Odin Mondvalsen (fragmenti III)


KAPITULLI QË VJEN PAS ATIJ QË NUK U SHKRUA
As akademitë e pyjeve, as akademitë e lumenjve dhe as akademitë e birucave nuk donin të dëgjonin një fjalë që të kishte kuptimin e fjalës...
Shkova më tej dhe u ula i mbështetur tek trungu i një pishe të lashtë detare dhe aty u vura të mendoja...
Ç'po mendoja?...,
Kishte shumë të ngjarë që ne jetonim në botë me shkallë të ndryshme madhësie që hynin e dilnin tek njëra-tjetra dhe i ngatërronin të gjitha dimensionet e njohura dhe të panjohura. Ndofta Zoti ishte atje përtej këtyre dimensioneve njerëzore, atje ku nuk arrinin dot dimensionet tona të njohura dhe të panjohura... Prandaj këtu poshtë, në dimensionet që ishin të njohura për ne, vërtiteshim të trullosur dhe nuk dinim ç'bënim dhe as ç'të bënim. Dhe unë po rrija i mbështetur tek trungu i pishës së lartë detare duke shtytur i pafuqishëm mendimet e mia të lodhura dhe të këputura...
Po më thërrisnin.
jo, jo!... Nuk ishte ai njeriu i vogël hipur mbi një pilivesë që po më thërriste, por ishte vajza ime dhe të tjerët që po më kërkonin.
Në fillim nuk doja që të përgjigjesha dhe qëndrova tek isha, por pastaj ndërrova mendim, çava përmes drurëve dhe dola në breg të hqenit. - ja tek është!...
Ishte njëri nga djemtë e të zotit të shtëpisë që po fliste. Shkova drejt tyre... Vajza ime po buzëqeshte...
-Ne erdhëm që të shëtisnim anës liqenit... Se në të perënduar të diellit do të jetë një gjë e bukur po të jemi tek vidhat e Manastirit!...
E kisha humbur dhe nuk dija ç'të thosha për bukurinë e perëndimit të diellit... Për të dalë diku dhe për të mos u dukur se isha i zemëruar me dikënd, nisa të radhisja disa mendime, që nuk i kisha menduar më parë.
-Bota dikur në kohë të shkuar ka qenë më e madhe jo vetëm se ishim më të pakët, megjithëse fjalët i kishim më të shumta... Po!... Ne kishim më shumë fjalë nga ato që na kishin mësuar nënat tona, kurse tashti fjalët janë më të paka dhe i fryjnë me qëllim që të mbushin me të hapësirat e pafund që kështu të jenë vetëm fjalët e fryra të atyre që shkrifen e shkrifen edhe përtej asaj që njihet si shkrifje, Unë dola dhe një herë këtyre pyjeve që të gjeja pësëri atë që ishte më parë por, medet!... Ajo nuk është më!... Bota është zvogëluar fare dhe është mbushur me madhërinë e atyre që kërkojnë të varrosin madhërinë dhe nga dëshira për lavdi e atyre që ngërdheshjet e majmunëve i marrin për fillimet e qytetërimit të njerëzimit!...
Aty ndalova se nuk po e kupoja ç'kisha thënë. Pastaj u kujtova për pyllin dhe përfundova:
-Tashti bota është zvogëluar shumë ngaqë fjalët kanë kaluar përtej fjalëve, ngaqë nuk ka vend ku të vendoset madhëria dhe lavdia po harbon mbi tokë, mbi ujrat dhe e ka ndezur ajrin sa nuk mund të thithet më!...
Pushova dhe fillova të ndjeja një keqardhje të çuditshme për ato që kisha folur. Vajza ime më shkoi krahun dhe më tha:
- Ne kemi dalë që të shohim bukuritë e pyllit dhe të liqenit... Atëherë pse të humbasim kohën duke folur këtu?
Ia ktheva: - Ke të drejtë. Ne kemi dalë që të shohim bukurinë e perëndimit të diellit....
U nisëm anës së liqenit. Po unë e kisha mendjen tek ato që më kishte thënë ai njeriu një pëllëmbë...
Ta kishte vrarë me të vërtetë veten Irena e Gjergj Dushmanit?!...
Ky ishte me të vëretë një problem shumë i ngatërruar, por mendja ime tashti më çonte në mënyrë të pashmangshme në shkretëtirën e djegur të Afrikës ku dy skllevër të dashuruar gjer në dëshpërim... Një skllav dhe një skllave, të dashuruar gjer përtej dashurisë, kishin mbjellë në rërën e ndezur të Afrikës dy skeletë...
Çfarë do të kuptonin nga ata dy skeletë që nuk flisnin më?! ...

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama