Opinion / Tani te gjithe duan te hipin ne autobusin e De Biazit!

Opinion / Tani të gjithë duan të hipin në autobusin e De Biazit!

GËZIM SINEMATI

Ju kujtohet një frazë disi e veçantë, kur gara ende nuk kishte filluar? Futbolli do të prishë gardhet që ka ngritur politika dhe topi do të jetë simboli i lirisë. Por, një serial ndeshjesh zbuloi të kundërtën: edhe futbolli kishte ngritur gardhet e veta duke e ruajtur portën me një fanatizëm lodhës.

13495056_1160338617352316_1509089963777101119_n

Mendja të shkonte te një anekdotë, të cilën e morëm me të qeshur. Në një dyqan mode, ku po shitej një mall special, ishte krijuar radhë e madhe. Klientët ishin të gjithë të njohur dhe të famshëm në vendet e tyre... shumica e trajnerëve të ekipeve pjesëmarrës në Francë. Secili do të blinte "autobusin" (simbolikë për lojën në mbrojtje) që porta të mbetej me shenjën e virgjëreshës.

Edhe trajneri ynë, De Biazi, mori një fringo, për të cilin më shumë ndolli kritika dhe dyshime, sesa urime. Një palë komentonte se ishte aq i madh, saqë do të mbulonte tërë portën. Ca të tjerë dyshonin se ishte i bukur nga jashtë, por nuk i ndizej motori për të lëvizur përpara.

Ajo që ndodhi në fushë, në fillim me Zvicrën dhe pastaj me Francën, ishte një përgjigje e trajnerit për të gjithë ne që dyshuam.Edhe pse me dy humbje, në një Europian të dënuar nga pragmatizmi i tepruar, Shqipëria e kishte kapërcyer limitin. Aventura e saj do të bëhej më e plotë nëse flirtonte me golin dhe pastaj me pikët. Ajo që ndodhi me Rumaninë duket si skenar i një filmi me fillim të frikshëm, por me fund të lumtur. Cili nga ne, në 20 apo 25 minutat e para nuk ishte gati të "digjte autobusin" e trajnerit De Biazi?

Pasi kemi mundur Rumaninë, me një gol tepër të çmuar të Sadikut, ku euforia nuk na lejon të kujtojmë edhe daljen bamirëse të portierit rumun, kemi kuptuar se shënuam golin e jetës. Një gol në portën e historisë, për një ekip të djegur për lavdi të vërtetë. Vlen 3 pikë, që në këtë kompeticion çmohet si pasuri, mund të jetë i bekuar nëse na ndihmon Zoti të zgjidhim ekuacionin sfilitës të grupeve.

Por, sido që të shkojë,De Biazi me autobusin e tij ka shkuar përtej stacionit të parashikuar. Nuk do të tregoheshim të sinqertë nëse s'do të pranonim se trajneri ka fituar bastin edhe brenda familjes. Pak besonin që kapiteni Cana s'do të ishte në ndeshjen e fundit dhe askush nuk besonte se De Biazi, për të cilin u tha se mori dhuratë kualifikimin nga zyrtarët, do t'u kthente borxhin shefave me një përqindje tepër joshëse.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama