuel-Neuer-070316

Kujt i trembeni më shumë dhe keni kujdes?

Grizman dhe Pogba në veçanti. Grizman është i fortë në driblime një kundër një. Lidhet shumë mirë me Pogbanë në kundërsulme. Për këtë duhet të përgatitem më shumë, për të gjetur kohën, reagimin dhe daljen e duhur. Për këtë ne nuk duhet të humbim rregullsinë e lojës sonë.

Mendoni se Franca ndihet favorite dhe kërkon hakmarrjen nga 2014-ta?

Është normale që francezët kanë fituar besim. Çdo ndeshje ata kanë pësuar ngritje, por të mos harrojmë që nuk janë përballur ende me një kombëtare të niveleve botërore. Ata vërtet do të ndihen të karikuar, por edhe nën presion nga tifozët e tyre. Pavarësisht të gjithave, ne i dimë armët tona të forta. Kryesore është që mbrojtja është e hekurt, pasi në sulm jam i bindur që do shënojmë.

Germany-v-Italy-Quarter-Final-UEFA-Euro-2016

Cila ishte receta e penalltive?

Duhet të dëgjosh tingujt e zemrës dhe t'i besosh vetes. Edhe pse kisha parë shumë penallti të italianëve, përsëri ato ishin të ndryshme. Instinkti është leksioni më i mirë.

Së fundmi, Khedira dhe Gomez mungojnë ndaj Francës.

Në kombëtare asnjë nuk është i pazëvendësueshëm, por secili ka rëndësinë e tij. Jam i sigurt që do kompensohen siç duhet.

Përgatiti: ENIAR IBRO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama