Gjumi dhe zgjimi, por edhe drita dhe errësira, gjithçka që ndodh në organizmin tonë brenda një dite regjistrohet në një rrjet kompleks reaksionesh biokimike, hormonale dhe neurologjike. Kështu, orë të ndryshme të ditës korrespondojnë me gjendje të ndryshme shpirtërore dhe sëmundje të ndryshme. Hormoni i testosteronit është i lartë në mëngjes dhe për pjesën më të madhe të njerëzve kjo është ora e dashurisë, por edhe ora e infarktit dhe iktusit. Ka një kohë për gjithçka, thonë shkencëtarët që tregojnë edhe për stilin e jetesës që duhet të ndjekim për parandalimet e sëmundjeve të ndryshme. Le të marrim sëmundjet kardiovaskulare: është fakt që infarkti në mëngjes e dëmton më shumë zemrën. Nëse ataku kardiak manifestohet mes orës 06.00 të mëngjesit dhe mesditës, dëmi për miokardin është rreth 20 për qind më i madh, në krahasim me atë që vërehet pas një ishemie që ndodh pasdite apo në mbrëmje.
Ky studim i bërë nga Qendra Kombëtare e Sëmundjeve Kardiovaskulare në Madrid është i pari që tregon qartë se si zemra ka një farë tolerance ndaj ishemisë në bazë të ritmeve gjatë 24 orëve. Jo vetëm kaq: nga studimi del se një infarkt posterior duket më i rëndë në krahasim me atë të lokalizuar në pjesë të ndryshme të zemrës. “Këto studime kanë rëndësi shumë të madhe në lidhje me trajtimin, sepse infarkti i mëngjesit duhet përballuar në mënyrë më agresive për të marrë rezultate më të mira”, komenton Ibanez. Përveçse janë më të shpeshtë në orët e para të ditës, episodet akute ndaj aparatit kardiovaskular janë edhe më të frikshme kur shfaqen para mesditës.
“Ky studim konfirmon se aparati kardiovaskular mund të pësojë gjatë natës disa variacione në gjendje për t’u predispozuar më lehtë ndaj infarktit në orët e para të ditës, si për shembull një tendencë më e madhe ndaj agregimit të pllakëzave të gjakut dhe koagulimit apo modifikimeve hormonale që ndikojnë te qarkullimi”, shpjegon mjeku Paolo Belloti. “Këshilla është sigurisht të shkosh sa më shpejt në spital për të marrë rezultate më të mira nga kurat që synojnë të rikthejnë gjakun në zemër, duke përmirësuar kështu prognozën e sulmit kardiak”. Ajo që konfirmon teorinë e studiuesve spanjollë është një studim i publikuar në revistën “Neurology”, që dizajnon një situatë të ngjashme edhe për iktusin cerebral. Sipas studimit, pak a shumë 14 për qind e rasteve të iktusit ndodhin gjatë gjumit dhe janë të shumtë njerëzit që zgjohen në mëngjes dhe gjejnë të paralizuar ndonjë pjesë të trupit. Ia vlen të kujtosh se edhe ata që vuajnë nga depresioni priren të kenë më shumë probleme pas zgjimit nga gjumi. Bëhet e vështirë të përballosh ditën, pastaj për fat situata përmirësohet. “Dikur mendohej e kundërta, ndërsa sot e dimë që me daljen e diellit situata mund të përmirësohet, sepse dielli ndikon te format e humorit dhe shpesh mund të adaptohet si kurë për disa forma depresioni”, nënvizojnë mjekët. “Zakonisht rastet më të rënda të depresionit lidhen me dimrin dhe mungesën e dritës së diellit, ndërsa përmirësimi i situatës vjen pas zgjatjes së ditës dhe pranisë së diellit”. Në fund është një kategori njerëzish që pikërisht në mëngjes vuan shumë nga simptomat e sëmundjeve që mund të kenë. Fjala është këtu për reumatikët, dhe në përgjithësi ata që vuajnë nga patologji të lidhura me inflamacionin si artriti remumatoid, që pikërisht në mëngjes priren të zgjohen me më shumë dhimbje. Motivi? Zakonisht natën ndodh një lloj “Check up” i sistemit imunitar që punon maksimalisht. “Ekziston një orë e vërtetë biologjike që rregullohet mbi të gjitha nga melatonina, në gjendje të stimulojë edhe prodhimin e substancave që favorizojnë inflamacionin. Melatonina ka një kulm të saj rreth orës 03.00, më pas nis të bjerë, ndërkohë që rritet niveli i kortizolit.
Gjatë natës aktivizohet edhe një molekulë tjetër: acetilkolina, që redukton ritmin e rrahjeve të zemrës dhe presionin arterial, si dhe ngushton mushkëritë. Për këtë arsye krizat e astmës janë më të shpeshta në orët e natës. Ky moment është i keq edhe për ata që vuajnë nga djegiet e stomakut, dhembjet e të cilave ndihen shumë, për shkak të maksimumit të prodhimit të lëngjeve gastrite. Funksionimi tretës i stomakut reduktohet dhe tretja është më e ngadaltë. Edhe veshka prodhon më pak urinë, por kjo sasi është shumë më e koncentruar. Gjatë 24 orëve, funksionimi i trupit tonë ndryshon, ulen apo shtohen në varësi të ritmeve dhe orareve të mirëpërcaktuara. Duke pasur parasysh këto lëvizje, është thelbësore jo vetëm të kuptuarit më mirë i fiziologjisë sonë, apo përmirësimi i aktivitetit të përditshëm, por edhe përmirësimi i diagnostikimit dhe përcaktimi i terapive.
Që këtej lindin disiplina të reja si kronofarmakologjia, që synon gjetjen e një ekuilibri të drejtë mes kohëve të sëmundjes, atyre të ilaçeve dhe kohës që i duhet organizmit për ta tretur e konsumuar mjekimin, si dhe shmangia e efekteve anësore. Një rezultat i rëndësishëm në kuadrin e kronofarmakologjisë është arritur nga një ekip mjekësh gjermanë, për sa i përket trajtimit të artritit reumatik me një ilaç kortizonik të dozuar në kohë, që pihet në orën 22.00, por që nis të japë efekt dhe të thithet nga organizmi në orën 03.00 të natës.
Këto lloj ilaçesh janë dhënë gjithmonë në mëngjes, duke qenë se ajo orë është edhe piku i hormoneve të kortizolit. Sot, pas kërkimeve shkencore, kemi zbuluar se pacientët me këtë lloj patologjie nuk e kanë pikun e këtij hormoni në mëngjes, por në orën 03.00 të natës. Përfundimi i studimit nënvizon qartë një fakt: njohja dhe administrimi i funksionimit të brendshëm, sipas orëve të trupit tonë, ndihmon jashtëzakonisht në një jetesë të shëndetshme, por edhe në një kurim të efektshëm të sëmundjeve.