Të gjithë në mbështetje të Sali Berishës. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ka bojkotuar sot të gjitha mbledhjet e Komisioneve Parlamentare në Kuvend, në përputhje me vendimin e marrë në shenjë proteste për përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha nga punimet e Kuvendit.
Deputetët e PD-së nuk ishin të pranishëm paraditen e sotme në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe as në Komisionin e Ligjeve.
Në seancën parlamentare të ditës së enjte që shkoi, Byroja e Kuvendit ka pezulluar për një afat 10 ditor deputetin e Partisë Demokratike Berisha, pasi ky i fundit përdori fjalë fyese gjatë seancës plenare kundrejt Ministrit Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij.
Po atë ditë, kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, njoftoi për mediet bojkotimin e seancave parlamentare dhe të mbledhjeve në Komisionet Parlamentare në Kuvend deri në një njoftim të dytë.