Partia Demokratike në një deklaratë për mediat disa minuta më parë denoncoi kërcënimin e deputetit Mark Frroku ndaj deputetes Jozefina Topalli. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi tha se Topalli është shantazhuar nga Frroku fill pas seancës së djeshme parlamentare ky Topalli I kërkoi edi Ramës të pozicionohet për deputetin Frroku, për të cilin mediat belge thonë se akuzohet për vrasje.
“Para se të shantazhojë një zonjë, deputeti Frroku do bënte mirë të sqaronte pozicionin e tij me drejtësinë”, tha Vorpsi. Më tej ajo shtoi se “PD nuk tërhiqet nga denoncimi, e kemi për detyrë qytetare dhe patriotike të mos pajtohemi me këtë situatë por të qëndrojmë në krah të opinionit publik që kërkon përfaqësim dinjitoz në parlament”.
Çfarë tha Topalli dje në Kuvend:
“Para disa ditësh një gazetë belge fliste për një emër që është deputet këtu në sallën e Kuvendit, që akuzohej për vepra të rënda penale, trafiqe etj. Unë nuk di cili do të jetë vendimi, por një njeri që është ulur në këtë sallë disa vite nuk mund të rrijë pa i thënë Kryeministrit: Fol e shpjego. Ku do të shkojë vendi nëse të gjithë do të heshtin, nëse gazetat e huaja hapen me të tillë emra e probleme, nëse është i pafalshëm pse nuk i del zot Kryeministri”.