Oreksi i pangopur i Rruges se Qumeshtit

Oreksi i pangopur i Rruges se Qumeshtit
Dikur një çokollatë që mbante emrin e galaktika tonë reklamohej si diçka që mund ta haje pa u velur. Por vetë galaktika ku ne bëjmë pjesë ka një oreks të pangopur. Ajo vazhdon të gllabërojë galaktika e vogla fqinje me një ritëm të frikshëm. Astronomët kanë zbuluar dy rryma yjesh që Ruga e Qumështit po i thith nga një galaktikë e afërt. Skuadra e astronomëve e drejtuar nga Sergei Koposov dhe Vasili Belokurov, profesorë në Universitetin e Kembrixhit, kanë zbuluar kohët e fundit dy rryma yjesh në hemisferën jugore të galaktikës që vijnë nga galaktika e vogël e Shigjetarit.

Galaktika e Shigjetarit ka qenë një prej satelitëve më të ndritshëm të Rrugës së Qumështit. Por ajo çka ka mbetur prej saj vazhdon të përthithet nga forca tërheqëse e Rrugës së Qumështit. Shigjetari ka humbur të paktën gjysmën e yjeve dhe gazit të saj gjatë 1 milion viteve të fundit. Sergei Koposov dhe kolegët e tij kanë analizuar hartat e densitetit të yjeve dhe kanë vërejtur se rryma në anën jugore e Shigjetarit është ndarë në dy degë: një e trashë dhe e shndritshme dhe një tjetër e hollë e më e dobët.

“Shigjetari është si një bishë me 4 bishta”, thonë studiuesit. Geraint Ljuis i Universitetit të Sidneit thotë se galaktika e Shigjetarit mund të jetë përplasur me diçka gjatë “bilardos kozmike”. “Ndoshta përplasja me një masiv trupash qiellorë, ndonjë vrimë të zezë apo galaktikë tjetër satelite e ka ndarë më dysh secilën prej rrymave të yjeve”, thotë ai.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama