Orikumi favorizon turizmin familjar 30 mije pushues ne sezon

Orikumi favorizon turizmin familjar, 30 mije pushues ne sezon

Për zonën e Orikumit është hartuar një plan ndërtimi në një sipërfaqe prej 1000 hektarësh. Ajo çka ofron qyteti sot, por edhe bregdeti përgjatë Karaburunit, duket se ende nuk i rivalizon dot brigjet e Sarandës apo Vlorës, edhe pse çmimet në këtë zonë janë konkurruese dhe joshëse për turistët. Orikumi afron me turizmin familjar, i cili është i ndërtuar me baza njohjeje. Nënkryetari i bashkisë së Orikumit, Nexhip Hysolakoj, në intervistë për “Shekullin” tregon masat që ka ndërmarrë bashkia për thithjen e numrit të vizitorëve dhe planin e menaxhimit të parkut detar Sazan-Karaburun. Ai flet edhe për problemet që ka zona sot, të cilat me zgjidhjen që do të marrin do rrisin numrin e banorëve, çka do të thotë se ky është një mesazh për të cilin komisioni i Reformës Territoriale duhet të rishikojë edhe një herë vendimin për shkrirjen e bashkisë.

Z. Hysolakoj, përse duhet vizituar gadishulli i Karaburunit?

Në radhë të parë duhet të vizitohet qyteti i Orikumit, sepse ofron turizmin familjar, ekoturizmin, turizmin historik dhe atë kulturor. E gjithë Radhima dhe Orikumi deri më sot kanë funksionuar nëpërmjet turizmit familjar. Karaburuni afron ekoturizmin dhe grupe të caktuar njerëzish, të cilëve u pëlqen natyra, flora dhe fauna (tokësore dhe ujore). Në këtë gadishull ka mjaft vende të bukura nënujore, me anije të mbytura dhe bimësi e faunë ujore të larmishme. Turizmi patriotik historik lidhet me Pasha Limanin, me historikun e tij   dhe me nëndetësen 105, për të cilën është realizuar film dhe është bërë subjekt për librat e disa autorëve. Zona e Orikumit është e njohur edhe për monumentet e kulturës, si Kisha e Marmiroit , qyteti i Orikumit të vjetër dhe në këtë drejtim, pothuajse i gjithë gadishulli i Karaburunit është i përbërë nga monumente natyrore, shpella e Haxhi Alisë, gjiri i Gramës, Tragjasi i vjetër etj.

Po për thithjen e një numri të gjerë turistësh, çfarë masash ka ndërmarrë Bashkia e Orikumit? Dua të ndalemi këtu, edhe te çmimet për pushuesit.

Me paketa fikse turistike më tepër ofron Radhima dhe Llogaraja. Orikumi ofron turizmin familjar, i cili është i ndërtuar më tepër me baza njohjeje. Shumë banorë lëshojnë me ditë hyrjet apo apartamentet e tyre me çmime konkurruese. Nëse kalojmë qafën e Llogarasë, e deri në Dhërmi çmimet variojnë deri në 100 euro nata, ndërsa në Orikum mund të gjeni hyrje deri në 2000 apo 3000 lekë.

Si e shihni Orikumin tani në krahasim me 5 vite më parë, dhe a ka ndonjë plan strategjik bashkia për zhvillimin e kësaj zone?

Sot e shoh me një infrastrukturë të rregullt, me rrugë të asfaltuara në të gjitha fshatrat, me bulevard. Kemi një problem me rrugën që të çon në Pasha Liman,dhe aty lë diçka për të dëshiruar. Jemi në fazë projekti për ujësjellës kanalizimet dhe me përfundimin e tij, Orikumi nuk do të jetë një vend për t’u vizituar, por një vend për të jetuar. Do jemi nga qytezat e para që do kemi impiant të ujërave të zeza, dhe ky investim do të kushtojë rreth 24 milionë dollarë.

Sa i përket Reformës Territoriale dhe ndryshimeve që do të pësojë kjo zonë, si i keni pritur diskutimet dhe vendimet që do të merren për shkrirjen e bashkisë?

Ne kemi dhënë arsyet tona dhe jemi shprehur në letra për të qenë njësi më vete. Me të gjitha kriteret, që janë vendosur nga komisioni i Reformës Territoriale, një nga pikat, të cilën nuk e arrijmë është numri i popullsisë. Sot ne kemi një popullsi prej 12 700 banorësh. Kemi një sipërfaqe jashtëzakonisht të madhe, prej 330 km². Gjithashtu, kemi një plan studimi për ndërtim në një zonë prej 1000 hektarësh dhe tendenca në rritje e zhvillimit të zonës do të sjellë rrjedhimisht edhe një rritje të numrit të popullsisë. Ne vetëqeverisemi me të ardhurat tona. Në sezonin turistik, në stinën e verës, numri i turistëve 3-fishohet, duke arritur deri në 30 mijë.

Si e shihni këtë numër?

Në bazë të monitorimeve që kemi bërë deri në vitin e shkuar numri i pushuesve është rritur dhe njëkohësisht nuk janë rritur vetëm kërkesat e pushuesve, por edhe zhvillimi i hotelerisë.

Gadishulli i Karaburunit mbetet një ndër të paktat zona të virgjëra të vendit tonë. Ju si nënkryetar bashkie por njëkohësisht edhe si banor i zonës do të dëshironit të investohej apo të mbetej në këto kushte?

Gadishulli Karaburunit është një nga resurset më të mëdha të Bashkisë së Orikumit dhe plane studimi nuk ka, por është një plan menaxhimi, i cili po hartohet nga Instituti i Mbrojtjes së Natyrës, i cili ka të bëjë me parkun detar të Karaburunit dhe Sazanit, e cila normalisht do të gërshetohet dhe me pjesën tokësore. Këtu është parashikuar për zhvillimin e pikave të shërbimit dhe zhvillimin e agroturizmit dhe ekoturizmit.

Dështimi i planit për ta kthyer Sazanin në kazino 

Zona e mbrojtur e Karaburun- Sazanit fillon në Plazhin e Shën Vasilit, vazhdon në drejtim të Kepit të Gjuhëzës (në perëndim të Karaburunit) dhe mbyllet në kufi. Është rreth 1 milje ujë, që parashikohet në fazë projekti të jetë i mbrojtur, për arsye se aty janë gërshetuar me njëra-tjetrën vlera natyrore kulturore dhe nënujore, duke filluar nga livadhet e Posedonias, brigjet dhe shpellat koralore si dhe fauna e pasur nënujore. Njëkohësisht në gjirin e Vlorës, ka dhe një prirje për turizmin nënujor dhe kjo lidhet me ekzistencën e shumë anijeve të mbytura, në epokën e luftës midis Jul Cezarit dhe Pompeut. Karaburuni është zonë e mbrojtur e kategorisë së katërt, i cili ka sipërfaqe rreth 20 mijë hektarë. Fauna në këtë zonë është mjaft e pasur dhe në Karaburun gjenden derri i egër, sorkadhja, lepuri i egër dhe thëllëza. Gazetari dhe shkrimtari Çlirim Hoxha tregon, detaje interesante për ishullin e Sazanit dhe gadishullin e Karaburunit, për projektet që kanë mbetur në letër dhe shfrytëzimin që i kanë bërë dikur drejtues të shtetit.

“Ishulli i Sazanit sot është një ishull shumë i fortifikuar. Në periudhën kur kryeministrinë e drejtonte Pandeli Majko u hodh ideja që aty të investohej duke u ndërtuar kazino të mëdha, por kjo nuk u realizua. Ndërkohë, gadishulli i Karaburunit ka një minierë mermeri të bardhë. Kur po ndërtohej pallati i Kulturës në Tiranë dhe u prishën marrëdhëniet me Bashkimi Sovjetik lindi dhe nevoja për gjetjen e mermerit të bardhë, në mënyrë që të visheshin kolonat. Qeveria shqiptare e asaj kohe nisi një grup ekspertësh për të marrë mermer të bardhë. Shqiptarët nuk ishin në dijeni që në gadishull gjendej mermer i bardhë dhe e mësuan nga italianët. Me mermerin e Karaburunit janë ndërtuar qyteti i Apolonisë dhe qyteti i Orikumit. Në guroret e Karaburunit, pranë Gjirit të Gramës gjendet mermer i cilësisë shumë të lartë por është i pashfrytëzuar, për shkak se kjo zonë ka hyrë në zonën e mbrojtur të Gjirit të Vlorës. Karaburuni ka një veçanti sepse meqë aty ka pasur valanidh dhe shkurre vinte dhe gjuante derra të egër, ish-kryeministri Mehmet Shehu”, - shprehet Hoxha

E ardhmja e turizmit, zbulimet nënujore

Me zhvillimin e ri urban të qytetit të Orikumit, i bazuar mbi Planin e Rregullimit të Territorit dhe intensitetin aktual të zhvillimit të turizmit përgjatë Radhimës dhe Orikumit, presioni mbi Parkun Kombëtar Sazan- Karaburun është gjithmonë duke u shtuar. Zamir Dedej, përfaqësues për ruajtjen e natyrës thotë se, për këtë zonë nevojitet një menaxhim më i qëndrueshëm i burimeve natyrore, si për pjesën tokësore ashtu dhe atë nënujore. “Do mundohemi të sjellim në vëmendjen e popullatës, që Shqipëria nuk është vetëm një pjesë e turizmit, ku vetëm mund të bëhet plazh, por zotëron sot një pasuri nënujore shumë të larmishme, e cila duhet të jetë pjesë e zhvillimit turistik, por nga ana tjetër duhet të jetë pjesë e turneve që do të organizohen.

Turistët e huaj kanë filluar ta vlerësojnë. Ne u bëjmë thirrje edhe turistëve shqiptarë, që të japin kontributet e tyre për zonën. Bëhet fjalë për fonde, të cilat kapin një shifër deri në 1 milion e gjysmë dollarë, të cilat po investohen në bashkëpunim me pushtetin vendor. Edhe sot, kemi bashkëpunuar me Agjencinë Kombëtare, për të sjellë në vëmendje këtë lloj pasurie”, - shprehet Dedej. Eksperti i Mjedisit tregon se e ardhmja e turizmit është e prirur drejt formave të reja të eksplorimit të florës dhe faunës dhe është sektori privat, ai që po i jep përparësi, nëpërmjet vënies në përdorim të mjeteve ujore. “Kuptohet që opsionet janë të shumta. Mund të jenë shëtitje përgjatë gadishullit të Karaburunit, mund të jenë shëtitje me varkë në pjesën detare, por mund të jenë edhe zhytje. Gjithë gjatësia e bregdetit të Karaburunit është i ndërtuar nga plazhe unikale. Pra, apeli është që të mos e përqendrojmë vëmendjen vetëm në pjesën e bregdetit të Vlorës, por ta spostojmë atë me një larmi më të madhe edhe në pjesën e Karaburunit. Duhet të kemi parasysh që sot vendi jonë ende nuk ka hyrë në rrjetin e turizmit ndërkombëtar, ku pasuritë detare të vlerësohen dhe të jenë pjesë e atraksioneve për turizmin.

Shpresojmë që viti 2014 të jetë një vit i mbarë dhe them se puna nuk mbaron këtu, por ajo fillon këtu dhe në vitet e ardhshme të marrë një hov më të madh. Fakti që sot janë 4 varka, që veprojnë në bregdetin e Vlorës, duke sjellë turistë, do të thotë se sektori privat po e nuhat këtë lloj turizmi. Unë mendoj se shumë shpejt do të ketë një fluks më të madh turistësh dhe një mirëqenie për komunitetin, sepse në fund të fundit të ardhurat do të shkojnë për ta. Mendoj se Bashkia e Orikumit duhet falënderuar për mbështetjen e madhe që i ka dhënë projektit për parkun detar Karaburun- Sazan dhe për zhvillimin e turizmit. Shumë shpejt zona do të ketë një plan menaxhimi të zhvillimit të parkut kombëtar dhe një plan për zhvillimin e turizmit”, - citon Dedej.  

 Të fshehtat e parkut detar

 Mikpritja e banorëve të Orikumit shihet shumë shpejt, teksa tregojnë gjatë udhëtimit në parkun detar Karaburun-Sazan, për historikun dhe misteret e kësaj zone. Ishulli i Sazanit me një sipërfaqe prej 2721 hektarësh, ende mbetet një nga zonat e rrethuara me vijën e kuqe. Asnjë vizitor nuk mund të afrohet aty dhe për të shkelur në tokën e ishullit duhet një leje e posaçme nga Ministria e Mbrojtjes.

Po ashtu, banorët rrëfejnë edhe për një thesar, i cili mendohet se është i zhytur pranë gadishullit të Karaburunit dhe dikur i ka përkitur Ali Pashë Tepelenës. Të pakta janë vendet, ku mund të bëhet plazh, përgjatë Karaburunit, megjithatë nuk mungojnë turistët, të cilët me varka apo jahte ankorohen pranë tyre. Po ashtu, natyra ka krijuar dhe shpella të shumta, ku secila ka një emër dhe një histori më vete.                


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama