Këto ditë Europiani se ku kam lexuar, madje m'u mbush mendja, se historia nuk rishkruhet, por gjithsesi mund ta plotësosh me ndonjë kapitull të ri. Ne e bëmë këtë me përfaqësuesen, pra i plotësuam fletët e bardha që kishim në dispozicion, duke u kthyer në shtëpi me kokën lart. Madje aq lart, sa për të riparë zinxhirin e pantallonave duhej tender.
Me një kostum "shik", që i mahniti të gjithë pjesëmarrësit, uniformë sportive nga më të shtrenjtat, hotel fshati i rrethuar me yje, përpara dhe prapa dhe në fund një Kombëtare më shumë se dinjitoze. Kur u kthyem në shtëpi, na pëlqeu ta quanim veten fabula e 240-të e La Fontenit, por çfarë gjetëm këtu me atë kostumin firmato, kur hymë zyrë më zyrë, diku për të marrë një çelës dhe diku një pasaportë? Të njëjtin llum që lamë edhe më përpara se De Biazi të ishte më pak mbret se Ahmet Zogu.
Skuadra kampione e Shqipërisë u dënua nga UEFA. Dallavere që tani u thonë me delikatesë trukime dhe kjo histori kishte filluar përpara se Kombëtarja të fillonte të stilohej. Na u tha se ishte thjesht një marrëzi, se gjithçka do të sqarohej, se do të jemi më të fortë se kurrë, por në fund fare rezultoi se ishte thjesht një vjedhje pa maska. Një gjë është e sigurt, në këtë territor të kufizuar, që gjatë periudhës së kampionatit mund ta përshkosh edhe në këmbë, kemi gjithçka... kostume firmato po e po, puro kubane, arrogancë VIP-ash, por ndershmëri jo.
Ndërkohë që këtu purot janë që të bëjnë të ngrihesh në këmbë përpara pirësit, madje edhe të përulesh me mirënjohje, të huajt këtë paraqitje pompoze nuk e vlerësokan edhe aq shumë dhe e dhanë verdiktin e tyre: "Fuck you!". Po bashkia e atij qyteti të mrekullueshëm (ku thuhet se janë bërë sfilata mode që në atë mot kur vetëm një minorancë shqiptarësh dinin të shkruanin, madje nga e djathta në të majtë dhe jo me germa latine), si mund të krenohet me disa mashtrues, por vetëm disa, pasi pjesa më e mirë e atyre që janë veshur bardhekuq në këtë gjysmë dekade ishin me integritet. Filo, Peleshi, Bode, dreqi dhe i biri që u bënë personazhe në shkallët e stadiumit, që edhe kur gëzoheshin për një gol, dukeshin si fodullë, sipas një vendimi të UEFA-s morën të njëjtin vlerësim: "Fuck you!".
Po kur bëjnë edhe ndere. Skënderbeu i ka dhënë borxh Kukësit, vetëm për ndeshjet e Europa League, dy nga futbollistët më të spikatur të kampionatit shqiptar, Lilajn dhe Latifin. Pikërisht Kukësit të Safetit, këtij që është ankuar kaq shumë se Skënderbeu paska suport nga federata dhe për këtë arsye e ka pasur të pamundur ta çojë një kampionat në verilindje gjatë kohës së "mbretërimit" të tij. Gjici, i cili ka vite që mallkon ata që këtë muaj i bëri ortakë e meriton t'i çosh në vëmendje atë "f...", që UEFA u ka dërguar ortakëve të rinj.
Ndërsa drejtuesi i Skënderbeut, jo Filo, ky tjetri, ka vendosur që të mos i japë asnjë futbollist Partizanit, për ta ndihmuar në Champions League. Madje as punëtorin e fushës nuk do ta lëshojë me parametra zero, megjithëse thuhet se klubi i kuq ka pajtuar Moxhin për ta bindur që të vijë në kryeqytet. Këta bijtë e mëkatit kanë guximin të fyejnë Partizanin, me 15 kampionate të fituara dhe 15 kupa të Shqipërisë dhe me një plejadë futbollistësh nga më të mëdhenjtë. Tentojnë të fyejnë një histori futbolli, e tipit "bless you".
Dhe, në fund të kësaj historie, doli në ekranet e televizioneve një jurist i FSHF-së, të cilit i kishin dhënë të lexonte disa fjali dhe për të qenë i sigurt germëzonte çdo fjalë. Ky zotëria na dha të kuptonim se drejtuesit e Skënderbeut ishin mpleksur me ca pisllëqe jashtë vendit, ndërsa në kampionatin tonë që e organizon Duka, gjithçka ka qenë e pastër.
Dhe, në fund, pyetja retorike: Pse këmbëngulni për një tjetër dënim? Po UEFA, mor vllai tim, që përpara se të merrje titullin jurist presupozohet që ke lexuar nja 35 kilogramë libra, ka dënuar kampionët e vendit, ata që na bënë krenarë përpara se Kombëtarja të bënte të pabërat. Jemi dënuar ne të gjithë, është dënuar skuadra, është dënuar e gjithë Shqipëria e futbollit... "Fuck you too!".