PRISHTINË, 16 Tetor/ATSH/.- Ish ministri i jashtëm i Shqipërisë, deputet i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi i dënoi aktet e dhunshme të ndodhura së fundmi në Parlamentin e Kosovës, nga opozita kosovare.
Në një intervistë për Kosovapress ai thotë se opozita nuk duhet të përdor instrumente të tilla të dhunshme, për të kundërshtuar marrëveshje apo ligje me të cilat nuk është dakord, pasi situata të tilla krijojnë kaos edhe jashtë Parlamentit, në rrugë mes qytetarëve, dhe janë veprime që mund të shkaktojnë përplasje fizike civile.
Lidhur me kauzën që ngre opozita për kundërshtimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe, Bumçi thotë se Kosova nuk mund t'i shmanget negociatave me Serbinë, dhe nëse ka qëndrime që duhet të sqarohen më shumë në publik le të bëhen, por përmes një fushate më të mirë informimi, përmes diskutimit, jo me dhunë por me instrumente të tjera jo ligjore.
Ai shton se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nuk është një proces i lehtë, por i domosdoshëm, dhe se ajo çka po bën opozita në Kosovë është kundër interesit të vetë shtetit të Kosovës.
Tre seancat e fundit në Kuvendin e Kosovës nuk janë zhvilluar për shkak të tymnajës që kanë shkaktuar deputetët e opozitës, duke hedhur vezë dhe gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit. Ata i kërkojnë qeverisë që të heqë dorë nga marrëveshja për funksionimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë./m.m/