Organizata e re quhet “OpenLeaks” dhe do të nisë që të funksionojë në fillim të verës, sipas deklaratave të Herbert Snorrason, një programuesi kompjuterësh islandezë që është përfshirë në këtë projekt. Qëllimi i tij është që të shmangë “ndikimin e një kreu të vetëm të organizatës”. Ky sajt i ri ndryshe nga “Wikipedia” do të luajë rolin e burimit të informacionit për mediat dhe organizatat e ndryshme të të drejtave të njeriut. “OpenLeaks” ka rilindur nga hiri i betejës së ashpër mes Assange dhe një pjesë e ish-bashkëpunëtorëve të fillimit të idesë së “Wikileaks”, të cilët e kanë akuzuar Assange për sjellje të papërgjegjshme dhe të rrezikshme që kanë vënë në rrezik projektin.
Kështu “të larguarit” vendosën që të krijonin, ose të nisnin një projekt të vetin. “Nuk është sekret fakti i mosmarrëveshjeve që kemi pasur me mënyrën e menaxhimit të ‘Wikileaks’ dhe shpresojmë që në pjesën më të madhe të rasteve t’i kemi shmangur problemet tona të dikurshme në këtë krijesë të re”, thotë një nga anëtarët e organizatës së re. Assange ka thënë shpesh që e ka parë në interes të sajtit “Wikileaks” rritjen e imazhit të tij si një figurë publike e sajtit. Sipas tij, kjo strategji bëri që të publikoheshin në gazetat më të mëdha të botës materialet e “Wikileaks”. Por doli se Assange u shndërrua në një histori më vete, përtej asaj të “Wikileaks”. Dhe pikërisht këtu nisën edhe problemet me ish-bashkëpunëtorët e tij.
Edhe pse ata që qëndrojnë pas “OpenLeaks” nuk duan që ta konsiderojnë veten si konkurrentë të Assange, ata nuk kanë qëndruar neutralë ndaj njeriut që, për hir të së vërtetës, mund të thuhet se themeloi një epokë të re të bërjes gazetari. Sajti i ri pjesërisht drejtohet nga Daniel Domscheit-Berg, një programues nga Berlini, i cili ka qenë njëherë e një kohë zëvendësi i Asaange.
Që kur la “Wikileaks”, ai ka punuar për një libër të cilin ka premtuar ta publikojë shumë shpejt, në të cilin ka deklaruar se do të flasë për tensionet e brendshme, financat dhe marrëdhëniet e tij dhe të kolegëve të tjerë me Assange brenda “Wikileaks”. Në një takim të fundit me hakersat në Berlin, Daniel ka deklaruar se “OpenLeaks” do të jetë neutral dhe se nuk do të bazohet në sekrete, sikundër bën “Wikileaks”. “Ata që kërkojnë transparencë nga të tjerët, duhet vetë që të dalin në dritën e diellit dhe jo të fshihen nëpër hije”, deklaron Daniel. “OpenLeaks” nuk është i vetmi sajt i natyrës së “WikiLeaks” që ka nisur të marrë formë tani pas shfaqjes së krijesës së Assange.
Dhjetëra sajte më të vogla, në të cilat shfaqen dokumente “të rrjedhura” me tematikë të specifikuar si mjedisi, apo rajone të veçanta të botës, kanë nisur që të shfaqen muajt e fundit me qëllimin e inkurajimit të njerëzve të guximshëm që kanë nëpër duar fakte që dhunojnë të drejta njerëzore. Ata duan që këta njerëz t’i nxisin në ndërgjegje që t’i publikojnë faktet, në mënyrë që e vërteta të jetë domen i të gjithëve.
Për sa i përket Assange ai u ka deklaruar privatisht gazetarëve se largimi i ish-bashkëpunëtorëve të tij i kishte shkaktuar shumë probleme dhe se për disa kohë ndaloi funksionimin e kompjuterëve të “Wikileaks” dhe procesin e përpunimit të informacionit. Në janar, Assange deklaroi se problemet me “mekanizmat e brendshëm” e kishin bërë të pamundur operativitetin e sajtit me publikun, por ndërkohë sajti vazhdonte që të merrte materiale. Assange e ka pranuar se problemet e mëdha ligjore me të cilat po përballet aktualisht, problemet financiare nga bllokimi që sajti pësoi për shkak të goditjeve që mori nga “Master Card”, apo “Pay Pal”, libri që po shkruan, sepse i duhen paratë për sajtin, kanë bërë që ai të mos përqendrohet shumë tek riparimi i sistemit të sajtit. Por sipas një analisti politik, shndërrimi i Assange në një figurë publike mund ta ketë ndihmuar shumë platformën e “Wikileaks”. Sipas tij, arsyeja sipas së cilës “Wikileaks” ka qenë e aftë që të funksionojë në mënyrë operacionale është se ajo ia ka dalë që të monopolizojë vëmendjen e publikut dhe nëse njerëzve që qëndrojnë pas këtij sajti do t’u ndodhte ndonjë gjë, kjo do të ishte një histori shumë e madhe.
Sfida për “OpenLeaks” dhe të tjerëve që tentojnë të imitojnë “Wikileaks” të Assange është që ta shndërrojnë infrastrukturën e internetit në një vend më të sigurt për përcjelljen e sekreteve.
Sikur asnjë të mos kishte arritur Assange me sajtin e tij, ai të paktën mundi që të tregojë se sa e lehtë është që t’i bësh presion një botuesi edhe në epokën e internetit dhe mbi të gjitha, se sa pak presion duhet për të ngadalësuar një proces transparence. Në fund të vitit të kaluar, sajte të tilla si “Amazon”, “Pay Pal”, “Master Card” si dhe Banka e Zvicrës dhe Posta e Zvicrës vendosën që të ndalonin shërbimet financiare dhe kompjuterike për “Wikileaks”.
Kjo pas publikimit nga ana e saj të dokumenteve diplomatike. Në lidhje me sfida të tilla, në një takim me disa gazetarë, një javë më parë Assange e krahasoi përpjekjen e “Wikileaks” me ato të afro-amerikanëve që kërkonin të drejtat dhe liritë e tyre në vitet ‘50 apo me protestat që kërkonin dhënie fund të luftës në Vietnam, në vitet ‘60 e deri te lëvizjet feministe të dikurshme e ato ambientaliste të sotme. “Sfida e kohës sonë është interneti”, ka deklaruar Assange.