Hamdi Salihi vijon të jetë objekt dëshire në Austri. Kryegolashënuesi i sezonit të kaluar në kampionatin tonë ka marrë sërish ofertë për t'u rikthyer në vendin ku la gjurmë të paharrueshme me golat e shënuar.
Këtë herë është klubi i Riedit që ka kërkuar rikthimin e bomberit shkodran, ku ai arriti të shënojë 34 herë në 82 takime.
Riedi ishte edhe stacioni i parë i lojtarit të Skënderbeut në Austri, para se të transferohej te gjigantët e Rapidit të Vienës, në një lëvizje ku u përfituan 650 mijë euro prej kartonit. Nëpërmjet menaxherit, Stefan Reiter, mësohet se klubi austriak i ka bërë ofertë 32-vjeçarit.
Gjithsesi, në median austriake, përveç se bëhet i ditur interesimi, parashtrohen edhe vështirësitë e Riedit në realizimin e këtij transferimi.
Shkodrani ka një akord me klubin e Skënderbeut dhe këta të fundit nuk duan që ta lënë të largohet, duke ditur që është pjesë e rëndësishme e formacionit.
Austriakët e mbyllën edicionin e kaluar në vendin e shtatë, duke mos siguruar pjesëmarrjen në Europë dhe sivjet duan të formojnë një skuadër pretendente.
Për ta, Salihi jep garanci në repartin sulmues, pasi do e kishte shumë të thjeshtë përshtatjen me mentalitetin e skuadrës dhe mbi të gjitha ka shumë eksperiencë para portës. Nga ana tjetër, futbollisti është në dilemë për të ardhmen e tij.
Oferta nga Zvicra - Nëse do bëhej e mundur që Salihi të largohet nga Korça me dëshirën për të provuar një tjetër aventurë jashtë Shqipërisë, Riedi do të përballet me konkurrencë.
Duke iu referuar medias austriake, sulmuesi 32-vjeçar ka edhe një ofertë nga një klub i Superligës zvicerane, por pa zbuluar emrin. Statistikat e shkëlqyera të shkodranit, janë një arsye e fortë për të bindur skuadrat e huaja se ai është një goditje me vlera për repartin e avancuar. Ky muaj pritet të jetë vendimtar edhe për të vendosur zgjedhjen e lojtarit.
Karriera - Salihi ka luajtur me shtatë skuadra të huaja, ku suksesin më të madh e ka pasur në Austri, sidomos me Rapidin e Vienës.
Eksperienca e tij e parë ishte me grekët e Panioniosit, por që nuk pati sukses. Më pas, luajti me ekipe si Riedi, Rapidi, D.C. Junajtid në SHBA, Jiangsu Sainty në Kinë apo izraelitet Hapoel Ako dhe Hapoel Haifa.
LLAZI SARO