I shpejtë dhe një ndër futbollistët nga të cilët është pritur shumë në Kombëtare gjatë Europianit. Nuk ka qenë në fushë përgjatë 270 minutave që Shqipëria ka zhvilluar në "Francë 2016", por në ato që ka luajtur, ka bërë maksimumin.
Odise Roshi tregon për gazetën "Panorama Sport" emocionet e golit të fitores ndaj Rumanisë, ndërkohë që rikthehet pas edhe në dy takimet që Shqipëria i ka humbur.
Sipas tij, fati nuk ka qenë me kuqezinjtë në ato ndeshje, ndërkohë që kundër Rumanisë, mesfushori fierak tregon se ka qenë i bindur te fitorja.
Roshi, nëse riktheheni pas te goli i Sadikut, cili ishte përjetimi juaj në atë moment?
Është e vështirë që të gjesh fjalët për një moment ku emocioni ka qenë shumë i madh. Jam gëzuar pa masë. Në atë moment i kam dhënë të drejtë asaj që e besoja që pa nisur ndeshja se ne do të fitonim. Në të vërtetë rezultatin nuk e parashikova saktë, sepse prisja që të shënonim sërish (qesh). E rëndësishme është që fituam dhe pas ndeshjes e kam menduar se kualifikimin do ta kishim 100% të arritshëm, por tashmë mbetet për t'u parë se si do të përfundojnë edhe ndeshjet që kanë mbetur.
Pas asaj që ndodhi me Francën, sa e vështirë ishte ndeshja e tretë në grup?
Na duhej patjetër fitorja dhe kjo e shton gjithmonë vështirësinë e një ndeshjeje, pavarësisht motivimit. Ishte e vështirë, edhe për arsyen që ju e përmendët, sepse na ndodhi edhe me Francën që të pësonim dy herë në minutat e fundit. Këtë herë ne e dominuam takimin dhe arritëm që ta ruanim fitoren, mirëpo ka qenë një stres i shtuar ndjeshëm në minutat e fundit te secili prej nesh. Frikësoheshim se mund të na përsëritej tersi.
Për t'iu kthyer edhe një herë, çfarë ndodhi në ato minuta të fundit ndaj Francës?
Për ne ka qenë e dhimbshme, por në këtë Europian është parë që shumë herë takimet janë vendosur në minutat e fundit. Ishte e rëndë për ne, pasi ai barazim ndaj Francës do të kishte qenë një rezultat i mrekullueshëm, por na mungoi vetëm fati, asgjë tjetër.
Përballja me Rumaninë, nga presioni që ju rrethonte, a ishte edhe më e vështirë se ajo me Francën?
Jo, nuk do të thosha kështu. Sipas meje, ndeshja më e vështirë ka qenë ndaj Francës, për vetë kualitetet që ka në përbërje. Më vjen keq që nuk na mjaftoi as ajo ndeshje e mirë që kemi bërë përballë tyre për të marrë rezultat pozitiv. Fati nuk na buzëqeshi.
Shanset po zvogëlohen njëri pas tjetrit. Sa besoni se do të kualifikohemi?
Unë nuk i kam humbur shpresat dhe do t'i ruaj deri në sfidën e fundit që ne presim për të na dhënë kualifikimin. E kam si ndjesi të ngulitur që ne do arrijmë të kualifikohemi dhe uroj që të më dalë e vërtetë.
Cilët kanë qenë tifozët specialë të Roshit në këto tri ndeshje?
Kanë qenë të shumtë. Megjithatë, në të tria ndeshjet më ka ndjekur një mik i imi i ngushtë nga Fieri, me emrin Turi. Ai më ka takuar edhe në hotel ku qëndrojmë me Kombëtaren dhe ka qenë tifozi im personal në këtë Europian.
Në rast se do kemi fatin të kualifikohemi, luajmë kundër Uellsit dhe ju personalisht një duel me Bejlin. Kush e fiton garën e shpejtësisë?
Do të ishte diçka e mrekullueshme që të kualifikohemi. Uroj të ndodhë. Sa i përket Bejlit, është një ndër futbollistët më të mirë të momentit dhe do të ishte kënaqësi që të përballesha me të.
OLSI TUJANI