Opera dhe lexime nga Ismail Kadare ne Hadrianopol

Opera dhe lexime nga Ismail Kadare ne Hadrianopol
Pjesë ariesh të njohura dhe lexime nga veprat e Kadaresë. Ky do të jetë programi i aktivitetit që do të zhvillohet më 15 shtator, ora 17.00 në Teatrin e Hadrianopolit. Mbrëmja muzikore, me titull “Në gjurmët e Adrianit 2012″ e shoqatës “Arena Sferisterio” është zgjedhur të zhvillohet në teatrin antik ku prej shtatë vitesh punon një mision arkeologjik i Universitetit të Macerata-s drejtuar nga Profesor Roberto Perna.

Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë ministri i Kulturës Aldo Bumçi, këshilltari për Kulturën pranë Kryeministrit Neritan Ceka, drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Fulvia Veneziani si dhe arkeologët italianë të përfshirë në misionet e Hadrianopolit dhe Finiqit.

Krahas arieve të njohura të operave (“Bohem”, “Karmen”, “Dasma e Figaros”, “Don Xhovani”, “Turandot”) do të interpretohen edhe pjesë të njohura shqiptare si “Lule Borë”, “Për ty Atdhe” nga baritoni Gëzim Myshketa dhe nga sopranoja Aurora Tirotta. Kuarteti i Harqeve të RTSH-së do të shoqërojë muzikantët italianë dhe do të luajë pjesët “Bilbili” dhe “Fjalët e qiririt”. Pas muzikës do të vijohet me leximin e dy pjesëve nga veprat e Ismail Kadaresë “Kronikë në gur” dhe “Dantja i pashmangshëm”, si një homazh ndaj qytetit të Gjirokastrës dhe poetit më të famshëm italian. Regjisor i kësaj shfaqjeje do të jetë Francesco Micheli, drejtor artistik i grupit Sferisterio të Macerata-s, i cili, i prekur nga bukuria e këtij vendi, ka dashur shumë të realizojë këtu një nga veprat e tij.

“Në gjurmët e Adrianit 2012″ do të kthejë muzikën dhe vallet në skenën e magjishme të teatrit të qytetit antik të Hadrianopolit, ku do të mund të vihen në pah rezultatet e gërmimeve të fundit, si dhe restaurimet e teatrit, realizuar falë Projektit REBED financuar nga Rajoni Marche dhe bashkërenduar nga Universiteti i Macerata-s, me pjesëmarrjen e Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë dhe në Gjirokastër. Aktivitetit do t’i paraprijë një vizitë në Parkun e Butrintit dhe Finiqit gjatë ditës së nesërme për të shkuar në datën 15 në Parkun e Antigonesë dhe Hadrianopolit. Fundjava “arkeologjike” do të përmbyllet të dielën më 16 shtator, me ndalesën në Bylis.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama