Njëzetetre prilli është kthyer në ditë simbol për letërsinë botërore, sepse në këtë datë dhe në të njëjtin vit, 1616, vdiqën Servantesi, Shekspiri dhe Inca Garcilaso de la Vega. Është edhe dita e lindjes e autorëve Maurice Druon, Vladimir Nabokov, etj.
Për këtë arsye, UNESCO ia ka kushtuar këtë ditë librit dhe autorëve, të drejtës së autorit, duke inkurajuar sidomos të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit, për të rinjohur e respektuar kontributin e atyre që kanë çuar përpara progresin kulturor dhe social të njerëzimit.
Ky është me pak fjalë "programi" bazë i UNESCO-s, sugjerimi i saj që gjen zbatim me politika të veçanta në gjithë botën.
Autorë, botues, mësues, qytetarë, institucione private, media, shoqata të botuesve dhe të librarëve janë faktorë herë aktivë e herë pritës, të cilëve mund t\'u matet pulsi për një rol të librit jo vetëm në zhvillimin e edukimit dhe arsimimit të tjetrit, si një e drejtë njerëzore, por në krijimin e vetëdijes dhe qytetarit të pavarur.
Çfarë janë këto që duken si politika ditore më 23 prill? Janë aktivitete që finalizohen këtë ditë në formën e maratonave të leximit, e takimeve me autorë, ekspozitave për artin dhe librin, konkurseve të leximit me nxënësit e shkollave, panaireve të librit, seminareve për të drejtën e autorit (UNESCO sugjeron më shumë vëmendje edhe për industrinë e kulturës, sektorin audiovizual).
Britania e festoi në mars Ditën Botërore të Librit. U shpërndanë 13 milionë libra dhuratë në shkolla dhe tek parashkollorët.
Në vende si Australia, Luksemburgu, Meksika (qeveria meksikane ka marrë përsipër organizimin e aktiviteteve, sot, në të 572 bibliotekat publike) Andorra, Nigeria, Kolumbia, Bosnjë-Hercegovina, Pakistani, Kanadaja, India, Spanja, Algjeria, Tunizia, etj., premtohet që dita e librit të ketë natyrë festive.
Në Shqipëri (Tiranë) ka një aktivitet në Bibliotekën Kombëtare, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, "100 vjet Indro Montanelli". I ftuar nderi është Sandro Gerbi, takimi me të cilin ka për temë "Montanelli, në njëqindvjetorin e lindjes, akoma ngjall diskutime".
Ambasada e Spanjës organizon "Dita e letërsisë spanjolle". Pavarësisht se ambasada thotë se i bënë kremtimet sipas traditës spanjolle që nga Mesjeta për këtë ditë, nuk dhurohen as libra, as trëndafila.
Do të bëhet një lexim i dytë publik i Don Kishotit në orën 12.00, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, duke kremtuar në këtë mënyrë edhe krijimin e departamentit të ri të Studimeve Hispanike", si një hap themelor për njohjen e gjuhës dhe letërsisë spanjolle në Shqipëri." Jepet edhe Çmimi për Tregimin e Shkurtër "Don Kishoti i Mançës", edicioni II.
Prezantohet në spanjisht romani "Lëkura e qenit", i Fatos Kongolit, në prani të përkthyesit Ramón Sánchez Lizarralde. Përkthyesi i karrierës për letërsinë shqipe në spanjishte ndodhet sot në Tiranë edhe për librin "Shqipëria në pasqyrën e letërsisë", botuar shqip më 2008-ën.
Janë shënime letrare dhe kujtime nga udhëtimet e tij në Shqipëri të Lizarralde-s, përkthyes i Ismail Kadaresë, Mitrush Kutelit, Bashkim Shehut, Mimoza Ahmetit, Ervin Hatibit, Agron Tufës, Fatos Kongolit, Gentian Çoçolit. Si mirënjohje për këtë kontribut, ambasadori i Spanjës do t\'i vendosë dekoratën e Meritës Civile të Spanjës, që Qeveria e Spanjës i ka dhënë autorit.
Ambasada e Spanjës njofton gjithashtu se, "përgjatë ditës, kushdo që do të dëshirojë të vijë te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, do të gjejë njëkohësisht stenda, në të cilat shtëpitë botuese shqiptare do të vënë në dispozicion për publikun e interesuar vepra të letërsisë spanjolle të përkthyera në shqip."
Dita Ndërkombëtare e Librit në Tiranë festohet e përçarë në institucione, ku ambasadat bëjnë politikat e vendeve që përfaqësojnë, kurse Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, fle. Asnjë lajm për çmimin "Lumo Skëndo", çmim që MTKRS-ja jepte çdo 23 prill.
Aty nga ora 18.00 ministria fton mediat "për ekspozitën e Lasgush Poradecit". Edhe për këtë aktivitet, ministria nuk ka ndonjë meritë, sepse ofron vetëm mjediset, siç bën ngaherë, duke i kthyer ato mjedise në vende të mbyllura, të paajrosura nga erërat e proshutës dhe byreçkave që fryjnë bulçitë e atyre që Ministria e Kulturës i do për solidaritetin e hiçit.
E duke qenë se ministri i ri i Kulturës ka mbështetjen e shumicës (nëse mund të quhet mbështetje ajo që vjen nga stomaku), që rehatin e ditëve si këto kur ai duhej të ishte Papa në dritare për meshën e së dielës, të mos e prishë. Ministri i ri paska avaz të vjetër.
"Koha e kometës" merr pjesë në festivalin GoEast
Është hapur mbrëmë në Wiesbaden të Gjermanisë, Festivali i filmit evropianolindor, GoEast. Deri të dielën do të shfaqen mbi 110 filma nga mbi 20 vende nga ish-Blloku i Lindjes. I pari film i projektuar ishte "Kallami", i regjisorit të shquar polak, Andrzej Vajda. Në konkurrim për "Zambakun e Artë", janë dhjetë filma artistikë, dhe gjashtë dokumentarë për çmimin "Kujtim dhe ardhmëri".
"Filmat këtë vit kanë diçka të përbashkët. Regjisorët merren me tema shumë aktuale në vendet e tyre.
Ato kanë një adresë të qartë dhe u referohen problemeve dhe halleve të njerëzve në secilin vend", - ka thënë për Deutsche Welle-n drejtoresha artistike e festivalit, Svetlana Sikora, duke shtuar se përzgjedhja është bërë nga 300 filma kandidues.
Kurse Nadja Rademacher, drejtoreshë e "GoEast" sqaron se tematika e festivalit ecën në dy linja kryesore: "Nga njëra anë vazhdojnë të ndjehen gjurmët që kanë lënë luftërat në ish-Jugosllavi dhe Gjeorgji.
Si për shembull, në filmin e Goran Rushinoviçit, "Buick Riviera", atë të dokumentaristit serb Boris Mitiç, "Mirupafshim, si jeni?", ose në filmin "Bregu tjetër", të regjisorit gjeorgjian, George Ovashvili. Linja tjetër është ajo e konfrontimit me të kaluarën totalitare të vendeve të ish-bllokut lindor, siç shihet në "Zift" të regjisorit bullgar Gardev ose "Dhuratë për Stalinin", të kineastit kazak, Rustem Abdrashov."
Kinematografia shqiptare prezantohet vetëm me filmin "Koha e Kometës", e Fatmir Koçit. Prodhimi shqiptaro-franko-gjerman i vitit 2008, që bazohet në romanin e Ismail Kadaresë "Viti i mbrapshtë", shfaqet kështu për herë të parë në një kinema gjermane. Fatmir Koçi vetë ka qenë edhe herë të tjera në GoEast. Në vitin 2007 festivali shfaqi disa filma të tij në kuadër të rubrikës portret, e cila këtë vit i është rezervuar regjisorit çek Jan Sverak.
Gazeta: Shekulli