Në sportelin e biletave të Teatrit të Operës dhe Baletit është shpallur kalendari i sezonit artistik 2010, vetëm me shfaqjet e baletit dhe operat, tek-tuk ndonjë koncert i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve dhe përvjetor artistësh.
Kalendari i plotë ende nuk është bërë zyrtar për mediat dhe po kështu, nuk janë shpallur emrat e ekzekutuesve të këtyre shfaqjeve.
Si çdo vit, numri i operave është më i madh krahasuar me baletet.
Ashtu siç është njoftuar, sezoni hapet me premierën "Manon Lescaut", me muzikë të Xhakomo Puçinit, libret të Antoine Prévost. Realizimin e saj e ka marrë përsipër regjisori Nikolin Gurakuqi, që është në përfundim të provave. Shfaqet më 14, 16, 18 dhe 19 shkurt.
Dy ditë para përfundimit të kësaj premiere, më 17 shkurt, Ansambli Popullor i Kosovës jep një koncert për publikun shqiptar.
Në mars rikthehet pas 46 vitesh baleti shqiptar "Delina", krijim i Çesk Zadejës. Për herë të parë ky balet është shfaqur në skenën e TKOB në vitin 1964 me koreografi të Panajot Kanaçit. Libreti është shkruar po nga Kanaçi, bashkë me Çesk Zadejën. Solistët e parë të këtij baleti janë: Agron Aliaj (Arbani) dhe Zoica Haxho (Delina). Këtë herë Aliaj është koreograf. Shfaqet më 4, 5 dhe 7 mars.
Po në këtë muaj, një tjetër vepër e njohur e repertorit klasik botëror, interpretohet nga solistët e Teatrit të Operës. Opera "Rigoletto" e Xhuzepe Verdit, me libret të Francesco Maria Piave. "Rigoletto" ka njohur 3 variante skenike. Për herë të parë në vitin 1965, me regji të Luigj Gurakuqit, dirigjent Mustafa Krantja. Xhilda dhe Rigoletoja i parë kanë qenë bashkëshortët Nina dhe Avni Mula.
Është rivënë në vitin 1994 dhe në 2005, me regji të Nikolin Gurakuqit. Në vitin 1994, Xhilda u interpretua nga sopranoja Marjana Leka, kurse Rigoletto nga tenori Adrian Xhema, Agim Duro dhe Ymer Kacaj.
Opera e shfaqi sërish "Rigoletton" në vitin 2005, në pesëdhjetë vjetorin e premierës, me regji të Nikolin Gurakuqit. Xhilda u interpretua sërish nga Marjana Leka, dhe Etleva Golemi, Rigoleto nga baritoni italian Pietro Terranova dhe ai shqiptar Ylber Gjini.
Për herë të katërt shfaqet në datat 20, 21, 23, 24 dhe 25 mars.
Në kalendar është planifikuar një balet. Më 11, 12, 14 dhe 16 prill, shfaqet premierë "Carmen" i Georges Bizet, një produksion i kompanisë "Balletto del Sud", me koreografi të Fredy Franzettit. Në vitin 2008 në bashkëpunim me të njëjtën kompani dhe të njëjtin koreograf, kanë interpretuar balerinët Enada Hoxha dhe Gerd Vaso në Itali.
Në prill prezantohet për publikun e Operës, kompozitori David Tukiçi me operën "Jeta është ëndërr" (La vita é Sogno). Kompozitori foli për këtë krijim në një intervistë në gazetën "Shekulli" në dhjetor 2009. Kjo është hera e fundit e ardhjes së tij në Shqipëri, në një koncert të Radio-Televizionit shqiptar, bashkë me të vëllanë, Genc Tukiçin. Opera "Jeta është ëndërr" shfaqet në 29-30 prill dhe 1-2 maj.
Gjysma e dytë e sezonit hapet me premierën "Anna Bolena" të kompozitorit italian Gaetano Donizetti. Në vitin 2008 është shfaqur nga ky autor tragjedia "Lucia di Lammermoor". Në këtë shfaqje shkëlqeu sopranoja Orjana Kurteshi në rolin e Luçias. "Anna Bolena" shfaqet më 2-9 qershor.
Më 23-30 qershor shfaqet baleti "Zorba" me muzikë nga Mikis Theodorakis.
Në kalendarin që po prezantojmë ku mungojnë koncertet solo dhe ato të studentëve të Akademisë së Arteve, po edhe përvjetore artistësh, nuk janë shënuar aktivitet që zhvillohen në muajt e verës. Lajmërohet vetëm 100-vjetori i sopranos së njohur lirike Tefta Tashko Koço.
Sezoni rinis në tetor me operën e kompozitorit gjerman Jacques Offenbach "Përrallat e Hoffmanit" (The tales of Hoffmann). Shfaqen 1 deri më 6 tetor.
Po në këtë muaj, rikthehet për publikun shqiptar koreografi italian, me premierën botërore, baletin "Gjak dhe dritë" (Sangue e Luce). Në prill të vitit të kaluar, Candeloro, u prezantuan në Teatrin e Operës me baletin "Krijimi" (Die Schöpfung). Shfaqja është caktuar më 17-23 tetor.
Nga vepra e tragjedianit anglez William Shakespeare vjen "Otello" me muzikë të Xhuzepe Verdit, premierë më 11-18 nëntor.
Baleti "Bukuroshja e fjetur" me muzikë të Çajkovskit shfaqet më 2-8 dhjetor.
Sezoni artistik i këtij viti mbyllet me operetën "Vejusha gazmore", me muzikë të Franz Lehár, më 24-27 dhjetor.
Jorida Pasku
Nga : Gazeta Shekulli