Opera per nje muaj

Opera per nje muaj
Një natë në prag të premierës "Përrallat e Hofmanit" në TKOB. Solistët, dirigjenti dhe regjisori tregojnë për vështirësitë e punës me veprën muzikore të Offenbach-ut. Kostot e një shfaqjeje të realizuar shpejt.

Në dukje, skena është e vetmja hapësirë e qetë e Teatrit të Operës këto ditë. Aty marrin fund bisedat në gjuhët angleze, italiane, franceze, greke, që dëgjohen nëpër shkallë nga artistët e huaj teksa hyjnë e dalin, tek interpretojnë me plot zërin copëza si të ishin në skenë, të këmbejnë me njëri-tjetrin ndonjë përshtypje për personazhe, interpretimin, muzikën, kostumet që nuk kanë ardhur ende nga Roma.

Po përgatitet "Përrallat e Hofmanit" me muzikë të Jacques Offenbach (1819-1880) dhe libret të Jules&Pierre Barbier, premiera që hap sezonin në datat më 1 tetor dhe vazhdon më 3-7 tetor, ora 19.00 në Teatrin e Operës dhe Baletit.

Të shtunën mbrëma, regjisori Stephane Roche, tek po përgatiste tri aktet e operës me këngëtarët lirikë, dirigjentin, pianisten, komunikonte qetësisht me artistët, i shoqëronte si në pjesët muzikore dhe në interpretim.

Bageta

André Bernard, dirigjenti francez qe i lehtësuar nga pesha e përditshme e drejtimit të orkestrës dhe punonte pjesë të vogla me solistët për artikulimin korrekt të frazës, pjesëve delikate, për mbajtjen e rimit. Bernard, me karrierë 40-vjeçare në Francë dhe përtej saj, në Amerikën Latine, Meksikë, Spanjë, Itali, Japoni e gjykon të vështirë muzikën e Offenbach-ut. Në tri akte ka ndryshime të shpeshta të ritmit, kohëve, gjendjeve. Ndryshime me të cilat duhet të ecin paralelisht kori, këngëtarët, orkestra. Sipas dirigjentit francez orkestra shqiptare ka një nivel të mirë, por në këtë rast i duhej shumë impenjim për t'u përballur me një vepër të vështirë e të panjohur si e Offenbach-ut.

"Orkestra nuk e ka luajtur këtë pjesë më parë dhe ne e filluam punën që nga leximi fillestar i veprës. Kishim të njëjtin problem me këngëtarët se përveç Inva Mulës që e ka kënduar edhe më parë këtë opera dhe dy këngëtarët francezë, Nicolas Cavallier-it dhe Luca Lombardos, pjesa tjetër nuk e njohin mirë gjuhën".

Regjia e Roche-it

Rolet kyçe të operës "Përrallat e Hofmanit" i ka marrë përsipër ekipi i ardhur nga Franca, i ftuar nga sopranoja Inva Mula që interpreton opera në skenën e TOB-it, pas afro dy dekadash.

Regjia është e Stephane Roche, që prej 13 vjetësh punon në Teatrin e Operës së Tuluzit. Kur Teatri i Operës e prezantoi për herë të parë për mediat këtë premierë, Roche, i cili e ka vënë në skenë veprën edhe herë tjetër, u shpreh: "Po bëj një operë duke e përshtatur për skenën shqiptare."

Ofenbach e shkroi muzikën në vitet e fundit të jetës. Ai vdiq në provat të vënies në skenë, pa mundur të shohë rezultatin. Ekzistojnë variante të ndryshme të operës, kështu që muzika e libreti i japin liri të plotë një regjisori. Roche ka ndryshuar finalen e veprës, duke dashur t'i japë frymë më shpresëdhënëse dramës së Hofmanit.

Ky personazh qendror, poet që e do jetën, i pëlqen të rendë në aventura dhe të dashurohet. Në të njëjtën kohë ai i ka frikë gratë dhe dashurinë.

Ndryshe nga realizimi që ka bërë në vendin e tij në Francë, regjisori nuk e lë Hofmanin të fundoset, i lëshon një sinjal drite labirintin ku është futur.

Ka tri gra në jetën e tij, Olimpia, Antonia dhe Xhulieta. E para një kukull mekanike, pa mish e kocka, e krijuar nga mendja e shpikësit Spalanxani, e dyta një këngëtare e talentuar por e sëmurë me tuberkuloz dhe gruaja e tretë, një kurtizane e pashpirt. Ka shumë njerëz të ligj që i dalin kundër Hofmanit në përpjekje për të gjetur lumturinë me të tri gratë, një djall me katër fytyra, herë i quajtur Lindorf, herë Kopelius, Dapertuto, Miraklë (karaktere që interpretohen nga bas-baritoni francez Luca Lombardo dy netët e para, nga këngëtari shqiptar Armando Likaj, më 5 dhe 7 tetor). Hofmani ka në krah një njeri të besuar dhe një muzë, dy role që interpretohen nga mexo-sopranoja Vikena Kamenica.

Zërat

Të tri rolet e heroinave (Olimpia, Antonia, Xhulieta) interpretohen nga sopranoja Inva Mula në dy netët e para dhe në dy të tjerat nga sopranoja greke Niki Chaziraki (Olimpia), Dorina Selimaj, Emiljana Palushaj (Antonia) dhe Eriona Gjyzeli (Xhulieta).

Chaziraki ka dy ditë që ka mbërritur në Tiranë. Është e re dhe ka përvojë të shkurtër si soprano lirike në Vjenë, Athinë.

"Olimpia është një personazh i vështirë për t'u interpretuar, por është për zërin tim dhe arrij ta realizoj. Vështirësia qëndron te kalimet e gjendjeve nga kukull në njeri. Duhet punë dhe me plastikën" thotë sopranoja 32-vjeçare.

Ndryshe nga kolegia, mexosopranoja Kamenica i kushton më tepër vëmendje vokalit sepse duhet të shfaqë dy stile të ndryshme të kënduari të dy personazheve po aq të ndryshëm, njëri real, tjetri hyjnor. E gjitha është për Kamenicën "vepër shumë e bukur, produksion i madh dhe ndjej shumë përgjegjësi".

Heroina e historisë së tretë të Offenbach-ut interpretohet nga Eriona Gjyzeli. Sopranoja e ka përfunduar punën me rolin prej një jave, e tani i duhet ta rifreskojë. Puna me regjisori i jep qetësi. "Më vjen mirë që gjithë këtyre ditëve jam përfshirë në një proces pune me rëndësi dhe kam patur një kontakt direkt me Inva Mulën. Regjisori është konkret, praktik dhe i mirëkuptueshëm" pohon Gjyzeli.

Më pak tension duket në kampin e zërave frëng. Tenori Luca Lombardo i ftuar për rolin e Hofmanit dhe bas-baritoni Nicolas Cavallier (Lindorf, Kopelius, Dapertuto, Miraklë) e kanë interpretuar edhe më parë këtë operë. "Interpretoj katër karaktere, të gjithë të ndryshëm. Janë djaj që i zënë rrugën Hofmanit. Lindorfi dhe Kopeliusi janë komikë dhe muzika e shkruar për ta ka nota të ulëta, ndonjëherë disi të larta. Kurse, Miraklë dhe Dapertuto, janë më shumë pjesë të shkruara për bariton, janë dramatikë. Po për mua është po njësoj. Aktori duhet t'i realizojë të gjitha karakteret" shprehet Cavallieri. Ai thotë se ndodhet në Tiranë për shkak të miqësisë me sopranon Inva Mula. Ka kënduar me të vitin e kaluar në operën "Mireille" të Charles Gounod-së, në Operën e Parisit.

Kurse Lombardo ka interpretuar Hofmanin e "Përrallave..." kur Mula këndonte Antonian, asaj here në Operën e Bastijës. "Hofmani është rol i kompletuar. Duhen tri zëra të ndryshëm, ka pjesë lirike, dramatike, të lehta. Personazhi vetë është kompleks, herë ëndërrimtar, herë poet, e herë tjetër i çmendur" tregon Lombardo.

Shpejt, shpejt

Na ndajnë edhe katër ditë nga premiera dhe kostumet e Sartoria Arrigo-s nga Milano nuk kanë ardhur akoma. Stephane Roche nuk ndihet i kënaqur me kohën që ka pasur në dispozicion: 20 ditë. Një vit kohë i kërkon në Francë regjia e një opere.

"Në Francë na duhen 6 muaj vetëm për të ngritur skenën, këtu 20 ditë për të gjithë operën. Por, është një atmosferë e mirë, e ngrohtë edhe kjo është e nevojshme", shpjegon Roche.

Skenografi Nicolas de Lajartre, po ashtu, thotë se nuk po arrin të realizojë siç duhet skenografinë që ka projektuar në mend. Ai bashkë me regjisorin mendon se do të ketë vetëm një skenë, të thjeshtë, të ngrohtë që të largon pak nga skenografitë madhështore të operave të '900-ës. Ai kishte nevojë për të bashkëpunuar edhe me një piktor, kishte nevojë për më tepër kohë, më tepër profesionalizëm nga bashkëpunëtorët. Me gjithë pretendimet e drejta të artistëve, puna për "Përrallat e Hofmanit" është drejt fundit, biletat e dy netëve të para janë shitur dhe opera do të shfaqet sido që të jetë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama