KAPITULLI QË VJEN PAS TË DYMBËDHJETIT
Atij mjekut që porsa kishte dalë nga dhoma duket nuk i kishin pëlqyer fjalët e mia. Ose i kishin pëlqyer shumë dhe prandaj kishte dalë në ajër të pastër... Megiithëse ne nuk e dinim ku kishte patur nevojë të shkonte.
Për çudi, ai shoku im qëndronte atje tek shtrati i tij dhe me kokëfortësi ngulte këmbë në heshtjen e tij. Po po... Qëndronte atje dhe nuk donte të fliste qoftë edhe një fjalë të vetme!
Pse nuk fliste kur unë i kisha folur disa fjalë dhe kisha nevojë të dëgjoja një fjalë të qartë miku për ato që kisha thënë?...
Mua më dukej se kisha folur mirë për kulturën dhe historinë e planetit tonë... Por miku im përkarshi nuk donte që nuk donte të fliste.
Më në fund unë thirra:
- Pse, a nuk ngjan historia e qenit me atë të njeriut?!...
Tjetri u kthye ngadalë nga unë dhe foli pa u nxituar:
- Ti i përcaktove gjërat shurnë mirë dhe historia e qenit ngjan shumë me atë të njeriut. Por.. Nuk i dihet. Në të ardhmen nuk duhet të flasësh aq shumë... Se nëpër rrjetat e një muhabeti të gjatë depërton edhe ndonjë fjalë e shkurtër, por me një dëm të gjatë sa më s'thuhet! Prandaj më mirë të mos flasësh fare!
Mua sikur më thartuan pakëz fjalët e tij dhe fola:
-Njeriu që porsa doli nga dhoma, m'u duk një njeri i mirë dhe sikur e kishte qejf muhabetin...
Ma preu ai fjalën:
- Ashtu është. Ai është njeri i mirë dhe i mirë fare, por muhabetet e tij vijnë era burg. E kupton ku është fjala?... Vijnë era dhjetë, pesëmbëdhjetë vjet burg. Ndofta edhe më shumë...
Unë i dëgjova ato fjalë, por nuk e kuptoja ku donte ai të dilte.
Ai vazhdoi:
- Këtu, megjithëse kemi një det të tërë me halle, përsëri nuk jemi keq... Por duhet shumë kujdes me këta njerëz që mbajnë bluza të bardha. Se çmendia, sido që të jetë, përsëri është më e mirë se kampet e përqëndrimit... Se tharjet e kënetave ku njerëzit po lënë kockat dhe ku tjetri është gati të hajë atë që nxjerr shoku i tij pranë!... Prandaj kur ta shohësh se zgjatet muhabeti shumë, kthehu nga muri dhe mbyll sytë...
Mua se si m'u dukën të gjitha ato që tha ai, po nuk pata kohë që të mendoja më gjatë, se në dhomë hyri një vajzë...
Po!... Ishte një vajzë shumë e bukur, me flokë të verdhë. Mbante bluzën e bardhë.
Shoku im përkarshi u kthye nga muri dhe nuk po dëgjohej as frymëmarrja e tij. Unë nuk guxova të ndiqja shembullin e tlj dhe po shikoja plot sytë vajzën e bukur... Ajo la mbi tryezë diçka të mbështjellë, shikoi nga shoku im që kishte kthyer shpinën, shikoi me kujdes edhe nga dera. Pastaj m'u afrua, u përkul mbi mua dhe më... Nuk po e kuptoja çfarë do më bënte dhe ngriva në vend. Ajo më puthi në buzë!...
Nuk po kuptoja gjë, por ajo sa më puthi në buzë, doli nga dhoma me nxitim... Vajza e bukur me bluzë të bardhë nuk ishte më në dhomë...
Ç'kishte ndodhur?!...
Vajza ishte zhdukur dhe shoku përkarshi nuk donte që të kthehej nga unë. Mbi tryezë qëndronte pakoja e çuditshme që la ajo dhe unë nuk guxoja të shikoja ç'kishte atje brenda...
Ndofta ngaqë qëndrova një kohë të gjatë pa lëvlzur dhe në heshtje, më në fund u detyrova që të ngrihesha dhe të shikoja ç'kishte mbështjellë vajza në atë letër të bardhë.
Çudi!... Ishin mbështjellë gjashtë copa byreku, dy kokrra portokalli dhe... Atje në anë ishte një copë letër. Një copë letër e shkruar me bojë të kuqe:
"Të lutem të më falësh! Unë të dua...
Më donte?!... Qysh më donte?!...
Letra ishte fëlliqur nga copat e byrekut, por lexohej qartë.
Aty ishte shkruar "të dua"...
Më kujtohet kur isha i vogël dhe ndërsa po loznim në oborr me vajzën e fqinjit... Që të dy ishim të vegjël... Ajo, në atë kohë kur ishim i të vegjël, më tha papritur "të dua", më puthi në faqe dhe iku me vrap...
Kaluan disa ditë dhe vajza e vogël nuk u duk më në lojrat tona . Vetëm kur e kishim harruar fare atë që kishte ndodhur, ne filluam të loznim përsëri dhe jeta filloi të rridhte si më parë.
Copat e byrekut ishin atje... Edhe letra e shkruar më bojë të kuqe ishte atje...
Shoku në shtratin përkarshi lëvizi duke ngritur batanijet dhe u kthye të më shikonte. Unë e mora atë copë letre të shkruar me boje të kuqe dhe ia dhashë. Sa e mori në dorë trokitën në derë... Shoku e fshehu letrën dhe në dhomë hynë dy njerëz të veshur si ne.