Onufri 2009 vetem me artiste Shqiptare

Onufri 2009, vetëm me artistë Shqiptarë
 "Ndonjëherë dukej sikur prania e tyre turbullonte peizazhin aktual të artit në Shqipëri dhe justifikonte cilësinë e dyshimtë estetike të punëve të tjera", shpjegon Teferiçi. Ekspozita hapet më 24 dhjetor në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në të marrin pjesë rreth 20 artistë, që i përkasin tri kategorive: artistë me përvojë në artin pamor, që njihen për stilin e veçantë të tyre; të rinj që jetojnë jashtë vendit dhe që sjellin përvojat e tyre në këtë ekspozitë; dhe studentët e Akademisë së Arteve, përçuesit e ideve të reja.

Vëzhgimi i prurjeve studentore i është lënë në dorë Gentian Shulit, që sipas Teferiçit, është një artist shumë aktiv, i njohur për synimin e veçantë që ka për të pikasur talentet e reja. "Kam nderin që në Onufrin që unë po kuroj, të jetë i pranishëm një ndër emrat e mëdhenj të pikturës shqiptare, që bashkë me Ibrahim Kodrën dhe Muslim Mulliqin, përbënin atë treshe që bëri emër në Evropë, në shekullin e artë të Pikturës Evropiane të Shek XX. Ky është Gjelosh Gjokaj", u shpreh kuratori, duke e quajtur "Kumbari i Onufrit". Gjokaj është i pranishëm në ditën e hapjes së ekspozitës dhe prezantohet me dy punë të kohëve të fundit.

Teferiçi vijoi me të tjerë artistë pjesëmarrës: piktorin Gazmend Leka dhe "triptikun që shënon një fazë të re në trajektoren e tij artistike"; Hasan Nallbanin dhe "rikthimin e tij tek tema e erotizmit"; Vladimir Myrtezain që prezantohet me një video-instalacion; piktorin Zini Veshi që vjen nga Amerika dhe artistët e rinj Enkelejd Zonja dhe Genti Pipa. Ndryshe nga vitet e tjera, artistët pjesëmarrës nuk janë të detyruar t'i përmbahen një koncepti kuratorial. Kuratori Parid Teferiçi vendosi që koncepti të krijohej pas vëzhgimit të punëve të artistëve në Tiranë dhe nëpër rrethe. Më shumë se një koncept, ai ka krijuar një "platformë kuratoriale" që ilustron situatën aktuale të arteve pamore në Shqipëri, të quajtur "Dëshira dhe dëshmi".

"Mendova që "Onufri" i sivjetshëm të titullohet kështu, për të shprehur në këtë mënyrë dy pulsionet kryesore, dy shtysat më të brendshme të vullnetit kreativ në Shqipëri, pas diktaturës komuniste, e cila ishte represive dhe deprimuese për artistin shqiptar, ku ai nuk mund të shpaloste dhe të realizonte dëshirat e tij, por njëkohësisht e kishte të pamundur të ishte një dëshmitar i sinqertë për realitetin. Them se në këtë periudhë tranzicioni, po ravijëzohet një situatë e tillë, ku artisti e ka të domosdoshme të qenit i sinqertë me paraqitjen e realitetit, të dëshmojë atë që dëshiron, dhe njëkohësisht, të ketë hapësirën e nevojshme të lirisë, për të shpalosur dëshirat e tij". Kësaj ideje, kuratori i jep një shpjegim edhe në kuptimin kohor:

"Po t'i imagjinojmë si dy ingranazhe, njëri që lëviz nga e tashmja në të ardhmen dhe tjetri në kah të kundërt, nga e tashmja në të kaluarën, them se kjo dikotomi është në vetvete njësia më e vogël e brendshme e artistit shqiptar në këtë shoqëri". Në Edicionin e 16-të të "Onufrit" dominon piktura, e pas saj videoja. Një grup të rinjsh nga Bolonja konkurrojnë me një video - instalacion, që e realizojnë në ekip në ditët e ekspozitës. Duke shmangur ato që mund të quhen surpriza, kuratori ka menduar për një "Onufër" të thjeshtë që paraqet çfarë ndodh në studiot e artistëve shqiptarë, cilat janë tematikat më të preferuara, gjinitë ku ata shprehen më shumë dhe çfarë përfaqësojnë me artin e tyre.

Në përfundim të punës disa mujore, ku është ndjerë herë euforik dhe herë "në panik", Teferiçi është i kënaqur me prurjet, por ngre zërin për më shumë hapësira ku të ekspozohet arti. "Me këtë rikonstruksion që është bërë në Galerinë Kombëtare të Arteve, është tkurrur hapësira në dispozicion të "Onufrit". Lind si domosdoshmëri nevoja për hapësira të reja",- tha ai. Më 24 dhjetor deri më 4 shkurt në Galerinë e Arteve ekspozojnë punët e tyre rreth 20 artistë. Kriteret për pranimin e punëve në këtë edicion ishin: "Cilësia e Veprës", "Puna të ishte përfaqësuese e momentit aktual të artistit" dhe "Të rrinte mirë me punët e tjera të ekspozitës".



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama