Partia Demokratike i ka cilësuar mashtrime deklaratat e djeshme të kryeministrit Edi Rama për legalizimet. Në një deklaratë për mediat, Silvi Bardhi ka denoncuar se prej më shumë se 6 muajsh, kryeministri nuk ka bërë asnjë dosje dhe se tapitë e shpërndara dje kanë qenë të përgatitura nga administrata e mëparshme.
“Edi Rama ka vendosur uljen e përdorimit të letrave me vlerë në procesin e legalizimit, nga 70 për qind që ishte më parë, në 30 për qind. Pra qytetarët do të paguajnë me para në dorë, të paktën dy herë më shumë se sa në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Kjo është e reja e Edi Ramës me legalizimet. U bënë më shumë se 6 muaj, që Edi Rama dhe lamja i tij, rrotullohen duke menduar një zgjidhje për mashtrimin e legalizimeve falas. Vendimi i parë që morën ishte bllokimi i procesit. Ka më shumë se 6 muaj që ALUIZNI nuk bën asgjë. Madje tapitë që dha dje Edi Rama me regji qendrore, janë tapitë e përgatitura nga administrata e qeverisë së mëparshme që ai i mallkonte dhe i baltoste çdo ditë kur ishte kryetar bashkie, dhe kur mbajti të bllokuara për vite me radhë mbi 6 mijë dosje legalizimi, për interesat e veta klienteliste”, u shpreh Bardhi.
Sipas PD-së, kreu i ekzekutivit vetëm është tallur me legalizimet dhe qytetarët që kanë pasur nevojë për këtë shërbim. “Prej 6 muajsh, Edi Rama nuk ka përgatitur as edhe një tapi të vetme. Nuk ka përgatitur as edhe një dosje legalizimi. Gënjen dhe mashtron, dhe sërish me regji qendrore. Nuk ka legalizim falas. Tapia e legalizimit do të kushtojë 2 herë më shtrenjtë se më parë”, përfundon Bardhi.