Deklarata zyrtare e PD: “Ky akt kërcënimi erdhi pas denoncimit me fakte dhe prova të së kaluarës kriminale të Arben Ndokës, i dënuar nga drejtësia italiane me 7 vite burg për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese dhe për heqje të lirisë së tjetrit”.
artia Demokratike reagoi dje pasdite përmes një njoftimi për shtyp ku thuhet se deputeti i PS-së, Arben Ndoka ka kërcënuar zëdhënësen e PD-së, Laura Vorpsi. “Sot (dje) pasdite Arben Ndoka kërcënoi me anë të një bisede telefonike zëdhënësen e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi. Partia Demokratike e dënon me forcë aktin e sotëm mafioz të kërcënimit të zëdhënëses zyrtare të Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, nga deputeti Arben Ndoka.
Ky akt kërcënimi erdhi pas denoncimit me fakte dhe prova të së kaluarës kriminale të Arben Ndokës, i dënuar nga drejtësia italiane me 7 vite burg për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese dhe për heqje të lirisë së tjetrit. Kërcënimi i sotëm banditesk ndaj zëdhënëses zyrtare të Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, nga Arben Ndoka është një tjetër provë se në Shqipëri, Edi Rama ka ngritur një infrastrukturë kriminale e mafioze për t’i mbyllur gojën opozitës dhe fjalës së lire”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Partisë Demokratike. Më tej, në deklaratë thuhet: “…Partia Demokratike i bën me dije Edi Ramës faqe opinionit publik kombëtar dhe gjithë faktorit ndërkombëtar se ai, do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike, ligjore, personale dhe të gjithanshme për çdo akt kërcënimi dhe dhune ndaj përfaqësuesve të opozitës, të frymëzuar nga ai dhe kodoshët e tij politikë”.
Ndërkohë dje paradite, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi doli në një konferencë për shtyp pikërisht për rastin e Ndokës. “Kur Partia Demokratike në mënyrë të përsëritur denoncon me fakte dhe me prova lidhjet kriminale të Edi Ramës dhe depërtimin e krimit në Parlament, Edi Rama kërkon emra. Kërkon emra dhe provokon opozitën me porositë e zonjës Xhaçka. Kërkon emra dhe organizon goditjen dhe kërcënimin me jetë të deputetëve të opozitës me strukturat e dhunës që ka ngritur në Kuvend. Nga dje, Edi Rama e ka një emër. Ka transparencën e plotë të një dosje kriminale. Deputeti i Edi Ramës ka emër, dhe është dënuar hiç më pak se sa për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe heqje të paligjshme të lirisë së tjetrit. Edi Rama e njeh mirë këtë emër, është ai që urdhëroi mënjanimin e dy kandidateve gra për t’i hapur rrugën futjes së Arben Ndokës në parlament”,- tha dje Vorpsi përmes konferencës për shtyp. Sipas saj, faktet e bëra publike nga Partia Demokratike kanë tronditur mbarë opinionin publik dhe shoqërinë shqiptare. “I madh dhe i vogël po flet me shqetësim të thellë për këto fakte alarmante të depërtimit të krimit në parlament. I vetmi që hesht është Edi Rama. I vetmi që bën shurdhin dhe të paditurin është Edi Rama. Por faktet flasin vetë dhe Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi”, – tha ajo.