Fotografi më i debatueshëm në botë por i shumëvlerësuar me çmime vjen në Tiranë në kuadër të projektit “Ditët e fotografisë italiane”, realizuar nga Instituti Italian i Kulturës dhe EJ Album dhe do mbajë një takim për të gjithë të apasionuarit e fotografisë
Të gjithë e mbani mend foton e famshme të vitit 1991, e bërë për markën “Benetton”,që portretizonte një murgeshë dhe prift që puthen, shembull fitues i ”shockvertising”: një koncept që është përdorur deri në abuzim nga fotografë të tjerë. E pra, ideatori i kësaj fotoje që provokoi botën mbarë është fotografi italian Oliviero Toscani.
Kjo foto u përfshi në fushatën “Unhate” (kush nuk i mban mend billboard-et që pasqyrojnë Papën duke u puthur me Imamin e Kajros?!) e ideuar nga “Fabrica”, e cila, pavarësisht se nuk kishte ndikimin emocional të fushatës historike të Oliviero Toscani-t, nga ku është frymëzuar ‘paturpësisht’ fotoja, ajo ka fituar kohët e fundit Çmimin e Madh të Shtypit në Festivalin e Kreativitetit të Kanës. Ironik, i hatashëm, i diskutuar, i sulmuar, profesional, alergjik ndaj censurës… Ky pra është Oliviero Toscani. I lindur në vitin 1942, i njohur ndërkombëtarisht si forca krijuese prapa emrave më të famshëm të gazetave dhe markave në botë, krijues i imazheve të korporatave dhe fushatave të marketingut ndër vite për “Esprit”, “Chanel”, “Fiorucci”, “Prenatal”, “Jesus”, “Inter”, “Snai” dhe shumë të tjera Toscani vjen për herë të parë në Tiranë në kuadër të projektit “Ditët e fotografisë italiane”, realizuar nga Instituti Italian i Kulturës dhe EJ Album. Takimi i publikut shqiptar me fotografin, i famshëm sidomos për subjektet provokative që trajton në fotografinë e tij, do të jetë më 14 korrik.
Ka një lidhje disi kurioze mes Shqipërisë dhe artistit; Toscani ka qenë viktimë e asaj që tashmë njihet si ‘Komploti i Tiranës’, vepër e një artisti italian, ku një Toscani fals ka kuruar për Bienalen e parë shqiptare të vitit 2001, katër artistë të krijuar në tavolinë, si dhe posterin zyrtar të Bienales dhe ftesat e saj. Një mashtrim me përmasa ndërkombëtare në dëm të artistit vetë, subjekt edhe i një çështjeje legale. Vjen në Shqipëri për herë të parë dhe do mbajë një takim për të gjithë të apasionuarit e fotografisë, si dhe për të gjithë ata që punojnë në botën e komunikimit viziv. Takimi do nisë me një dokumentar të shkurtër mbi Eventin e parë të Projektit, që ka për subjekt fotografin Ferdinando Scianna dhe qëllim krijimin e një tradite; dokumentarë të shkurtër mbi çdo fotograf që do vijë në Shqipëri, si dhe realizimin e një metrazhi të gjatë mbi gjithë projektin në përfundim të tij. Toscani do prezantohet për publikun nga fotoreporteri i njohur shqiptar, Armando Babani, fotograf me një karriere të gjatë ndërkombëtare, anëtar i agjencisë EPA. Në fund, sipas traditës së eventeve organizuar nga EJAlbum, do mbahet edhe një tavolinë e rrumbullaket me pyetje nga gjithë fotografët e pranishëm. Takimi do zhvillohet në sallën “Nënë Tereza” në Pallatin e Kulturës, ditën e hënë 14 korrik, në orën 18:30. Është një event i hapur për të gjithë dhe hyrja është e lirë, e sponsorizuar nga EJAlbum dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë.
Komunikues, krijues, artist, provokator?
