Duke huazuar një ese të Charles Baudelaire, të botuar në vitin 1863 në Paris, Hajdinaj e quan këtë “Onufër”, “Piktura e jetës moderne”. “Kjo ekspozitë është një përpjekje për të ndërtuar një mënyrë të pari mbi artin shqiptar, duke u nisur nga nocioni i modernitetit. Ky nocion, që na vjen prej Baudelaire-it, e ndan artin në dy elemente: e bukura përbëhet nga një element i përjetshëm, i pandryshueshëm, sasia e të cilit është tepër e vështirë të përcaktohet, si dhe nga një element relativ, rrethanor që do të jetë, si të dojë njeriu, herë tërë ansambli, herë epoka, herë moda, herë morali, herë pasioni”, shpjegon Hajdinaj. Dhe nisur nga ky koncept, ekspozitës nuk i mungon asgjë nga këto elemente, që nga “heronjtë” e ditëve të sotshme që shikojnë vëngër, mbështetur në krahët e një ure të baltosur, të rinjtë e pub-eve apo veshjet shumëngjyrëshe nëpër skicat e Sonilda Bardhoshit… për të hyrë thellë në kohë.
’Piktura e jetës moderne’ vihet në gjurmim të modernitetit në Shqipëri duke sjellë në vëmendje fotografi të viteve 1915-1930, piktura të viteve 1960-1980, për të ardhur tek arti i ditëve tona (pikturë, skulpturë, vizatim, fotografi), i cili në këtë kërkim konsiston në një vazhdimësi të imazhit piktorik e figurativ për të dhënë një panoramë të evolucionit të imazhit modern në artin tonë”, thotë kuratori. Gjurmimi i kuratorit fillon që me fotografinë, me imazhet e Kristaq Sotirit e Dhimitër Vangjelit qysh në vitet 1915, ku shfaqen portrete burrash e grash që pozojnë me një finesë të pashoqe për shoqërinë shqiptare. Janë portrete tërheqëse, profile tunduese, supe delikate të mbuluara nga fustane të lehta, për të kaluar në atë periudhë që ne e quajmë realizëm socialist e nga ky Hajdinaj ka qëmtuar disa portrete apo tablo që bëjnë diferencën me pikturën e kohës.
“Janë portrete që mund të rrinë fare mirë në çdo kohë”, thotë Hajdinaj, i cili nga ky brez ka përzgjedhur disa punë në pikturë e skulpturë nga Guri Madhi, Jusuf Keraj, Janaq Paço apo Sotir Capo, për të zbritur tek një brez i mesëm me përfaqësues Shpëtim Kërçova, Arben Bajo, Roland Tasho etj., deri tek më të rinjtë. Duke na dhënë kështu një panoramë të gjerë dhe të freskët në funksion të kërkimit të tij dhe pyetjes: sa bashkëkohor është arti sot? “
”Piktura e jetës moderne’, apo kërkimi i modernitetit, është një përpjekje për ta çliruar artin tonë nga klishe dhe formate të ditës, të cilat e tipizojnë dhe kategorizojnë atë nën terma apo përcaktime fundore. Ky kërkim kërkon ta vërë atë përballë vlerave universale dhe ta lërë të hapur qëllimin e tij”, thotë kuratori Hajdinaj, i cili sot ka ftuar artistë e studentë të diskutojnë mbi këtë ekspozitë, mbi nocione që përdoren rëndom, mbi zhvillimet e fundit, që për Hajdinajn janë më shumë të sforcuara dhe të imponuara nga jashtë, se sa si një kërkim i brendshëm, i mbështetur mbi një formim të qëndrueshëm teorik.
Artistët pjesëmarrës
Klodiana Alia, Arben Bajo, Sonilda Bardhoshi, Sotir Capo, Rafael Dembo, Brilanta Kadillari, Sidi Kanani, Jakup Keraj, Shpëtim Kërçova, Dhimitër Kokoshi, Genti Korini, Greta Dhaskali Lami, Guri Madhi, Blerina Muça, Dashamir Myftari, Janaq Paço, Orion Papleka, Kristaq Sotiri, Roland Tasho, Orion Shima, Dhimitër Vangjeli dhe Ergys Zhabjaku.