Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se po mashtron me të dhënat për të ardhurat në Dogana për muajin dhjetor ndërkohë që shqiptarët po zhvaten me taksat e reja. Deputeti Florion Mima tha sot se “Shqiptarët do të paguajnë edhe për gjoja tejkalimet e të ardhurave. Sasitë dy apo trefish më të larta në ç’doganimin e cigareve dhe karburanteve gjatë muajit dhjetor 2013, për të shmangur regjimin e ri fiskal me taksat e reja që do të hynin në fuqi me 1 janar 2014, përfaqësojnë para qe jo vetëm mungojnë në arkën e përbashkët të shqiptarëve, por që në të njëjtën kohë u zhvaten atyre paralelisht njëlloj sikur për këto mallra të ishin paguar akciza e re dhe taksa e re e qarkullimit duke aplikuar çmime të rritura egzaktësisht sa masa e taksave të reja”.
Mima akuzon direkt qeverinë për këtë skemë që sipas tij do të përfundojë në zhvatje të xhepave të qytetarëve. “Ne kemi arsye të besojmë se e gjithë kjo maskaradë zhvatjeje është e dirigjuar nga duar pranë qeverisë. Konsulentit kryesor të huaj të kësaj agjencie, ndonëse të përzgjedhur në kundërshtim me ligjet në fuqi të vendit, por që paguhet nga paratë e taksapaguesve shqiptare, i takon, në bazë të ligjit, të investigojë këtë skemë korruptive evazioni, shmangieje dhe zhvatjeje të qytetarëve në vlerën e dhjetëra milionë dollarëve dhe të propozojë të njëjtat masa apo aksione që do të kishte ndërmarrë në vendin e vet për të garantuar që paratë që populli paguan me çmime të kripura me gjoja taksat e reja të shkojnë në arkën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve dhe jo ne xhepat e qeveritarëve të korruptuar”, theksoi Mima.
Një ditë më parë drejtoresha e Doganave Elisa Spiropali tha se të ardhurat e muajit dhjetor kishin arritur shifra historike.