Ukrainasja që adhurohet nga më i famshmi i spiunëve
Në aventurën e fundit të agjentit sekret në shërbim të Madhërisë së Saj, "007 Quantum of Solace", bukuroshja Olga Kurylenko mishëron një risi të pakundërshtueshme: një "Bond Girl" që nuk përfundon në shtrat me heroin. Përkrah ka të madhin Daniel Craig, Bondin më seksi të të gjitha kohërave. "Është e vërtetë që në këtë film, personazhi femëror, më shumë se sa një objekt i thjeshtë dëshirash për protagonistin, është një lloj pasqyre. Dikush që i ngjan jashtëzakonisht shumë. Sigurisht, mes tyre ka tension erotik, por që të dy janë të angazhuar në objektivat e tyre, ndaj kështu nuk mund të shkojnë në shtat së bashku", pranon brunia bukuroshe, e lindur në Ukrainë, por që prej vitesh jeton në Paris. Me pak fjalë, i ka takuar Kurylenko-s, një rol "glamour", në traditën e sagës së "007", por, ndryshe nga sa ka ndodhur më parë, ajo aty nuk përfaqëson vetëm bukurinë, siç i ka ndodhur shumë prej kolegeve të saja në 21 seritë e mëparshme (për shembull Caterina Murino në "Casino Royale", e destinuar të përfundojë në krahët e burrave që e përdorin, përfshi këtu edhe Bondin). Megjithatë, për një ish-topmodele, të mësuar vetëm me sfilita si Olga, "Quantum of Solace" është një dhuratë që ajo di ta vlerësojë dhe nga e cila kërkon të përfitojë sa më shumë. Sepse vetëm kështu mund t‘i jepet mundësia për t‘u afirmuar si një yll në të gjithë botën, falë një filmi me famë ndërkombëtare. Për këto dhe të tjera gjëra, Olga nuk nguron asnjëherë të japë intervista. E veshur thjesht, me taka të larta, fustan me model të viteve ‘50 dhe me pak tualet, bukuroshja e "Quantum of Solace" është magjepse edhe në përgjigjet që jep.
Atëherë Olga, sa emocionuese ka qenë për ju të luanit rolin e një "Bong Girl"?
Jashtëzakonisht shumë emocionuese. Mund të them se në sheshin e xhirimeve kam luajtur njëkohësisht një rol të dyfishtë: kam interpretuar personazhin tim dhe në të njëjtën kohë nuk isha e frikësuar apo e nervozuar.
Më parë, ju ishit pjesëtare e pasarelave. Një përvojë e nevojshme edhe në botën e kinemasë?
Jo aspak. Nuk ka asnjë lidhje midis modës dhe filmit. Jashtë sheshit të xhirimeve, nuk e kam frekuentuar kurrë të ashtuquajturën "botë të bukur". Miqtë e mi vijnë nga ambiente të ndryshme dhe nuk kam bërë kurrë ndonjë jetë luksoze. Pastaj në xhirime është shumë ndryshe duke e krahasuar me atë që bën një modele mbi pasarela. Në kinema, përpara telekamerave, duhet të interpretosh një personazh të vërtetë për të gjithë botën, ndërsa në pasarelë mund të jesh tërheqëse e bukur, por sigurisht jo e vërtetë. Me pak fjalë, është e detyruar të jesh false. Rolet që na caktojnë në botën e modës, nuk janë ato rreth të cilave publiku mund të jetë vërtet i interesuar. E, në fakt, atë çka shohim në revista, duke nisur nga fustanet që modelet veshin, nuk e shohim në rrugë, në jetën e vërtetë".
Le të rikthehemi tek "007". Cila është "Bond Girl"-i juaj i preferuar nga seritë e kaluara dhe cili është filmi që pëlqeni më shumë?
Mes vajzave "Bond" preferoj "Vespe", personazhi i interpretuar nga Eva Greene në "Casino Royale". Ajo më pëlqen sepse nuk është vetëm hija e Bond-it në film, por edhe një vajzë inteligjente, brilante dhe bën që në ekran të ndodhin shumë gjëra. Ndërsa, për sa u përket filmave, pëlqej dy të fundit, "Casino Royale" dhe "Quantum of Solace".
Megjithatë, spektatori tradicional mund të mbetet i habitur. Ju nuk përfundoni në krahët e Daniel Craig?
Ndoshta mund të kishte ndodhur pasi filmi të përfundonte, por jo në film. E vërteta është se, nëse dy personazhet në ekran do të kishin fjetur së bashku, historia që tregojmë në film nuk do të kishte më interes. Pastaj, ajo ka një objektiv të qartë në mendje, që e ka pasur qysh fëmijë dhe pikërisht në momentin që do ta arrinte, nuk ishte e mundur që të tërhiqej nga një njeri si Bondi.
Megjithatë, ju jeni një heroinë në aksion, personazhe që ju i pëlqeni. Edhe tek "Hitman" dhe "Max Payne", dy filma që priten të dalin së shpejti, subjekti është marrë nga video-lojërat. Një rastësi?
Do të thosha që po. Nuk jam shumë e pasionuar pas video-lojërave, megjithatë edhe kohë për të luajtur nuk kam. Unë që prej 12 vjetësh jetoj në Paris, atje kam xhiruar edhe pjesë të pavarur. Por, nëse dëshiron të të njohin në shkallë ndërkombëtare, duhet të bësh filma në gjuhën angleze. Dhe është pikërisht kjo që po bëj.
Do të largoheshit nga Parisi për SHBA-në?
Jo, kurrë. Adhuroj Parisin, rrugët e tij, njerëzit. Kam jetuar në Nju Jork për një vit dhe kisha nostalgji të paparë për kryeqytetin francez. Jo se në Nju Jork nuk ka persona interesantë, por shumë gjëra të vogla më bëjnë që të pëlqej Evropën. Kafenetë e vogla që shërbehen në tavolina me filxhanë të bukur dhe të vegjël, ndryshe nga ato kafetë që amerikanët i pinë me vrap në filxhanë kartoni. Pastaj edhe ushqimi. Aty gjen vetëm fast-food ose restorante superelegantë dhe nuk gjen rrugë të mesme, si për shembull restorante të këndshëm dhe jo shumë të shtrenjtë ku mund të shkosh me miqtë. Pastaj edhe djathi i mrekullueshëm francez përtej oqeanit nuk është aq i mirë. A nuk ju duket edhe ju kështu? Jo, jo e adhuroj Parisin. Nuk do të largohem kurrë prej tij.
nga : Gazeta Shqip