Olimpiada Ballkanike e shkollave ne muajin maj vjen ne Shqiperi

Olimpiada Ballkanike e shkollave, ne muajin maj vjen ne Shqiperi
Për herë të parë në vendin tonë do të organizohet Olimpiada e 20-të Ballkanike në Tiranë. Nxënësit më të mirë të shkollave të vendit do të hyjnë në garën e njohurive me nxënësit e shkollave të ballkanit. Prej disa vitesh nxënësit tanë konkurojnë me ata ballkanas jashtë vendit, ku janë shpërblyer edhe me çmime të para. Por këtë herë pjesëmarrja do të jetë më e lartë për vetë faktin se olimpiada do të zhvillohet në Tiranë dhe nxënësit nuk do të kenë probleme me mbulimin e shpenzimeve.

Kjo, pasi nxënësit i paguajnë vetë shpenzimet e pjesëmarrjes në olimpiadat jashtë vendit. Ministria e Arsimit mbulon shpenzimet e transportit, ndërsa të tjerat duhet t’i paguajë vetë nxënësi. Këtë herë, specialistët e arsimit shpresojnë që nxënësit tanë të jenë në krye të listës. Fatmir Vejsiu drejtor i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit shprehet se nxënësit e shkollave ballkanike do të jenë në Tiranë në muajin maj.

“Vendet e Ballkanit do të dërgojnë nxënës për të marrë pjesë në olimpiadat e 5 lëndëve që janë përcaktuar. Për ne është e rëndësishme që ata vijnë këtu, pasi ne kemi pasur një pjesëmarrje të kënaqshme me nxënësit që kemi dërguar jashtë vendit. Vitin e kaluar, një nga nxënësit tanë mori medalje ari”, u shpreh Fatmir Vejsiu. Nxënësit më të mirë nga e gjithë Shqipëria do të marrin pjesë në garën më të madhe të shkollave të mesme në lëndët : Matematikë, Kimi, Biologji, Fizikë dhe Informatikë. Olimpiada është e përvitshme dhe pjesë e saj janë lëndët egzakte, të cilat zhvillohen pothuajse në të njëjtën mënyrë edhe në vendet ballkanike. Përgatitjet e olimpiadës së shkollave të mesme në vendin tonë aktualisht janë në fazën e dytë të zhvillimit. Ditën e shtunë është provimi i fundit në Informatikë, e cila do të përmbyllëfazën dytë.

Pas kësaj faze do të kalohet në fazën e tretë, që do të jetë dhe faza vendimtare e kualifikimit të nxënësve më të mirë, të cilët do të jenë pjesë e olimpiadës së madhe që do të zhvillohet me të rinjtë ballkanas. Alfons Harizaj, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, shpjegoi të gjitha procedurat që kanë ndjekur dhe që do t’i nënshtrohen nxënësit për pjesëmarrjen në olimpiadë, si dhe numrin e pjesëmarrësve.

“Në raundin e parë marrin pjesë ata që cakton drejtoria e shkollës dhe që i vlerëson si më të mirët, mbi bazën e mesatares së lëndës. Mësuesi është kryesor në vendimin për ta dërguar në olimpiadën rajonale. Faza e dytë është ajo gjysmë kombëtare, ku bëhet testi nga AKP-ja dhe korrigjohet nga komisionet rajonale. Në fazën e tretë procesi është i centralizuar. Ministira e Arsimit ka përgatitur me kohë testin, ka bërë përgatitjet, ndërsa komisioni i hartimit të testit është jashtë AKP-së në varësi të lëndës. Testi përfundimtar për të gjitha lëndët hartohet nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Në këtë fazë vlerësimi bëhet në AKP-ja”, informoi Harizaj.

Konkurimi

Testi në gjuhën angleze

Testi do të zhvillohet në gjuhën angleze. Kjo është një mundësi për nxënësit që jo vetëm duhet të jenë të mirë në lëndët përkatëse, por duhet të jenë të përgatitur edhe në gjuhën e huaj, në anglisht. Fatmir Vejsiu shprehet se nxënësit i kanë të gjitha mundësitë për të përballuar testin në gjuhën angleze. Aktualisht, anglishtja është pjesë e lëndëve me zgjedhje në Maturën Shtetërore, e cila pritet të futet si lëndë e detyruar në provimet e maturës. Testi do të hartohet me pyetje me zhvillim, të cilave do t’u jepen përgjigje të sakta nga nxënësi. Në këto provime do të marrin pjesë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe ata të shkollës së mesme. Nxënësit e shkollave 9-vjeçare do të marrin pjesë në lëndën e matematikës, ndërsa pjesa tjetër do të marrin pjesë në të 5 lëndët e tjera.

Olimpiada, çdo fazë 3 fitues

Në olimpiadë kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë ata nxënës që janë me nota të mira apo që mësuesit mendojnë se mund të përfaqësojnë denjësisht shkollën. Në çdo fazë kalojnë nga 3 nxënës, të cilët marrin pjesë në fazën e dytë, e kështu me radhë. Në garën e parë që zhvillohet në shkollë dalin 3 fitues. Këta tre fitues do të marrin pjesë në olimpiadën rajonale, nga e cila do të dalin po tre fitues dhe në fund do të pranohen aq sa të mbeten. Drejtori i AKP-së, Alfons Harizaj shprehet se nuk ka ndonjë shifër të saktë në pjesëmarrje, sepse nëse dikush ka një nivel pikësh të kënaqshëm dhe nuk ka ndonjë diferencë të madhe në pikë mes kandidatëve, atëherë do të pranohen më tepër se 3 nxënës në olimpiadë. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me fituesin përfundimtar.

Nëse diferenca në pikë është shumë e ulët, atëherë mund të ketë dy fitues. Ndërkohë që, ai shpjegon se ka mjaft raste kur nxënësit që kanë dalë fitues në olimpiadë nuk marrin pjesë në fazat e tjera. Kjo mund të ndodhë për arsye të ndryshme, qoftë për neglizhencë apo për pamundësinë e mbulimit të shpenzimeve, pasi ato paguhen nga vetë nxënësi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama