Olen, unë personalisht jam ndjerë e emocionuar kur nga Simone Cristiçhi (kur ishte i ftuar para 3-4 vjetësh në Shqipëri), kam dëgjuar komente me superlativa për ju. Ju jeni i famshëm në Itali, por për hir të së vërtetës nuk keni të njëjtën famë në Shqipëri. Ju vjen keq për këtë?
Nuk di se kush është metri dhe mizura që mat famshmërinë e një artisti, sidomos në Shqipëri sepse nuk jetoj atje. Më pëlqen fakti që miqtë e mi, artistët italianë që vijnë në Shqipëri, vijnë edhe pse ne artistët shqiptarë në Itali e kemi luajtur mirë rolin e ambasadorëve dhe të agjencive të promovimit të Shqipërisë nëpër botë. Por besoj se kujdesi që kanë mediat dhe gazetarët për artistët dhe të gjitha evenimentet që ndodhin ndonjëherë, ndonjë gjë mund t’i kaloi nga mendja ose nga memoria ose t’i shpëtoi nga shikimi. Për të qenë i sinqertë, përpara 2002-shit në Shqipëri vija shumë, shumë rrallë.
E kisha si një psikozë të madhe dhe frikë të paparë aeroportin e vjetër të Rinasit, nga isha nisur për studime, kur isha akoma foshnjë. Një godinë shumë të vogël të mbushur me ushtarë, dhe e mbaj mend si sot këmbënguljen e Ardit Gjebresë, që insistoi me shumë dashuri dhe bëri t♪7 mundur që unë të kthehesha për koncertin e vitit të ri 2003 sëbashku me Elsa Lilën dhe Vikena Kamenicën, koncert që bëri edhe mediat shqiptare të kujtoheshin që të shkruanin.
Keni bashkëpunuar me emra të njohur të muzikës italiane. Së fundmi edhe me Lucio Dalla. Si do ta vlerësoni këtë bashkëpunim?
Hahaha…! Po të filloj dhe të bëj një radhitje të emrave të artistëve italianë me të cilët kam punuar lista do ishte shumë e gjatë sepse bashkëpunimi është jeta dhe puna ime. Por mund t’ju them se fillimet e mia me muzikën e lehtë filluan në Amerikë në New York, nëpër lokalet dhe Jazz Clubet. Duke njohur dhe duke bërë muzikë natë për natë me artistë akoma të pa shpërthyer, si Lenny Kravitz edhe Sherly Krow. Pastaj sapo u ktheva në Romë u zhyta menjëherë në rrjedhën e muzikës kantaoutorale në Itali, duke bashkëpunuar me Luca Barbarossa, Alex Britti, Max Gazze, Paola Turci, Nino D’angelo, Massimo di Cataldo, Anna Oxa, Franco Califano, Lucio Dalla, Claudio Baglioni, Simone Cristiçhi etj. Me Lucio Dallen, bashkëpunimi filloi në 1997 dhe vazhdon akoma. I detyrohem shumë atij artisti që unë e konsideroj si një gjeni të muzikës së lehtë italiane, jo vetëm, por edhe si një legjendë të saj.
Olen, ju jeni edhe mik me Lucio-n. Na shuani disa kuriozitete, çfarë natyre është ai? Si është në punë? I keni treguar për muzikën shqiptare?
Ahh sa pyetje… ?! Ok, ok… Atëherë…, Lucio Dalla është një vullkan iderash. Ka ide të çdo tipi në çfarëdo momenti. Nuk e gjen më shumë se 2-3 ditë në të njëjtin vend. Është i dashuruar me detin dhe gjithë kohës është në barkë, ku ka instaluar dhe një studio regjistrimi. Kurse në punë është i rrallë në sensin që përqendrimi i tij është i paparë, serioziteti dhe profesionaliteti me të cilin ai përballon punën janë për t’u admiruar nga çdo profesionist në botë. Ai e njeh mirë muzikën shqiptare edhe pse nuk i ngjit mirë ritmi kompleks dhe i veçantë i valleve popullore shqiptare. Dhe unë pata fatin e madh që ai pranoi të bashkëpunonte me mua si “Guest star” në albumin tim dhe këndoi këngën italiane napoletane “Anema e core“ së bashku me të madhin Sergio Cammariere, pianist i mahnitshëm me të cilin unë bashkëpunoj prej 15 vjetësh!
Ju keni bashkëpunuar edhe me Bob Dilan, mund të na tregoni diçka më tepër…
Mund ta quaj një takim të rrallë dhe me fat për mua. Në atë koncert njoha 2 persona të rrallë; i pari ishte i shenjti Gjon Pali II dhe pastaj Bob Dilan, çfarë koncerti?! I paharruar dhe çfarë momentesh me legjendën e muzikës folk Bob Dilan…!!!
Tek karriera juaj muzikore, cilat rryma, cilat kultura muzikore kanë ndikuar?
Fillimet ishin Blues. Që kur isha në Tiranë, në moshën 10-vjeçare sa hyra në Institutin e lartë të Arteve fillova të dëgjoja edhe muzika jo klasike. Pastaj nëpër konservatorët dhe institutet e larta të botës që vazhdova studimet, fillova që të miksoja muzikën klasike me atë të lehtën dhe ura që m’u hap përpara ishte muzika e të zinjve amerikanë ‘Blues’. Pastaj Jazz, dhe kur shkova të banoj në New York, atje fillova të punoja me çfarëdo lloj muzike të lehtë, nga ‘country’ në ‘rock pop’, ‘hip pop’, deri në ‘world music’.
Një vit më parë keni publikuar albumin tuaj, një muzikë rreth botës… Ky ka qenë motivacioni i tij… si ka qenë në fakt rrugëtimi i tij?
Kisha 5 vjet që mendoja çfarë lloj albumi mundesha të realizoja për veten time. Unë vija nga vite pune si producent albumesh dhe muzika filmash, kështu që në bagazh kisha çfarëdo lloj muzike. Nga ‘jazzi’ në disko nga klasikja, deri në moderne. Kështu që rasti dhe momenti erdhën gjatë një koncerti që u organizua nga qeveria italiane për popullsinë e qytetit L’Aquila, mbas tërmetit 7 ballsh që mbuloi gjithë qytetin. Kur u mblodh G8, aty erdhën një numër i madh artistësh që performuan për popullsinë dhe një prej tyre isha unë me grupin tim.
Koncerti ishte në një amfiteatër Romak, njësoj si ai i Durrësit dhe publiku ishte gati 1000 veta. Por nuk ishte publiku me të cilin unë isha mësuar të kisha të bëja. Ishin të vrarë në zemër dhe kishin humbur gjithçka. Gjithsesi…. unë fillova koncertin dhe që tek duartrokitja e parë, e kuptova që kisha gabuar repertorin. Dhe m’u dha aty për aty të merrja fletën ku kisha shkruar programin dhe ta grisja përpara publikut duke u thënë atyre. “Që nga ky moment, ju do të bëni programin e këtij koncerti”. “Më thoni një vend të botës dhe do t’ju çoj menjëherë atje me muzikën e atij vendi”. Filluan ulërimat nga publiku; Amerikë, Brazil, Australi… “ Dhe unë në vend që të luaja 30 minuta, vazhdova për më shumë se 1 orë e gjysmë. Por që në atë moment e kuptova se kush do të ishte albumi i im dhe çfarë ilaçi kishte qenë muzika për ata njerëz.
Keni menduar të realizoni një koncert tuajin në Tiranë, pse jo për të prezantuar këtë album ndërkombëtar?
Kam një vit që e mendoj! Vetëm se nuk njoh strukturat që organizojnë në Shqipëri koncerte. Erdha gjatë vitit të ri në Tiranë dhe në Klan TV dhe në RTSH prezantova albumin, por një prezantim ‘live’ akoma nuk e kam parashikuar sepse nuk njoh producentët e spektakleve ‘live’ në Shqipëri. Por kam ndër mend të bëj një kërkesë zyrtare të gjithë kryebashkiakëve të qyteteve të Shqipërisë, për të organizuar koncertin tim me muzikat më të famshme të botës nëpër sheshet më të bukura të qyteteve tona. Në këtë mënyrë kënaqet populli që nuk ka mundësi të paguaj biletat e Teatrit të Operas në Tiranë!
Aktualisht, cilat janë impenjimet tuaja?
Jam më në fund në turne në Itali me koncertin tim mbas 6 muajsh promovimi. Dhe ndërkohë po fillon promovimi i albumit tim në Zvicër dhe në Spanjë. Gjithashtu po bëj një spektakël me një mikun tim. Një komik shumë të famshëm në Itali që quhet Roberto Ciufoli, me të cilin, duke marrë idenë nga albumi im, shkruajtëm një show që quhet ‘T.O.P trip on planet’. Por për këtë do flasim një herë tjetër (qesh)!
Olen, kur vini në Shqipëri, çfarë ndjesish përjetoni?
Në fillim më duket vetja si në një vend të huaj, por ky sensacion zgjat 5 minuta dhe pastaj normalizohem komplet. Skeda ‘simcard’ e gjuhës ndërrohet automatikisht! Shpresoj të gjej ca ditë të lira, që të vij për pushime nga jugu i Shqipërisë, tek perlat tona.
Në optikën tuaj muzika e 20 viteve të fundit në Shqipëri, është përmirësuar? Nga i ka pasur ndikimet? Si e shihni ju si një muzikant botëror atë?
Më në fund, muzika e botës hyri edhe tek ne. Më në fund jemi edhe ne pjesë e Europës dhe e botës. Unë u mahnita duke dëgjuar reperat tanë në shqip, pasi për mua muzika Rap ishte vetëm në anglisht! Por më pëlqen shumë edhe muzika popullore shqiptare me riarranxhimet pop ose hip-pop.
Muzika e lehtë dhe këtu dua të përmend këngëtaren Juliana Pasha, me të cilën shkuam dhe përfaqësuam Shqipërinë shumë denjësisht në Eurovision, Song Contest në Oslo. Ajo ka një mënyrë të kënduari që të përhyn brenda trupit dhe i përshtatet çfarëdo lloj produksioni botëror. Muzika në Shqipëri po rritet ditë mbas dite. Dhe Shqipëria po ndryshon ditë mbas dite. Tani mezi pres të kem një moment pune të lirë që të marr një avion dhe të shkoj në Shqipëri. Por për momentin puna dhe promovimi i videoklipit tim vazhdon. Kështu që do shihemi shpejt shpresoj!