Në qendër të romanit është një djalosh i ri, i pasur, Kemali, i cili në zenit të lumturisë së tij, i rrethuar nga mirëqenia, nga jeta aristokrate, dashuria dhe klasi i gruas me të cilën do të fejohet, prej një takimi të beftë me një vajzë të re të bukur, një kushërira e tij e largët, që tashmë është rritur dhe punon si shitëse, do të hyjë në një spirale ndjenje e pasioni të verbër, të një robërimi shpirtëror e fizik, që do të jenë qerthulli i tetë viteve të ardhshëm të tij. E gjithë bota e tij përmbyset dhe djaloshi ynë Kemal, shumë i përngjashëm me vetë Pamukun e ri, do të ecë mes përpjekjesh, vuajtjesh, ëndërrimesh ku e shpie “verbëria” e dashurisë së tij të parrokshme, që e lëkund mes shpresës dhe ëndërrimit.
A do të lidhet Kemali me Fysunin? Lexuesit do t’i duhet të ndjekë hap pas hapi fatin e këtyre personazheve për të zbuluar një Turqi që po zhvillohet, europianizohet dhe që përpëlitet mes dukurive të tranzicionit. Ky roman është një dedikim ndaj “pafajësive” të mëdha të turkut të fundshekullit të kaluar dhe të sotëm, që përpiqet mes civilizimit europian dhe traditës orientale. Të gjitha detajet që shpesh duken tejet të hollësishme, s’janë veçse piketa dhe shenja që autori dëshiron t’i bëjë me dije për të zbërthyer jo thjesht një histori dashurie, por vetë Turqinë, historinë, kulturën, mentalitetin, modernitetin, traditën, bashkë me peizazhin e patjetërsueshëm, aq të njohur nga lexuesi shqiptar përmes korpusit letrar të Pamuk. Në vjeshtë të këtij viti do të vijë shqip romani “Libri i zi” e në vazhdim “Xhevdet beu dhe të bijtë”, që do të përmbyllë botimin e plotë të veprës së Orhan Pamuk në gjuhën shqipe.