Partia Demokratike ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme denoncimet mbi emërimet, sipas saj, të elementëve të inkriminuar në poste drejtuese të institucioneve të vendit. “Po vendosen krerë të klaneve mafioze në krye të drejtorive të institucioneve. Trafikantët e drogës kanë kapur administratën nga zyrat e rretheve deri në majat e pushtetit”, deklaroi dje zëdhënësja e Selisë Blu, Laura Vorpsi. Duke vijuar më tej Vorpsi, iu referua emërimit së fundmi të një personi në drejtimin e Këshillit të Qarkut të Vlorë, që më parë ka drejtuar një organizatë kriminale dhe që në atë kohë ka rrëmbyer për qëllime përfitimi vajzën e një biznesmeni. “Përgjegjës për këtë është vetëm një njeri, Edi Rama. Teksa kjo ndodh, Rama fshihet nga mediat dhe kalon fundjavat me udhëtime turistike jashtë vendit. I rrethuar nga kriminelët dhe i mbështetur prej tyre në fushatë, Rama konfirmohet çdo ditë si kumbari i këtij rrjeti mafioz”, ka thënë Vorpsi.
Një ditë pasi Kuvendi vendosi që të shtyjë për javën e ardhshme votimin për ngritjen e Komisionit Hetimor që do të hetojë emërimet në postet kyçe të Administratës Publike të bëra nga qeveria e majtë, Lëvizja Socialiste për Integrim u kërkon dy partive të mëdha PS-së dhe PD-së që ky hetim duhet të kryhet që prej vitit 2009. Për kryetarin e grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ky hetim nuk duhet të bëhet me qëllim që partitë të bëjnë deklarata dhe konferenca shtypit, por sipas tij, ky komision duhet të kryejë një hetim të gjithanshëm të fenomenit që ndodh pas çdo rotacioni politik. “Qëndrimi ka qenë që ne duhet të ecim në komisione hetimore problemore. Ne nuk e imagjinojmë komisionin hetimor si fakt mbledhës që jep material për konferenca shtypi. Na kërkohet të mbajmë një qëndrim për fenomenin. Nuk mjafton që të themi se ky emërim është bërë gabim apo mirë. Qëndrimi i Parlamentit për të marrë më shumë kohë për një zgjidhje mendjehapur, është një qëndrim i ri drejt një zgjidhjeje më konsensuale.
Të dyja palët mendojnë një lloj, që duhet hedhur dritë mbi fenomenin e ndryshimit të emërimeve me ndryshimin e mazhorancave. Qëllimi i LSI-së është të bëjmë komision hetimor me përmbajtje”, tha Petrit Vasili. Në deklaratën e djeshme për shtyp, kreu i deputetëve të LSI-së u ndal edhe te çështja e biznesit fason, ku në seancën plenare të së enjtes, deputeti i LSI-së, Luan Duzha, i kërkoi qeverisë që të mbyllë paketën ligjore lehtësuese për këtë biznes. Duke sqaruar këtë kërkesë të Duzhës, Vasili tha se jo të gjitha nismat për t’i ardhur në ndihmë këtij biznesi, janë ndryshime ligjesh. Qeveria ka përgatitur një paketë me mbi 40 masa për biznesin fason, e cila ende nuk ka kaluar në Parlament.