Osman Zekthi akrobati qe la cirkun per dashurine

Osman Zekthi, akrobati që la cirkun për dashurinë
DURRËS - Dashuria mund të shfaqet në forma të ndryshme. Disa njerëz sakrifikojnë për të edhe pasionet më të mëdha të jetës së tyre. Duket se e njëjta gjë ka ndodhur me Osman Zekthin, akrobat i viteve '30, i cili, siç tregon e bija, sakrifikoi cirkun në mënyrë që të mund të jetonte me vajzën me të cilën u dashurua.

Një fotografi mjaft interesante dhe e vjetër që mendohet se u përket viteve '30 të shekullit të kaluar, sjell në vëmendje një art të vjetër që ka pasur në ato kohëra edhe legjendat e veta: pelivanët e parë, bashkërenduesit e rrugës së ardhme të cirkut modern shqiptar. Fotografia ndodhej në shtëpinë e Violeta Burgisë dhe kur e pyetëm mbi identitetin e personit që ndodhej në atë foto të rrallë, ajo tha se ishte fotoja e babait të saj, Osman Zekthi. Fotografia tregon një person me trup atleti që i hipur mbi një litar të tendosur ecën me kujdes duke mbajtur në dorë një shtangë ekuilibruese dhe në dorën tjetër nga pas edhe një karrige. Fotoja, megjithëse e vjetër i ruante tiparet e pelivanit që pak kush e ka njohur në skenat e vendit, pasi ai, sipas së bijës, nuk e vazhdoi kur arriti lulëzimin e vet megjithë këmbënguljen e mikut të vet, Ali Xhixha. Osmani shquhej mjaft mes miqve të vet si njeri hokatar dhe ironik. Dhe "ironia" vjen nga një lartësi prej 15 metrash ku ai shtegtonte me gjithë karrigen e vet...

Osmani i talentuar 14-vjeçar

Violeta tregon se Osman Zekthi ka qenë një talent për të cilin kishte treguar interes edhe i famshmi i atyre viteve, Ali Xhixha. Osmani adoloshent e ndiqte cirkun e tij që në moshën 14-vjeçare. Dhe më pas u aktivizua në shfaqjet e tij. Në foto ai paraqitet si ekuilibrist i formuar plotësisht, por biografët e cirkut dëshmojnë se ai ka qenë edhe një kloun mjaft i preferuar që bënte pjesë në grupin prej 5 vetësh që kishte Ali Xhixha si ekip. Gruaja e Osmanit, Katja, thotë se ai ka dhënë shfaqje në ato vite në shumë qytete nga veriu në jug të Shqipërisë.

"Parashutisti i pafat"

E bija e Osmanit kujton se për babanë e saj kur ishte vajzë tregohej një histori interesante që kishte të bënte me fillimet e karrierës së tij në trupën e pelivanëve. Në atë kohe ai banonte në afërsi të Varrit të Bamit, tek rruga "Dum Alla" ku ndodhej edhe një shesh me caraca që njiheshin si caracat e Dum Dokut. Këto pemë qenë shumë të vjetra dhe shumë të larta. Një ditë Osmani, thuajse fëmijë, pasi kishte parë një film amerikan, i kishte tërhequr vëmendjen një personazh në këtë film që fluturonte me një çadër. Pasi e kishte ndjekur me fantazinë e vet, djaloshi kishte vendosur të fluturonte me çadër njëlloj si personazhi i filmit të lakmuar. Për këtë ai thërret shokët dhe i njofton se të nesërmen do të fluturonte ashtu si amerikani. Për të realizuar aventurën e tij fëmijërore, Osmani shkon dhe i merr gjyshit të vet Rexhep Zekthit, një çadër të madhe dielli dhe niset me vrap drejt caracave të Dum Dokut. I ndjekur nga një tufë e madhe fëmijësh të zhurmshëm, ai ngjitet lart në caracën e madhe dhe përshkruan të gjithë lartësinë e sajë duke zvarritur nga pas edhe çadrën e madhe, të cilën ai kishte vendosur që ta kthente në një parashutë. Pasi ngjitet në lartësi, djaloshi hap çadrën, duke menduar se do të ishte një parashutë e sigurt dhe pasi merr vrull shkëputet nga dega e pemës. Por pa sukses pasi çadra griset dhe "parashutisti" bie pingul poshtë. Qenë degët e pemëve ato që lehtësuan rënien, si dhe fakti që toka ishte e butë pasi kishte rënë shi. Si rrjedhojë eksperimentuesi kokëkrisur përfundoi në krevat me shumë shembje në trup. Por ky eksperiment i dështuar nuk e trembi atë për të synuar lartësitë, të cilave nuk iu nda për shumë vite. Kjo përvojë qe edhe fati i tij për disa kohë, pasi Ali Xhixha e pikasi dhe e mori në trupën e vet.

Pelivanët e Ali Xhixhës

Aktorja fenomenale e cirkut shqiptar Vitore Sallaku sjell në vëmendje nëpërmjet kujtimeve të saj në librin "Historia e cirkut shqiptar" edhe fillimet e artit të pelivanëve, si dhe kujton se si nisi rruga e Ali Xhixhës, i cili në atë kohë ishte kthyer në idhullin e rinisë tiranase. Sipas Sallakut, pelivani Xhixha mori licencën nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Rexhep Jella në vitin 1933, vit ky që përkon me dëshminë e fëmijëve të Osmanit se ai e kishte filluar veprimtarinë e vet në moshën 14-vjeçare. Duke krahasuar të dhënat e marra nga burimet e familjes, si dhe të librit të cituar të Vitore Sallakut, Ali Xhixha u lind në vitin 1918. Osmani u lind në vitin 1919. Vitore Sallaku thekson se në repertorin e Aliut "pjesë ishin edhe klounët Osman Zekthi dhe Myslym Prushi". Aliu, sipas Sallakut, në më të shumtën e rasteve mbante në grupin e tij 5 vetë. Njëri merrej me muzikën, dy ishin kllounë, dhe dy të tjerë akrobatë. Me sa duket, Osmani ka qenë edhe akrobat, duke u nisur edhe nga fotoja që po e botojmë, por edhe klloun.

Ndërprerja e cirkut

Cirkun që Osmani e donte aq shumë, u detyrua që ta lërë për një tjetër dashuri. Kur po jepte shfaqje në një qytet të Shqipërisë së mesme, dallon një vajzë që mes perçeve të shoqeve të saj kishte ardhur, ishte shumë e evropianizuar. Kishte veshur madje edhe një kapele elegante për atë kohë. Për herë të parë ai ndjeu që t'i lëkundeshin gjunjët në tel. Mbase kjo ka qenë një goditje zemre. Vajza që e kishte verbuar ishte vërtet e bukur dhe kjo e bëri atë Osmanin të kërkonte që të martohej me të. Por vjehrri i ardhshëm pasi e "skedoi" dhëndrin kandidat, i vuri si kusht që të linte cirkun, pasi ky lloj arti mund t'i linte fëmijët rrugëve. Të luaje në lartësi prej 15 - 30 metrash pa asnjë masë mbrojtëse ishte një sfidë që artistët e cirkut të Ali Xhixhës ia bënin jetës së tyre sa herë që hipnin në këtë lloj teli. Osmani, pasi u mendua, e hodhi shortin e jetës së tij. Në vend të cirkut ai zgjodhi Katen, vajzën bukuroshe si në filmat e Hollivudit!

MARK BRUNGA : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama