Jo. Oslo më së shumti përcaktohet nga një mungesë gjërash të tilla "madhështore". Oslo është një kryeqytet me katër germa: ai nis e përfundon me të njëjtën zanore. Më shumë rreth tij në këtë pikë të reportazhit tonë nuk mund të themi.
Kush i afrohet qytetit nga deti përjeton përgjatë një udhëtimi prej qindra kilometrash nëpër fjordet norvegjeze aq shumë pamje të rralla e mahnitëse, saqë asnjë metropol tjetër në botë nuk do mund të t‘i ofronte dot. Vizitorin si fillim e pret në port një ndërtesë bashkie shumë e madhe, e cila të jep cuditërisht një përshtypje të stilit real-socialist, që përforcohet nga skulpturat me motive nga jeta punëtore. Por pikërisht në këtë bashki jepet cdo vit edhe cmimi i nëmur "Nobel për paqen" dhe kjo tregon se duke gjykuar nga pamja e jashtme duhet të bësh shumë kujdes për atë që të pret brenda, pasi ajo ka një përmbajtje simbolike të madhe.
50 kilometra deri në aeroport
Nëse vjen natën me avion, nuk arrin të shohësh dot as bashkinë e as cmimet Nobel, por vetëm drita të celura rrezatuese që duken e zhduken ashtu si pa komandë, pasi aeroporti "Gardermoen" gjendet 50 kilometra larg qytetit. "Flytoget", një tren ekspres, na transporton nga aeroporti drejt një stacioni me emrin "Jernbanetorget" dhe pesë minuta më vonë ne gjendemi në dhomën tonë të hotelit.
Atje tri gjëra na bëjnë të habitemi disi: së pari një cajnik me pluhur kafeje dhe bustina caji. Kjo në mënyrë që ne të mos kapitullojmë përballë një politike cmimesh të larta, që ndiqet në Norvegji. Të paktën kështu mund të mbartim me vete pije të ngrohta e të mbijetojmë, le të themi. Gjëja e dytë që na bie në sy është një aparat i sheshtë, që është ngulitur fort në murin e dhomës. Dicka duhet të jetë futur thellë në të, ndoshta me të prodhohet një lloj buke që kërcet shumë kur e ha. Por më pas ne kuptojmë se aparati pas një kohe ngrohjeje prej gjysmë ore do të ishte kësisoj gati për të hekurosur pantallonat tona, domethënë për t‘i sjellë sërish në formë. Manuali i përdorimit nuk duket fort i thjeshtë, kështu që ne i lemë pantallonat tona të pahekurosura dhe flemë për herë të parë në jetën tonë në Oslo.
Norvegjezët këndojnë në dush
Në mëngjes në dush ne vërejmë cudinë e tretë. Një copë letër me mbishkrimin: "De fleste nordmenn synger i dusjen. Syng med da vel", që do të thotë pak a shumë: "Shumica e norvegjezëve këndojnë kur bëjnë dush, pra këndoni dhe ju". Në anën e prapme ndodhet i shkruar teksti i "Singin‘ in the Rain". Një ndjenjë magjike na vërtitet në mend kur mendojmë se në këtë moment me miliona norvegjezë e klientë të ndryshëm të hoteleve, ndërsa ndodhen në dush, intonohen nën tingujt e "Singin‘ in the Rain", ndërsa pranë tyre hekurosen pantallonat, pasi kjo procedurë atje duket se qenkësh thuajse traditë.
Shtëpia e Ibsenit, sot një muze
Henrik Ibsen as që do ta besonte se mund ta kishte kënduar ndonjëherë këtë këngë. Ibsen i shkruante tekstet e tij më mirë vetë dhe në vitet 1900 ai u përkiste padyshim tri objekteve më të rëndësishme për t‘u vizituar në qytet. Vetëm malet dhe një anije vikinge në portin e Oslos i bënin atij konkurrencë, por pas tyre me siguri vinte vetëm ai. Nëse vendoseshe asokohe në parkun rreth kështjellës së qytetit, në një vend të vecantë, mund ta shihje atë të qëndronte me shumë kënaqësi te dritarja. Sot atje mund të shkojë e të rrijë gjithkush. Kati i parë i shtëpisë ku ai banonte është tashmë një muze i shumëvizituar.
Në verë burrat dalin të zhveshur nga mesi e lart
Banesa është e ajrosur mirë, por disi e errët e të jep një përshtypje realiste se si mund të ketë qenë jeta para më shumë se 100 vjetëve në Oslo. Sigurisht, s‘ka të krahasuar me atë që sheh sot në rrugët e Oslos teksa gëlojnë nga njerëzit. Në verë, ndryshe nga c‘mund të imagjinohet, mund të bëjë me të vërtetë vapë e mund të hasësh shumë të rinj që i kanë lënë rrobat e tepërta në shtëpi e që në supermarkete, kinema e sediljet e tramvajeve mbajnë veshur tuta sportive me pjesën e sipërme të trupit të zhveshur (sigurisht meshkujt). E cuditërisht, kjo aty nuk shqetëson kurrkënd.
Si banorët e Oslos gjysmë të zhveshur, ashtu dhe ata të veshurit, nuk mund t‘i rezistojnë dot të dalit përjashta dhe gjithkush vëren me të parën se në këtë periudhë pjesa më e madhe e oslotëve (le t‘i quajmë kështu banorët e këtij qyteti) ndodhen jashtë. Vetëm një lagje e qytetit është paraqitur deri më tani me shtëpitë, rrugët e muzeun e Ibsenit, pasi pjesën tjetër e përbëjnë pyjet, liqenet e trampolinat e skive. Prej cdo pike të qytetit, thuajse mund të shohësh trampolinat në fjalë në kompleksin malor të Holmenkollen-it. Dhe nga Holmenkollen përftohet një pamje madhështore mbi tërë qytetin. Sigurisht që ajo është mënyra më e mirë për të zbritur në Oslo: me një sllallom të pastër, të realizuar mirë teknikisht në stilin V, që përfundon direkt e në zemër të qytetit. Në vitin 1892, rekordmbajtësi quhej Arne Ustvedt, dhe ai arriti kuotën 21,5 metra e ishte norvegjez.
Edhe pishinë, edhe platformë për skiatorë
Turistët e vizitorët në qytet, me ndihmën e një teleferiku mund të ngjiten lart drejt platformës, për të zbritur pastaj poshtë me ndonjë hedhje spektakolare që duket sikur të jep më shumë energji e motiv për ta rinisur jetën nga e para. Atje lart gjendesh në lartësinë 417 metra mbi nivelin e detit. Një hedhje prej andej është e mundur edhe tani në verë, porse do të biesh në ujë, pasi kompleksi në fjalë shërben edhe si kompleks publik pishinash. Por edhe koncertet simfonike dhe turnetë e garave të hipizmit zhvillohen shpesh aty. Mrekullohesh kur sheh që në Oslo jo vetëm në dimër mund të shohësh njerëz me pajisjet e skive në krahë, duke u ngjitur drejt platformës.
Një ishull që u përket lepujve
Në verë, më shumë preferohet të qëndrohet në port e ta kesh bashkinë pas krahëve, të udhëtosh me traget nga Aker Brygge drejt njërit prej shumë ishujve të vegjël që janë të shpërndarë ashtu në distanca të crregullta në ujin e gjirit. Cdo banor i Oslos ka ishullin e tij të preferuar, ku mund të bëjë banjo dielli. Hovedųya, Bleikųya, Langųyene. Ne vendosim për Gressholmen, pasi në pamje të parë na duket më simpatiku. Dhe jo vetëm për ne, pasi përpos njerëzve që pushojnë, Gressholmen është kryesisht i mbushur me lepuj. Lepuj të të gjitha racave, madhësive e moshave dhe në të tilla tufa sa që duhet të bësh kujdes mos shkelësh në kallo ndonjë familje të madhe, le të themi. Sapo ngre vështrimin mbi qiellin e Oslos, vijnë edhe kafshët e para dhe të afrohen me qesëndi e kureshtje. Duket se kjo i ka ngacmuar dhe banorët e tjerë të ishullit, të cilët më ofrojnë kek dhe bukë të ngjyer me një gjalpë vendas. Një gjendje vërtet kënaqësie: më shumë njeriu s‘ka nevojë të ketë, apo jo? Një fjord, një trampolinë ku të hidhesh drejt lirisë, qindra lepuj dhe një birrë. Tashmë që e pamë Oslon nga perspektiva e trampolinës së skive dhe nga ajo e lepujve, mund të shohësh mbarë qytetin në lartësinë e syrit. Ia nisim më mirë nga "Zoologisk Museum", nga i cili ne kuptojmë më mirë se si qëndron puna me lepujt e cdo gjë tjetër.
Gumëzhima insektesh në vend të zhurmës së makinave
Muzeu në fjalë ndodhet në kopshtin botanik, në lagjen Toyen të kryeqytetit. Një ndërtesë trekatëshe në stilin klasik, me c‘duket qysh prej kohësh që nuk mbahen mend, e lënë ashtu në një qetësi sovrane dhe në një freski të këndshme. Zhurmat e insekteve të panumërta nga territori i kopshtit botanik të qetësojnë veshët në këto ditë të nxehta vere, duke shmangur zhurmat e makinave në rrugët e qytetit e duke të bërë të ndjesh një aromë poezie. Vetëm pak metra nga muzeu zoologjik gjenden gurë të lidhur me hekur, që përbëjnë elementët bazë me të cilat është ndërtuar një ndërtesë e madhe për të ruajtur më mirë fotot e Edvard Munch.
Kujdes nga Edvard Munch!
Duhet të jetë shumë e rekomandueshme të merresh në një ditë vere me veprat e Munch. Pasi punimet e tij nuk të përcjellin domosdoshmërish një atmosferë optimiste. E kjo nuk haset vetëm te legjendarja "Klithma", porse aty mund të kesh shumë alternativa sic janë "Frika", "Melankolia", "Ngushëllimi", "Gruaja e pasionuar", por edhe "Autoportret me shishe vere" dhe gjithashtu "Autoportret në ferr". Dyqani i muzeut ofron "Klithmën" për ta marrë me vete, që të kujtosh se jeta nuk është fushë me lule.
Parajsa e zgarave në Sognsvann
Kjo përshtypje përgjatë gjithë verës të del përpara ngado që shkel në Oslo. Një atmosferë gëzimi mbizotëron jo vetëm në ishullin e ashtuquajtur të lepurushëve. Edhe në Sognsvann, një ndër shumë liqenet me të cilët Oslo është i rrethuar thuajse i tëri në mënyrë të mrekullueshme, e ndesh atë ndjenjë. Nga "Vigelandpark" të duhen 20 minuta me metro dhe e gjen veten duke u zhytur në ujëra përrallorë, brigjet e të cilave zakonisht janë të populluar me norvegjezë të pasionuar pas natyrës, që bëjnë piknik duke skuqur mish në zgarë. Rreth një e treta e vendit në fjalë është e zënë nga kampingje natyrore me njerëz të tillë dhe diku ekzistojnë sigurisht edhe pajisje për zgara.
Alkooli, norvegjezët ta shesin shtrenjtë
Natyrisht që ne nuk duam ta humbasim rastin për të pirë alkool në Oslo. Shteti norvegjez e ka kuptuar se duhet ta frenojë sa të jetë e mundur shijimin e kësaj pijeje, duke vendosur në përdorim cmime të larta. Pasi mall të tillë gjen vetëm në "Vinmonopolet", që janë dyqane alkooli me licencë shtetërore e që aplikojnë cmime që na bëjnë të mendojmë mirë për cdo gllënjkë që hedhim në fyt. Nëpër lokale, një gotë birrë kushton rreth 8 euro. Kur takohen në ndonjë party, të rinjtë norvegjezë më mirë preferojnë të sjellin me vete rezervat e tyre të alkoolit. Në disa pika karburanti mund të blesh edhe ndonjë shishe ku gjendet një sasi fare e vogël lëngu, një lloj esence aromatike, të cilën duhet ta provosh.
Festë me mish balene
Neve, gjatë një feste private, na u ofrua një pije shumë e shijshme, përbërja e së cilës nuk na u shpjegua. Por vështrimin e hodhëm menjëherë te mishi i balenës, të cilin atë natë e provuam për herë të parë, natyrisht të skuqur në zgarë. Norvegjezët prezentë aty kujdeseshin për copëzat e balenës në zgarë, që atje në fakt duhet thënë se konsiderohet një ushqim tradicional, por më shumë për të varfrit. Si e kishte shijen? Le të themi një përzierje e cuditshme e shijes së mishit të gjedhit me mëlcinë, e shoqëruar nga një aromë disi e vecantë.
Do të ishte plotësisht e gabuar të besonim se më e mira në Oslo janë rrethinat e tij. Ia vlen të rrugëtosh nëpër pjesët e qytetit si Grünerlųkka apo Grųnland, ku ndër të tjera gjen dyqane me pulla poste me simbole të arinjve dhe madje edhe me atë të xhamisë së vetme në mbarë Skandinavinë.
Jeta e natës, e gjallë
Oslo ofron sipas dëshirës e prirjeve edhe një jetë nate të gjallë me shumë bare e klube, të cilat ne në fakt sikur i lamë pas dore për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion. Jeta e natës haset sigurisht prezente në të gjitha qytetet e mëdha. Vetëkuptohet se ia vlen gjithashtu edhe një udhëtim me traget në ishullin e muzeve Bygdųy, ku mund të përjetosh në "fshatin e muzeumeve" një qetësi akustike e optike, e të vëresh se cfarë pasojash ka shkaktuar në të shkuarën përdorimi i pakontrolluar i alkoolit për norvegjezët.
Antikja dhe modernia nën një cati
Në muzeumet e tjerë janë ekspozuar anijet e barkat vikinge dhe ato moderne të kërkimeve shkencore polare, si dhe "Kon-Tiki", barka, me të cilën Thor Heyerdahl solli dëshminë se edhe para mijëra vjetësh mund të udhëtoje me të nga Peruja deri në Polinezi. Shkencëtari dhe eksploratori, i cili nuk ka shumë kohë që ka vdekur, vlerësohet si një hero kombëtar në Norvegji.
Në mëngjes, disa turne në liqenin e Frognerbad (me një rrëshqitëse gjigante), na bëjnë që deri në mesditë të kemi përshkuar itinerarin nga Sognsvann në Gressholmen, duke hedhur vështrimin nga ishulli i lepurushëve e nga trampolina e madhe. Në mbrëmje nisëm të këndojmë me zë të lartë, ndërsa laheshim në dush. Nga aty pranë vinte aroma e pantallonave që po hekuroseshin me avull. E kjo nuk të ofrohet në asnjë qytet tjetër në botë.
Marre nga : Gazeta Shqip