Opozita braktis seancen Meta Nuk e merrni dot peng funksionimin e Parlamentit

Opozita braktis seancen, Meta: Nuk e merrni dot peng funksionimin e Parlamentit

Kuvendi nisi sot rreth orës 11:00 seancën e radhës plenare në qendër të të cilës ishte replika mes ish-kryetares Jozefina Topalli dhe kreut aktual të Kuvendit Ilir Meta.
Topalli-Metës: Të enjten mbylle dyert e kuvendit pa pyetur opozitën, po shkel ligjin
Topalli e ka akuzuar Metën se ka shkelur ligjin dhe kushtetutën duke mbyllur dyert e Kuvendit ditën e enjte pa marrë pëlqimin e opozitës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të kuvendit, Meta i cili i është përgjigjur se nëse kanë ndonjë ankesë ndaj tij duhet të bëjnë mocion për shkarkimin e tij, ndërsa ka ironizuar me grupin e PD duke shtuar se nuk mund ta mblidhte parlamentin në një ditë kur nuk ishte Berisha.

Meta-opozitës: Nuk e merrni dot peng funksionimin e Parlamentit

Duke debatuar mbi këtë çështje deputetët e opozitës kanë akuzuar qeverinë për shkelje të njëpasnjëshme të ligjit dhe kushtetutës çka sipas tyre po vë seriozisht në rrezik statusin e vendit kandidat në muajin qershor. Në një moment ata janë ngritur të gjithë në këmbë pranë foltores duke protestuar, çka ka sjellë edhe reagimin e kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Ai e ka akuzuar opozitën se po kërkon të marrë peng funksionimin e parlamentit, gjë që sipas tij nuk kanë për ta bërë dot.

“Ju keni ardhur këtu për të prishur seancën. Për të abuzuar me tolerancën maksimale sepse keni dy orë që flisni në kundërshtim me rregulloren. Unë do të vazhdojë me çështjen e dytë të rendit të ditës dhe ju keni të drejtën tuaj të veproni si të doni. Nuk e merrni dot peng funksionimin e Kuvendit sado që të flisni për Kushtetutën dhe rregulloren”, tha Meta.

Opozita braktis seancën, Paloka: Nuk është bojkot, do jemi në parlament për të diskutuar

Pas debateve dhe protestës se zhvilluar brenda kuvendit, deputetët e opozitës janë larguar nga seanca e sotme plenare. Duke folur per mediat jashte parlamentit, kreu i grupit demokrat Edi Paloka u shpreh se ky largim i opozites nuk do te thote bojkot. Sipas tij reagimi i opozites ndaj shkeljeve te njepasnjeshme te kushtetutes nga qeveria do te rriten dhe mazhoranca e sotme do te perballet shume shpejt me pasojat e zemërimit te qytetarëve.


“Kur shkelet kushtetuta e ligjet kuptoni se çfarë mund të presin shqiptarët nga ky parlament. Sigurisht. protesta e qytetarëve ka nisur për arsyet e tyre, për reagim ndaj veprimeve që po ndërmerr kjo mazhorancë dhe mesa shihet vetëm do të rritet. Këta do të jenë të detyruar të përballen me pasojat”, tha Paloka.

Rama interpelancë në Kuvend për rendin dhe sigurinë


Kryeministri Edi Rama do të jetë në interpelancë ditën e sotme në Kuvend në lidhje me sigurinë dhe rendin në vend.
Në seancën e sotme plenare gjithashtu janë parashikuar të shqyrtohet edhe disa projektligje të rëndësishme siç është ai i amnistisë që do të përfitojnë të dënuarit deri në 3 vjet burg si dhe pr/ligji për disa shtesa dhe ndryshime në “Kodin e Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”.

Në rend të ditës:


Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e privilegjeve dhe imuniteteve të autoritetit ndërkombëtar të shtratit të detit”.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”. (shumicë e cilësuar)
Projektligji “Për dhënie amnistie”. (shumicë e cilësuar)
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën”. (shumicë e thjeshtë) (vazhdon shqyrtimi në komision) 3
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Evropiane (EUROPOL) për bashkëpunimin strategjik dhe operacional”. (shumicë e thjeshtë)
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, date 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve” të ndryshuar”. (shumicë e thjeshtë)
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.032, date 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”. (shumicë e thjeshtë)
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” të ndryshuar”. (shumicë e thjeshtë)
Projektvendim “Për shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.138/2013 “Për burimet e energjisë së rinovueshme”.
Interpelancë me kryeministrin kërkuar nga deputetja Jozefina Topalli lidhur me sigurinë dhe rendin publik.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama