Optimizmin e ministrit pacim!

Optimizmin e ministrit paçim!
Gjatë gjithë muajit pas skandalit me veprat e vjedhura të Vangjush Mios dhe blofet qesharake nëpër të cilat kaloi hetimi i këtij rasti, Ministri i Kulturës Aldo Bumçi qenka konsultuar dhe dje doli në një përfundim që e bëri publik. Është i nevojshëm një inspektim i përgjithshëm në muzetë dhe galeritë e vendit që do të bëhet nga Komisioni Shtetëror i Muzeve. Paralelisht, ky komision në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Muzeun Historik Kombëtar po punon për një reformë ligjore në fushën e muzeve.

I nënshtrohen inspektimit rreth 50 muze dhe galeri në të gjithë vendin të cilat janë nën administrimin e bashkive dhe komunave. Ndërsa në një perspektivë më afatgjatë për administrimin dhe ruajtjen e këtyre fondeve Bumçi shikon reformën ligjore. Sipas një ligji të ri për muzetë, do të ishte Komisioni Shtetëror i Muzeve ai që do të ushtronte gjithë autoritetin ligjor për të kontrolluar dhe penalizuar deri në mbylljen e muzeve lokalë, nëse nuk përmbushin kushtet e sigurisë për mirëmbajtjen e fondit që kanë dhe për transferimin e këtij fondi në një ambient tjetër deri sa pushteti vendor të plotësojë kushtet e nevojshme. “Por nëse pushteti vendor nuk do të reagojë, ne do të marrim masat ekstreme deri në mbylljen e muzeve dhe në marrjen në mbrojtje të fondit përkatës”, u shpreh Ministri Bumçi.

Si do të veprohet për galerinë e Korçës që si gjithë të tjerat është në varësinë e bashkisë së qytetit përkatës? Në çfarë përfundimesh del Bumçi? Përderisa hetimet nuk provuan grabitje me dhunë të 60 veprave të artit, ngjarja në Galerinë “Guri Madhi” duhet parë si një rast i pastër keqadministrimi i fondeve. “Kemi një objekt të administruar nga pushteti vendor ku dalin probleme të cilat mund janë të trashëguara kushedi prej sa kohësh. Si rast trafikimi i veprave të artit është bashkëpunuar me Ministrinë e Rendit, Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit”, shton Bumçi.

Me gjithë vullnetin që tregon ministri, asnjë ligj nuk do ta përligjte nismën e MTKRS-së. “Sot Komiteti Qendror i Muzeve nuk ka asnjë atribut për të shkuar dhe për të mbyllur galeritë në Korçë, nuk ka të drejtë të vendosë penalitete apo ta marrë nën administrim ato vepra arti deri sa Bashkia e Korçës të bindet që duhet të investojë në këtë trashëgimi të paçmuar”, thotë Bumçi. Prandaj, për sa kohë propozimet për ndryshime në ligjin “Për Muzetë” të bëhen realitet, kryetarët e bashkive do të vazhdojnë të kenë kompetenca me të gjitha të drejtat që u njeh ligji që të administrojnë jo vetëm rrugët, ndërtesat, qendrat shëndetësore dhe shkollat, po edhe galeritë e artit. Këto ndryshime ligjore do të përgatiten gjatë muajt gusht dhe në shtator, gjithnjë sipas parashikimeve të Bumçit, t’i propozohen për miratim Parlamentit. Madje ministri është aq optimist sa të pohojë se në fillim të sezonit të vjeshtës do të ketë një situatë të re që do t’i lejojë Ministrisë të drejtën e kontrollit në galeritë dhe muzetë lokalë.

Në Shqipëri, hartimi i ligjeve të reja apo ndryshimi i tyre janë burokracia vetë. MTKRS i ka përvojat se sa kohë, me vite, merr hartimi i një kuadri ligjor. Kështu që deklaratës së Bumçit për të vënë rregull me themeli si zonja e mirë ditën e diel me punët e shtëpisë,  i rri me vend shprehja e urtë: Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama