Oret e Nobel-it

Orët e Nobel-it
Me gjithë kritikat që ka pasur për letërsinë amerikane, si një letërsi që orvatet të ndjekë tendencat e artit bashkëkohor sot dhe ka humbur ato fije të ndjeshme që ka e shkruara, Pihilip Roth vijon të përmendet si një nga kandidatët e mundshëm të këtij çmimi këtë vit.

Që nga viti 1993, kur shkrimtarja me ngjyrë, Toni Morrison, u vlerësua me këtë çmim, amerikanët kanë kthyer sytë sërish nga Akademia Suedeze për një tjetër çmim. Një vit më parë, kur Doris Lessing u vlerësua me çmimin e madh, mediat në SHBA shpallën pakënaqësi ndaj këtij vendimi. Sipas tyre, kishte ardhur momenti kur "Roth", një nga shkrimtarët më të njohur amerikanë të këtyre viteve, të merrte vlerësimin e duhur. Të njëjtën habi e shprehën dhe emra të njohur të letërsisë. Umberto Eco, i pranishëm atë ditë në Panairin e Librit në Frankfurt, u shpreh se "Lessing është një shkrimtare e mirë, por mendoj se lista e kandidatëve për çmimin ‘Nobel‘ është e gjatë dhe nuk ka pse të shkojë sërish në Britani". Vetëm dy vjet pasi dramaturgu Harold Pinter u vlerësua me këtë çmim, Akademia Suedeze vendosi ta çonte sërish çmimin e madh në Britani, por këtë herë për një grua të fortë, një romanciere të ndjeshme, librat e së cilës janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.

Pavarësisht rezervave të kritikës amerikane ndaj mënyrës së ndarjes së çmimit "Nobel", janë më të shumtë zërat se Lessing, kjo grua me një besim të rrallë, e meritonte çmimin "Nobel".

Por Akademia Suedeze është mësuar të surprizojë. Ndaj janë të shumtë zërat se, pavarësisht emrave që qarkullojnë korridoreve të kësaj akademie, çmimin "Nobel", si në pjesën më të madhe të rasteve, do ta marrë një shkrimtar emri i të cilit nuk është përmendur ndër kandidatët e mundshëm.

Gazeta amerikane, "New York Times", në një shkrim mbi kandidatët për çmimin "Nobel" shkruan se "mund t‘i buzëqeshë fati dhe shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare".

Edhe pse emri i Kadaresë, ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk ka qenë shumë i përmendur ndër pretendentët, janë të shumtë ata që besojnë se më në fund Akademia Suedeze do të bëjë një kthesë në mënyrën e vlerësimit të saj dhe t‘ia japë "Nobel"-in një shkrimtari vërtet të rrallë. Prej vitesh mediat shkruajnë se Kadare i ka të gjitha cilësitë për të qenë fituesi i çmimit "Nobel", megjithatë Akademia Suedeze ka nguruar për kaq vite të japë vendimin e saj.

Në një intervistë për "Top Channel", gati një vit më parë, nobelisti turk, Orham Pamuk, u shpreh: "Kadare është një shkrimtar i mirë. Dua që ai ta marrë çmimin ‘Nobel‘".

Por nuk është vetëm Pamuk ai që beson se çmimi "Nobel" duhet të ndalet në duart e shkrimtarit shqiptar. Janë mijëra lexues kudo në botë që librat e Kadaresë i kanë vendosur përbri librave që duan t‘i kenë gjithnjë pranë, që duan të ndodhë diçka e tillë. Është kritika që e krahason atë me emrat më të njohur të mendimit letrar, që beson se ka ardhur momenti kur "Nobel"-i të dorëzohet në duart e shkrimtarit që i rrëfeu botës krimet e komunizmit, me një stil të veçantë.

Ndërsa Akademia Suedeze duhet të jetë duke mbyllur zarfin me emrin e fituesit të këtij viti, le të shpresojmë se surpriza e saj këtë vit do të jetë sipas të gjitha rregullave që Alfred Nobel vlerësonte te një shkrimtar, dhe çmimi të udhëtojë drejt Shqipërisë...

Ethet e "Nobel"-it këtë vit kanë zënë dhe vendin fqinj, Italinë. Claudio Magris, përkthyes dhe shkrimtar i njohur italian, përmendet si një nga favoritët për këtë çmim. Kandidatë të mundshëm janë dhe japonezi Haruki Marukami, australiani Les Murray, amerikani Bob Dylan, nigeriani Chinua Achebe, siriani Ali Ahmad Said (Adonis), suedezi Tomas Transtroemer, izraeliti Amos Oz, holandezi Cees Noteboom, francezët Yves Bonnefoy dhe

Jean-Marie Le Clezio, gjermani Herta Meuller, koreani Ko Un dhe nga Afrika e Jugut Carlos Fuentes dhe Mario Vargas Llosa.

Lista e kandidatëve për këtë çmim është e gjatë. Janë dhjetëra emra që për vite me radhë përjetojnë ethet e tetorit, me shpresën se Akademia Suedeze do të formojë numrin e tyre të telefonit për t‘u thënë: "Ju jeni fitues i çmimit ‘Nobel‘ në letërsi".

Dhe për ironi të fatit, ashtu siç ka ndodhur vitet e fundit, kjo telefonatë vjen atëherë kur ti i ke humbur të gjitha shpresat se ajo do të vijë.

Të njëjtën gjë mendonte Doris Lessing një vit më parë, që teksa kthehet nga shëtitja e përditshme gjen një tufë gazetarësh në derë, apo Orham Pamuk që ishte duke fjetur në SHBA, ku prej disa vitesh jepte leksione në universitet, kur zilja e telefonit e zgjon për t‘i thënë: "Ju jeni i zgjedhuri i Alfred Nobel".


Shkrimtarët favoritë për çmimin "Nobel"

Claudio Magris

Claudio Magris, i lindur në Trieste të Italisë më 10 prill 1939, është një shkrimtar dhe studiues mjaft i njohur i gjuhës gjermane. Gjithashtu ai ka qenë senator në legjislaturën italiane të XII. Ai ka dhënë mësim letërsinë gjermane fillimisht në Universitetin e Torinos e më pas në atë të Triestes. Shumë i ri ai tërhoqi vëmendjen e kritikës me "Mitin e Asburgëve në letërsinë austriake moderne", publikuar në vitin 1963. Ai ka qenë ndër të parët që ka rivlerësuar fillin letrar hebraik në brendësi të letërsisë evropiane me "Larg prej nga ku, Joseph Roth dhe tradita harbariko-orientale", botuar në vitin 1971. "Danubi" është kryevepra e shkrimtarit italian, që e ka publikuar në vitin 1986. Me këtë vepër ai nis të vlerësohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë të Italisë. Ai shkruan për të përditshmen italiane, "Corriere della Sera". Në vitin 2007, Magris vlerësohej si shkrimtar favorit nga agjencia e basteve angleze, "Ladbroke", për fitoren e çmimit "Nobel" për letërsinë, i cili më pas u fitua prej shkrimtares Doris Lessing.

Philip Roth

Philip Roth ka lindur në Newark, më 19 mars të vitit 1933. Ai është një shkrimtar amerikan, me origjinë hebraike. Është më tepër i njohur për romanin e tij, "Ankimet e Portnoy"-it, (1969) dhe për trilogjinë e botuar në fundin e viteve ‘90 që përfshin "Pastorale amerikan" (1997), me të cilin fitoi edhe çmimin "Pulitzer"; "U martova me një komunist" (1998) dhe "Njolla njerëzore" (2000). "Everyman" është romani i tij i fundit, i cili është publikuar në Shtetet e Bashkuara në maj të 2006-ës. Bëhet fjalë për një refleksion të thellë mbi jetën, plakjen, sëmundjet dhe vdekjen. Mes shtatorit dhe tetorit 2007 në SHBA është publikuar në SHBA "Exit Ghost", roman me trajta autobiografike. Ai ka studiuar fillimisht në Universitetin "Bucknell", për t‘u transferuar më pas në Universitetin e Çikagos, ku kompletoi edhe kursin e tij të diplomës në letërsi anglosaksone. Për herë të parë ai u shfaq me "Goodbye, Columbus", një përmbledhje me 6 tregime. Philip Roth jeton në Connecticut.

Haruki Murakami

Haruki Murakami ka lindur në Kioto, më 12 janar të vitit 1949. Ai është një shkrimtar japonez. Haruki do të rritet në Kobe, një qytet bregdetar tepër stimulues për sa i përket këndvështrimit kulturor. Pikërisht këtu Murakami nis të hyjë në kontakt me libra të autorëve të huaj, sidomos të atyre anglezë, duke nisur më pas të shkruajë edhe vetë në gazetën e shkollës fillimisht. Studion letërsi në Universitetin e Tokios. Vitet kur ai frekuentoi universitetin ishin vitet e revoltave studentore. Ai jetonte duke iu përkushtuar dy pasioneve, muzikës dhe letërsisë, më shumë të parës. Në 1974-ën ndien papritmas vokacionin e tij letrar dhe kështu nis të redaktohet romani i tij i parë, "Dëgjoje këngën në erë", publikuar në 1979. Ai fiton "World Fantasy Award" me romanin "Kafka në plazh", ndërsa fiton edhe çmimin "Franz Kafka", që në të kaluarën e kishin fituar autorë si Philip Roth, Harold Pinter dhe Elfriede Jelinek.

Les Murray

Les Murray është një gjigand, jo vetëm për sa i përket fizikut të tij, por edhe për anën e tij njerëzore dhe letrare. Falë veprave të tij të shumta ai ka fituar edhe një sërë çmimesh në atdheun e tij, Astrali, por edhe në shumë vende të tjera. Shpesh emri i tij lidhet me atë të Derek Walcott dhe Seamus Heaney, për aftësinë e jashtëzakonshme që nëpërmjet fjalës të të rrëfejë eksperiencën e tij personale, atë çka ai sheh dhe ndien. Argumentet e një poezie apo imazhet e një poezie janë shpesh më të rëndësishme, ndaj janë edhe më domethënëset. Poezia e bën të duket e vërtetë gjithçka thotë, si kur rrëfen jetën, ashtu edhe perceptimet që ne kemi për jetën. Për të, fjala poetike është instrumenti më i përshtatshëm për të rrëfyer kohën në të cilën jetojmë, sepse për Murray poezia është me të vërtetë ajo që korrespondon më shumë me morfologjinë e shpirtit njerëzor.

Chinua Achebe

Chinua Achebe ka lindur në Ogidi, Nigeri, më 16 nëntor 1930. Ai konsiderohet si babai i letërsisë afrikane moderne në gjuhën angleze. Kryevepra e tij, "Il crollo", (1958) është një gur i çmuar në llojin e vet. Ky roman studiohet në shumë shkolla të vendeve afrikane, ndërsa është përkthyer në më shumë se 50 gjuhë të huaja. Një pjesë e madhe e veprës së Achebe-s është e përqendruar në denoncimin e katastrofës kulturore në vend. Prindërit e Chinua Achebe, në lindje i vunë atij emrin Albert, ndërsa emri i tij afrikan, Chinualumogu, do të thotë "Zoti do të luftojë në favorin tim". Gjatë studimeve universitare ai vendos të mos e përdorë më emrin Albert, për të përdorur Chinua. Sipas kritikëve të shumtë, "beteja" e hapur e Achebe-s drejt kulturës perëndimore dhe evropiane është një nga arsyet kryesore që këtij autori nuk i është dhënë ende çmimi "Nobel". Në vitin 1990, Achebe paralizohet për shkak të një aksidenti automobilistik. Aktualisht jep mësim në Bard College në New York.

Bob Dylan

Bob Dylan ka fituar çmimin "Pulitzer", edhe pse ky fakt u shoqërua me polemika të shumta. Nuk ishin të paktë ata që vinin në dyshim çmimin, duke iu referuar faktit se ai në të vërtetë është një kantautor e jo një poet i afirmuar. Duke nisur që nga viti 1988, Bob Dylan është bërë pjesë e "Rock and Roll Hall of Fame". Revista "Time" e ka përfshirë mes 100 personave më influentë të shekullit XX. Për cilësinë dhe mesazhet e mëdha që përcjellin tekstet e tij, emri i artistit shpesh herë është nominuar për çmimin "Nobel". Emri i vërtetë i Bob Dylan është Robert Allen Zimmerman. Ai ka lindur më 24 maj të vitit 1941. Dylan është muzikant, kompozitor, këngëtar, shkrimtar, poet, aktor dhe moderator radiofonik. Ai përfaqëson një nga figurat më të rëndësishme të muzikës në 50 vitet e fundit. Tekstet e këngëve të tij të para flasin për tema politike, sociale dhe filozofike. Vihet re dukshëm influenca e letërsisë në tekstet e Dylan, i cili është një pasionant i madh i saj.

Ali Ahmad Sa‘id (Adonis)

Adonis është një poet, shkrimtar, përkthyes, kritik letrar dhe botues sirio-libanez. Ai është një figurë me tepër influencë në Arabi, si në poezi, ashtu edhe në letërsinë e ditëve tona. Adonis në veprën e tij, solli në poezinë arabe klasike dhe revolucionare, edhe shprehitë moderne të kohës. Ashtu si shumë shkrimtarë të Lindjes së Mesme, Adonis ka vuajtur dëbimin nga vendi i tij, ndërsa ka thënë: "Kam shkruar në gjuhën e vendit që më dëboi". Adonis ka lindur pranë qytetit Latakia, në Siri. Babai i tij ishte fermer dhe imam. Në fshatin e lindjes Adonis mësoi të shkruante e të lexonte nga babai i tij, një figurë thelbësore në jetën e shkrimtarit. Adonis mori një edukatë islamike tradicionale. Në vitin 1950 publikoi edhe përmbledhjen e tij të parë poetike, titulluar "Dalila". Adonis studion drejtësi dhe filozofi në Universitetin sirian Damask. Përherë i sulmuar për shkak të mendimeve të tij politike, Adonis kalon një pjesë të madhe të shërbimit të tij në burg. Ali Ahmad Sa‘id adaptoi pseudonimin Adonis në fillimet e karrierës.

Amos Oz

Amos Oz ka lindur në Jerusalem, në 4 maj të 1939-ës. Ai është një shkrimtar mjaft i vlerësuar izraelit. Oz ka shkruar një seri romanësh, ndërsa ka shkruar mjaft edhe në gjininë e publicistikës. Amos Oz është pedagog letërsie në Universitetin Ben Gurion në Negev, Izrael. Në romanin e tij autobiografik, "Një histori dashurie", Oz ka rrëfyer nëpërmjet historisë së familjes së tij ngjarjet historike të shtetit të ri që ishte duke lindur, Izraelit, i cili po shkëputej nga protektorati britanik. Ai ka rrëfyer ndër të tjera edhe luftën për pavarësi, sulmet terroriste të fedainëvedhe jetën në Kibutz. Vendimtare në jetën e shkrimtarit izraelit ka qenë momenti kur nëna e tij vrau veten. Amos ishte i vogël, sapo kishte mbushur të 12-at atëherë. Ai vendos të ndryshojë mbiemrin e tij nga Klausner në Oz, që në gjuhën hebre do të thotë "forcë". Në 2007-ën atij i është dorëzuar çmimi "Princ i Asturias" për letërsinë dhe çmimi "Carical Grinzane" për kulturën mesdhetare. Gjatë këtij viti (2008), Ozit i është dorëzuar çmimi ndërkombëtar, "Primo Levi".

Tomas Tranströmer

Tomas Transtromer është një poet i njohur suedez, ndër të tjera ai është edhe psikolog e përkthyes. Ai ka zënë një vend të rëndësishëm në letërsinë suedeze, duke nisur që nga viti 1950. Transtromer cilësohet si një prej poetëve më modernë skandinavë. Krijimtaria e tij është përkthyer në rreth 50 gjuhë të huaja, mes të cilave në gjuhën angleze, holandeze dhe finlandeze. Tomas Transtromer ka lindur në Stokholm. Babai i tij ishte gazetar, ndërsa mamaja e tij mësuese. Gjatë fëmijërisë së tij ai kaloi shumë kohë në ishullin Runmaro, dhe në shumë vepra të tij ai përshkruan peizazhin dhe bukurinë e ishullit në fjalë. Fillimisht Transtromer interesohet për muzikë dhe pikturë, e tërhiqte tepër edhe arkeologjia apo shkencat natyrore, aq sa dëshironte të bëhej një eksplorues. Shkrimtari u edukua në Sodra, një shkollë latine, ku filloi të lexonte e të shkruante poezi. Në 1956 diplomohet në psikologji. Nga gjysma e viteve 1960, Transtromer nis të ndajë kohën e tij mes të shkruarit dhe psikologjisë.

Cees Nooteboom

Shkrimtari holandez, Cees Nooteboom, ka lindur në Aia, në vitin 1933. Sot ai jeton mes Holandës, Spanjës, vendeve të Lindjes dhe Amerikës, duke e kthyer jetën e tij në një udhëtim të vërtetë. Ai është përkthyes i poezisë spanjolle, asaj katalanase, poezisë franceze dhe gjermane, ndërsa përkthen edhe autorë të teatrit si O‘ Casey dhe Williams. Nooteboom është një prej shkrimtarëve më origjinalë të Holandës aktuale. Ai është autor poezish, librash udhëtimi dhe romanësh, që shpesh ai i vesh me elemente realiste, por edhe me elemente të fantazisë. Para se të afirmohej edhe në plan ndërkombëtar, ai e nisi famën nga vendi i tij, Holanda, ku u bë i njohur me romanin "Filipi dhe të tjerët". Ndërsa në botë fitoi popullaritet me romanin "Kënga e të qenit dhe të shfaqurit" në vitin 1981, më pas me "Rituale" fitoi edhe çmimin "Pegasus" (1982), ndërsa me "Historia që vjen pas" fitoi çmimin "Grizane Cavour", 1994.

Jean-Marie G. Le Clézio

Jean-Marie Gustave Le Clézio ka lindur në Nicë, në vitin 1940. Ai është një protagonist absolut i skenës së letërsisë franceze bashkëkohore. Ai është një romancier i suksesshëm. Le Clézio u formua në periudhën e "noveau roman" francez, edhe pse tentoi të përshkruante një rrugë ekstremiste personale. Kur ishte vetëm 23 vjeç ai publikoi me Gallimard veprën e tij "Procesi verbal", me të cilën afirmohet në skenën ndërkombëtare, duke fituar edhe çmimin prestigjioz, "Prix Renaudot" (1963). Ai është një autor mjaft vital, në veprën e të cilit shpesh gjenden citime filozofike. Ai rrëfen në krijimtarinë e tij ndryshimin e njeriut në shoqërinë bashkëkohore, si dhe harmoninë e gjetur mes njeriut dhe botës, "bashkimin me individualizmin dhe kolektivizmin". Veprat e tij marrin jetë nga një dashuri e madhe për natyrën, në mënyrë të veçantë nga dashuria për diellin dhe detin. Nga 1964 e më pas Le Clézio ka vazhduar të publikojë libra mjaft të suksesshëm. Në vitin 2003 ai publikon "Révolutions", një roman autobiografik.

Yves Bonnefoy

Yves Bonnefoy ka lindur në vitin 1923. Ai është një poet, përkthyes dhe kritik i artit francez. Pas studimeve në filozofi, fillimisht në Sorbonë e më pas në Gaston Bachelard, për një periudhë ai përkrahu periudhën surrealiste, nga e cila u distancua shumë shpejt për t‘iu afruar ekzistencializmit. Ai është autor i një vepre mjaft të rëndësishme si poetike, ashtu edhe teorike: për Bonnefoy është detyrë e poetit të gjejë afrinë e lindur të fjalëve dhe të gjërave (tipike e fëmijërisë), të eliminuar prej nevojshmërisë së konceptualizmit intelektual dhe prej jetës së përditshme. Kjo është edhe tema qendrore e shprehur nga autori në mjaft shkrime teorike, por edhe në poezi, duke reflektuar në këtë mënyrë një filozofi të tërë të mënyrës së tij të të jetuarit. Në librat e tij ndihet fuqishëm mendimi personal, në të cilin uni poetik manifestohet me mjaft thjeshtësi dhe forcë. Në krijimet e tij ndihet marrëdhënia me botën.

Ko Un

Ko Un është poet, shkrimtar, autor i veprave teatrore dhe piktor nga Koreja e Jugut. Ai ka lindur në 1933 dhe është një prej figurave më përfaqësuese të vendit të tij. Në vitin 1945 nis të shkruajë vargje e tij të para, i frymëzuar prej një libri të gjetur rastësisht në rrugë, ndërsa kthehej nga shkolla, e cila ishte disa kilometra larg shtëpisë. Libri i lë menjëherë shenjë. Ishte një përmbledhje poezish nga poeti Han Haun, titulluar "Poezi të zgjedhura". Në 1952-shin, i lodhur prej luftës dhe tmerreve që i kishin parë sytë, vendos të bëhet prift budist, duke iu kushtuar meditimit. Heq dorë më pas nga veshja e priftit, për t‘u impenjuar gjithnjë e më shumë në luftën për të drejtat njerëzore. Ai themeloi Shoqatën e Shkrimtarëve për Liri, ndërsa përzgjidhet si përfaqësues i të drejtave të njeriut. Inteligjenca e Koresë së Jugut e përgjon dhe e burgos në vitin 1975, e po në të njëjtin vit ai fiton çmimin "Korean Literature Prize". Ai asnjëherë nuk rresht së shkruari.

Carlos Fuentes

Carlos Fuentes është një shkrimtar meksikan, i cili ka lindur në vitin 1928. Mes veprave të tij më të rëndësishme përmendet "Vdekja e Artemio Cruz" dhe "Toka jonë". Në vitin 1987 ka fituar çmimin "Cervantes", ndërsa në 1994 çmimin "Grinzane Cavour". Në vitin 2004 ai është fitues i çmimit letrar "Giuseppe Acerbi" me romanin "Vitet e Laura Diaz". Ai ka jetuar në Santiago të Kilit dhe në Buenos Aires, ku ka patur mundësi të njihet me disa eksponentë të rëndëisshëm të kulturës së Amerikës së Jugut, mes të cilëve Pablo Neruda dhe David Alfaro Siqueiros. Ai shkon në Meksikë dhe punon si gazetar, duke bashkëpunuar me revistën "Hoy". Në vitin 1959 publikon tregimet e tij të para. Carlos Fuentes përshkroi në romanin e tij, "La región más transparente", Meksikën e viteve ‘40 dhe ‘50, një vend imagjinar, të cilit do t‘i kthehet edhe një herë me përshkrimet e viteve ‘80 e ‘90 me "Cristóbal Nonato".

Mario Vargas Llosa

Mario Vargas Llosa është një shkrimtar nga Peruja. Ai ka lindur në vitin 1936. Është cilësuar si një nga eksponentët më origjinalë të rilindjes së letërsisë së Amerikës së Jugut dhe së bashku me Gabriel García Márquez është një nga romancierët më të dashur të kohës. Fillimisht ai është prezantuar me lexuesin me anë të romanit "Qyteti dhe qentë" (1963). Romani "Lufta e fundit të botës" (1981) u ndoq më pas nga "Historia e Mayta" (1984), që prek temat e terrorizmit e më pas "Kush e vrau Palomino Moleron?" (1986), një roman që i afrohet gjinisë së librave të verdhë, por që pasqyron probleme sociale. Më pas, në 1988, publikon "Elozh i njerkës" dhe në 1987 "Rrëfimtari ambulant". Në 1994 merr qytetarinë spanjolle, ndërsa vlerësohet me çmimin "Cervantes". Në 2004 vlerësohet me çmimin "Grinzane Cavour". Romanet e tij të fundit janë "Fletoret e Don Rodrigos" dhe "Parajsa gjendet tjetërkund".

Herta Muller

Herta Muller është një romanciere, veprat e së cilës më së shumti rrëfejnë shkatërrimin njerëzor prej diktaturës rumune dhe azilit politik. Ajo ka lindur në vitin 1953, në fshatin Nitzkydorf, në Rumani. E la vendin e saj për të studiuar gjermanishten dhe literaturën rumune në Universitetin Timisoara. Ajo këtu bën pjesë në një grup studentësh e shkrimtarësh, të cilët kërkojnë lirinë e shprehjes edhe pse nën diktaturë. Pasi përfundon studimet, ajo fillon punë në një fabrikë si përkthyese, për t‘u pushuar menjëherë, pasi refuzon të bashkëpunojë me policinë sekrete. Gjatë kësaj kohe ajo shkruan tregime të shkurtra. Në krijimtarinë e saj ajo sjell zellin me të cilin mentaliteti fashist i minorancës gjermane sillej në vend. Ajo asnjëherë nuk e ka toleruar korrupsionin dhe e ka shprehur ngaherë këtë. Për këtë arsye shpesh herë është kritikuar në Rumani, me pretekstin se ajo po shkatërronte imazhin e jetës rurale në vend.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama