Deri tani kemi një opozitë të “Facebook”-ut. Ky është këndvështrimi i FRD-së për rolin që po luajnë PD-ja dhe aleatët e saj në vend që pas bojkotimit të Kuvendit të Shqipërisë. I ftuar në studion e “Ora News”, Gazmend Oketa, Sekretar i Përgjithshëm i FRD-së tha se “deri tani kemi një opozitë të Facebook-ut, që nuk po e përmbush misionin e saj dhe gjykoj se është një qëndrim aspak konstruktiv, qoftë për një klimë tjetër politike që duhet të mbizotërojë në vend, qoftë edhe për vetë fatet e opozitës parlamentare, në rastin konkret të PD-së”. “Në rast se vazhdon dhe fatkeqësisht mendoj se do të vazhdojë kështu , – vijoi Oketa, – është duke bërë kalkulime politike për interesat e një grupi fare të vogël individësh dhe jo për interesa madhore të vendit e të atyre njerëzve që e mbështesin me sinqeritet dhe do të thosha, me një lloj symbylljeje, atë forcë politike”.
Sipas Oketës, “fatkeqësisht, opozita parlametare e ka kaluar edhe herë të tjera një trajektore të tillë, ka bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë, por kjo është një rrugë që nuk të çon në asnjë vend”. I pyetur për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë dhe mbi faktin nëse Ardian Fullani duhet të jepte dorëheqjen, Oketa u përgjigj se në kuptimin moral dorëheqja nuk do të kishte kuptim, por vetëm në kuptimin juridik. “Përgjegjësia morale më e madhe tani bie mbi bordin, përderisa nuk ka një reagim nga Guvernatori”, – shtoi ai.