Konkursi i përvitshëm i arteve pamore “Onufri” bën bashkë në një diskutim artistë të arteve pamore dhe ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro
A mendoni se Onufri duhet të vazhdojë, apo një tjetër ngjarje e përvitshme duhet të jetë ngjarja e vitit për artet pamore në Shqipëri?”. Kjo është vetëm një nga një mori pyetjesh në pyetësorin që Ministria e Kulturës ka vënë në dispozicion jo vetëm të artistëve, por të kujtdo që mund të klikojë në këtë website dhe mund të japë mendimin e tij për “Onufrin”. Pas gati dy dekadash jetë, “Onufri” vihet në pikëpyetje nga Ministria e Kulturës. I ngritur si një konkurs ndërkombëtar në kapërcyell të ndryshimeve të sistemit në vend, ai u kthye ndër vite si i vetmi konkurs-ekspozitë nga ku përçoheshin ide, por dhe shihej një tablo e artit bashkëkohor jo vetëm në vend. Shpesh temat e këtij konkursi, tejkalonin atë çfarë mbartte skena e artit në vend. Nga ndërkombëtar ndër vite ai u tkurr në një konkurs kombëtar, megjithatë dhe ky ngushtim nuk mund t’ia hiqte “Onufrit”, atë shijen e mirë të një eventi elitar për vendin. Pyetësori i ministrisë hedh poshtë 20 vjet “Onufër”, me pyetje që do t’i shkonin për shtat një ekspozite lokale, e cila mund të ishte në fillesat e saj. Pyetësori bën pyetje deri në “A duhet të ketë çmime? Në duhet të jetë kombëtar apo ndërkombëtar, për të mbërritur te pyetja që duket se është përgjigjja e këtij pyetësori “A mendoni se Onufri duhet të vazhdojë?”. Këto pyetje vënë në pikëpyetje trofetë e marra në 20 vite Onufër të emrave të njohur të artit në vend, deri te fituesja e edicionit të fundit, Silva Agostini.
Dhe pse ky pyetësor mund të shihet si një formë transparence, ai do të merrte kuptim me çfarëdolloj nisme tjetër jo me “Onufrin”. Edicioni i 21-të i këtij konkursi nuk u realizua sipas traditës së krijuar çdo dhjetor të fundvitit. Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve që janë organizatorët e këtij eventi u shprehën që kanë nevojë për të reflektuar mbi strukturën e këtij konkursi. Pavarësisht reagimeve të artistëve, vendimi për reflektim e hoqi “Onufrin” për herë të parë pas 20 vitesh nga kalendari i aktiviteteve të Galerisë Kombëtare të Arteve. Dje Ministria e Kulturës organizoi një takim të hapur me artistë të artit bashkëkohor, kuratorë dhe përfaqësues të Galerisë së Arteve, për të diskutuar mbi atë çfarë duhet të mbartë kjo ekspozitë konkurs. Pati nga ata që pranuan që menaxhimi ka qenë një ndër problemet e këtij aktiviteti. Por buxhetet e vogla vitet e fundit kanë penalizuar dhe cilësinë. Për Artan Peqinin ka pasur këto vite një rënie të entuziazmit të artistëve. E gjithë pyetja sipas tij është në ka ende energji për ta kthyer “Onufrin” në një ngjarje artistike, duke zgjuar entuziazmin që ka humbur te njerëzit e artit. Pyetja e Peqinit me të drejtë, të kthen te panorama në të cilën është arti pamor në vend. Pas gati 25 vitesh ndryshimesh, Galeria e Arteve vazhdon të shihet si streha e vetme ku mund të ballafaqohen artistët, me gjithë hapjen e galerive të tjera private. Dhe pse ajo duhet të kishte rolin e një Muzeu Arti, i cili mungon në vend, ajo vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes për çdo lëvizje që bën. Kjo për shkak të mundësive të vogla që kanë artistët e artit pamor në vend.
Ndaj kthimi i entuziazmit do të thotë dhe kthim te standardi i merituar i këtij konkursi. Drejtori i Galerisë së Arteve, Artan Shabani, pranon që tradita e “Onufrit” nuk duhet të humbasë në kushtet ku skena e artit është shpesh e vakët. Por ambiciet e Shabanit nuk mund të realizohen pa buxhete. “Duhet marrë parasysh që ministria na thërret “pas pilafit”, kur ka marrë vendimin që “Onufrin” të mos e bëjë. Në fakt, “Onufri 2014″ nuk u bë, pavarësisht që ministrja na thotë që “Onufrin 2014″ e kemi marrë si mundësi analizimi dhe reflektim”. Harron që “Onufri” është ekspozitë ndërkombëtare dhe jo konferencë. Pastaj është e pakuptimtë të diskutohet më tej kur nga GKA ka shkuar kërkesa për të organizuar “Onufrin”, por pa marrë përgjigje prej ministres. E pohoi vetë Artan Shabani. Pra buxheti për Onufrin ka qenë zero”, thotë artisti Romeo Kodra. Për Remijon Pronjën, ministria duhet të shohë dhe shembullin e Kosovës për organizim.
“Duhet t’i japë Galerisë pavarësi të plotë dhe të miratojë që në fillim të vitit fondin për “Onufrin”, në mënyrë që stafi i Galerisë të ketë kohën e nevojshme të bëjë punën e saj”, thotë Pronja. Sipas tij, kuratori i zgjedhur në rast se është i huaj duhet të vijë në Shqipëri shumë kohë më parë çmimit “Onufri” në mënyrë që të ketë kohën e duhur për të bërë hulumtimin dhe të përgatisë një temë që pasqyron situatën në vend. “Ndërkohë dhe thirrjet për këtë konkurs duhet të shpallen të paktën dy muaj më herët. Duhet të sigurohet prodhimi i veprave finaliste, katalog, promovim etj. Ndërsa juria duhet të jetë një juri e vërtetë ndërkombëtare, me personalitete në qarqet ndërkombëtare të artit. Artistit fitues duhet t’i sigurohet një ekspozitë personale në galeri e sponsorizuar nga ky institucion. Dhe këta finalistë ose fituesi duhet të përfaqësojë vendin në aktivitete ndërkombëtare jashtë Shqipërisë.
Pasi në këtë mënyrë do kemi më tepër interes dhe të artistëve tashmë të afirmuar jashtë vendit, për të marrë pjesë te ky konkurs”, thotë Pronja.
Ai e quan pozitiv faktin që “Onufri” bëri bashkë artistët e arteve pamore në një diskutim mbi situatën në të cilën ndodhen edhe pse vonë. “Pozitiv ishte fakti që ka filluar një proces identifikimi i problemeve dhe nevoja për politika kulturore për artin bashkëkohor në tërësi. Jemi në fillime, ndaj dhe shumë pyetje nuk morë përgjigje”, thotë Andi Tepelena.
Konkluzioni i diskutimeve të djeshme dhe ajo çfarë do të përftohet nga pyetësori online, do t’i shërbejë një grupi pune të ngritur me përfaqësues të ministrisë, Galerisë së Arteve dhe Artistë të Pavarur për të përmirësuar statusin e “Onufrit”. Gjatë diskutimeve u shtrua nevoja e caktimit të buxhetit dhe kuratorit që në muajin mars. Vitet e fundit një pjesë e mirë e artistëve fitues nuk janë shpërblyer me shumën përkatëse të çmimit për shkak të mungesës së buxhetit. Vitet e fundit “Onufri” është bërë me shifra minimale çka është reflektuar dhe në performancën e tij. Një nga diskutimet ishte dhe mosha e artistëve pjesëmarrës në këtë konkurs. Në do të jetë për 22-35 vjeç apo do të jetë i hapur për çfarëdolloj moshe. Gjatë këtyre 20 viteve “Onufri” nuk ka pasur një limit moshe për pjesëmarrësit, duke kujtuar që një pjesë e mirë e fituesve të këtij edicioni janë artistë me një përvojë të gjatë jetësore. Ashtu si në vitet e mëparshme, “Onufri” pritet të drejtohet nga Galeria e Arteve, ku ky konkurs-ekspozitë edhe organizohet. Interesante ishte dhe ndërhyrja e artistit nga Kosova Albert Heta, i cili solli një paralelizëm të këtij eventi me konkursin e arteve bashkëkohore që bëhet në Prishtinë “Mulliqi”.