“Nuk ekziston “krijuesi”, ekziston një projekt, një ide dhe si rezultat e cilësisë sesi është realizuar mund të konsiderohet krijuese. Kreativiteti varet nga rezultati i një pune. Të vetëpërkufizohesh si një drejtor krijues, ose krijues është një pretendim që tregon mungesë totale krijimtarie”. Fotograf, komunikues, artist, provokator, vizionar, janë vetëm disa nga termat e përdorur për të përshkruar Oliviero Toscani-n. Ai është i njohur për imazhet e tij të forta dhe të drejtpërdrejta, por ndoshta edhe më shumë për tronditjen, cilido qoftë subjekti i tyre. Si komunikues e ka bërë provokimin një metodë, një “modus operandi” që nuk lë shpëtim dhe nuk kursen askënd dhe asgjë, qoftë kjo çështje e nxehtë aktualiteti, kulture apo feje. Provokimi për të nuk reflekton një sjellje negative, përkundrazi është një mënyrë për të prodhuar interes dhe nxitur reagime krijuese. “Unë jam një fotograf, unë nuk jam përkufizuar kurrë ndryshe. Fotografia është rezultat i një teknologjie, nuk është autenticitet: të jesh autentik është rezultati përfundimtar.
Gjithkush mund të arrijë në atë rezultat në mënyrën që preferon, ka nga ata që besojnë se është më mirë të përdorin retushimin, ka nga ata që nuk duan. Pastaj gjykohet rezultati, nëse është interesante apo jo, përtej asaj sesi është realizuar.” Toscani luan shumë me kontrastet bardhë e zi, i aftë për të përmbledhur simbolikisht tek to temën universale të “ndryshimit”. Ne jemi mësuar që e bardha personifikon të mirën, kurse e zeza të keqen. Ky është një stereotip botëror”. Dhe ky stereotip bëhet subjekt në foton e Toscani-t në vitin 1991, ku paraqet një fëmijë të bardhë me pamje “engjëllore” dhe një fëmijë me ngjyrë që qëllimisht paraqitet me një model flokësh që i jep pamje “djallëzore”. Fuqia simbolike e ngjyrave është dhe tek fotoja e famshme që ngjalli polemika në mbarë botën në vitin 1991, ku shfaqet puthja mes një prifti dhe murgeshës. Ngjyrat bardhë e zi janë tashmë pjesë e stilit të Toscani-t, por në këtë rast objektivi është të provokojë përmes një gjesti që në vetvete komunikon ëmbëlsi. “Në këtë foto nuk ka asgjë vulgare, por rroba e veshur që identifikon personazhet si pjesë e një urdhri fetar imponon nderin”.
Fotografitë e tij janë tashmë në koleksionet e disa prej muzeve më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Hagë, Frankfurt, Chicago, Johanesburg. Kanë qenë të ekspozuara në muzetë në Lozanë, Mexico City, Sao Paulo, Santiago të Kilit, Salamanca dhe Helsinki, për të ardhur më në fund edhe në Tiranë. Në faqen e tij të internetit lexohet: “Puna e Toscani-t ka qenë e ekspozuar në Bienalen e Venecias, në SanPaulo, Brazil, në Triennalen e Milanos dhe në muzetë e artit modern dhe bashkëkohor nga e gjithë bota. Ai ka fituar çmime të shumta, duke përfshirë katër “Luanë të Artë”, Çmimin e Madh të UNESCO-s, dy herë Çmimin e Madh të Afichage, dhe çmime të shumta nga Art Directors Club. I lindur profesionalisht si artist në fund të viteve ’60, djali i fotoreporterit të parë të “Corriere della Sera”, ai filloi shumë herët të punonte me revista prestigjioze dhe duke kuruar fushata marketingu për marka të njohura të modës. Me fushatat e tij për “Benetton” u bë i njohur edhe në mesin e jo-ekspertëve të fushës dhe emri i tij është në gojët e të gjithëve për protestat e ngjallura prej imazheve të tij. Por ky artist i njohur dhe i debatueshëm, i shumëvlerësuar me çmime dhe i mallkuar nga shumë njerëz, çfarë mendon për punën dhe krijimtarinë e tij? “Një punë kurrë nuk mund të jetë liri totale. Analizoj, vëzhgoj, gjykoj se çfarë duhet të bëj, flas me personazhin e radhës, është e rëndësishme të krijohet një marrëdhënie dhe dialog. Çdo punë e mirë varet nga inteligjenca e personazhit, duhen të zgjuar, me të cilët të dialogohet dhe diskutohet, kjo është e vetmja mënyrë për të shmangur një punë mediokre”.