Për zhurmën që ishte bërë për vijueshmërinë e edicionit XXI të “Onufrit”, u zhvillua dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës një takim i hapur mes ministres së Kulturës Mirela Kumbaro dhe artistëve. Sipas Kumaros, qëllimi i vetëm i shtyrjes së këtij eventi ka qenë që edicioni i radhës të ketë një rikonceptim artistik, në mënyrë që në vazhdim të mos diskutohet më si një konkurs i “dështuar”, sikurse ka ndodhur vitet e fundit. Por as dje nuk ndodhi kjo, pasi artistët, ata që duhet të kishin argumente për të mbrojtur zhvillimin e këtij konkursi ishin të paktë. Madje edhe ata që ishin, më së tepërmi i mëshonin faktit, sepse ky event nuk u zhvillua në muajin dhjetor 2014, edhe jo faktit se çfarë duhet bërë që ky konkurs të mos vazhdojë sikurse ka qenë gjatë viteve të fundit. A duhet që edicionet e ardhshme të “Onufrit”, të vazhdojnë me të njëjtin nivel?
“Jemi këtu për t’u dhënë rëndësi artistëve pamorë, për t’i nxitur. Unë jam e gatshme që të dëgjoj të gjithë aktorët. Ne kemi ftuar pakufizim shumë aktorë të këtij zhanri, menaxherë arti, kuratorë, artistë, por mesa duket debati bëhet shumë më i këndshëm, kur është në një rrjet social, se sa kur bëhet fjalë për ambiente të tilla”, tha ndër të tjera Kumbaro. Gjatë bisedës u shtrua edhe pyetja nëse ky event duhet të ishte kombëtar apo ndërkombëtar? Dekani i Fakultetit të Arteve Pamore, Artan Peqini për këtë çështje u shpreh se nuk ka rëndësi nëse ky event do të jetë kombëtar, apo ndërkombëtar, por bërthama që do të prezantojë te publiku. “Nuk besoj se ‘Onufri’ vuan nga menaxhimi, por nga izolimi. Ky aktivitet ka një histori shumë të gjatë. Unë mendoj se ne duhet që të kemi diçka tonën, jo të eksportuar. Duhet që të krijojmë një ngjarje, edhe më pas të kërkojmë publikun”, tha Peqini.
Nga ana tjetër artisti Xhovalin Delia, i cili jeton edhe punon jashtë Shqipërisë, artistët i koncepton të pavarur nga shteti. “Dëgjova se ka një fond për artistë pamorë, por unë mendoj se shteti është ai që është, edhe se ka shumë fëmijë, prandaj duhet parë me shumë kujdes se çfarë destinacioni do të kenë këto lekë, në mënyrë që artistët që kanë nevojë për to, të mos protestojnë. Në konkurse të huaja, secili pjesëmarrës ka një bonsens që të paguajë, edhe kështu fituesi financohet. Në këtë mënyrë artistët vetëfinancohen. Nëse artisti do të pres që të thithë nga shteti mëmë, rruga e tij është e shkurtër”, tha ai. Më tej, Delia tregon se kur një artist i huaj e kishte pyetur se çfarë ndodhte me Bienalen e Tiranës, ai realisht nuk kishte ditur se si t’i përgjigjej.
“Unë nuk e dija realisht se çfarë ndodhte me Bienalen e Tiranës, prandaj edhe nuk munda që t’i përgjigjesha. Dua që të them se jehona do të rritet, nëse ky konkurs do të ketë një përfaqësim ndërkombëtar. Do të ishte shumë provinciale, nëse këtë konkurs e lë kombëtar, do të ishte një mbyllje për artistët shqiptarë. Artistët shqiptarë kurrsesi nuk mundet që të mbijetojnë vetëm me mbështetjen e shtetit, ata duhet që të hapin sytë, mendjen me artin botëror”. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në fund të diskutimit me artistët premtoi se “Onufri” do të vazhdojë, madje edhe emri do të jetë i njëjtë. Ministrja Kumbaro e konsideroi ndërprerjen e edicionit të këtij viti, si një “fazë reflektimi”, duke shtuar se ishte i domosdoshëm, sepse edhe nga artistët shqiptarë kërkohet më shumë kreativitet, edhe pjesëmarrje në gjallërimin e jetës artistike në artet pamore. Gjithashtu ministrja Kumbaro u shpreh se duhej të reflektohet mbi cilësinë dhe energjinë, që duhet të sjellë edicioni i ardhshëm i “Onufrit”, ndërsa theksoi se këtë herë “Onufri” do të zgjerohet e do të kthehet në një event ndërkombëtar.
Artan Shabani: ‘Onufri’, për të gjithë artistët shqiptarë
Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani mendon se në skenat e artit në Shqipëri, qoftë në ato të pavarura, apo edhe në ato shtetërore, duhet të ketë sa më shumë ngjarje të artit bashkëkohor. “GKA për vitin 2015 ka rreth 45 milionë lekë të vjetra për të gjitha aktivitetet. Për ‘Onufrin’ jemi mbledhur në MK, për një dialog të hapur, ku njerëzit të shprehin mendimet e tyre”. Teksa shton më tej se mendimi i tij personal nuk është për ndryshimin e emrit të “Onufrit”. “Nuk është ky problem i ‘Onufrit’, nuk është ky problem i artit në Shqipëri, emri apo mbiemri, problemi është që të ndërtohet një klimë sa më produktive, që të jetë sa më koherente me skenën e artit botëror, pra artistët shqiptarë të kenë një mundësi, që të kalojnë përtej. Vetëm në njëzet edicionet e “Onufrit” kanë kaluar 500 artistë, shqiptarë edhe të huaj”. Sipas Shabanit, artistët që duhet që të marrin pjesë në këtë konkurs nuk ndahen sipas grupmoshës. “Arti është art, edhe u takon të gjithëve”.