Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën se me nderimin që i bëri figurës së Enver Hoxhës në homazhet për ditën e dëshmorëve po provokon dhe fyen mijëra shqiptarë që janë persekutuar, vrarë, internuar e burgosur prej tij.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, zëdhënësja e kësaj partie, Laura Vorpsi, duke iu referuar dy rasteve të djeshme, kur deputeti i PS, Pandeli Majko, duke bere shaka bashke me banoret e zones se tij, nderoi me grusht përpara monumentit te “Nena Shqiperi” si dhe rasti tjetër kur ministri i Drejtësisë Nasip Naço, gjate homazheve ne Berat, u përkul para fotos së Enver Hoxhës, theksoi se provokimet e dyshes Rama-Meta ishin të papranueshme dhe synonin të rehabilitonin figurën e diktatorit.
“Nderimi i figurës së Enverit dhe simboleve të tij, janë një fyerje dhe përbaltje e kujtimit të dhjetëra mijë shqiptarëve të persekutuar, të internuar, të burgosur të dënuar me vdekje, të pushkatuar pa gjyq.
Dyshja Rama-Meta po shfrytëzojnë çdo rast, në mënyrë të përsëritur për të rehabilituar dhe rikthyer në jetën tonë, diktatorin më të egër të lindjes që privoi një komb të tërë nga liritë dhe të drejtat më themelore të njeriut, dhe që e shkëputi me dhunë vendin tonë nga familja europiane, duke e zhytur në zinë e bukës”, thuhet në deklaratën e PD.
“Mazhoranca e majtë, Rama dhe Meta, le ta mbajnë idhujtarinë e tyre për Enverin në dhomën e gjumit, dhe mos të guxojnë ta bëjnë pjesë të protokollit dhe të skenës publike, vetëm e vetëm pse aktualisht qeverisin vendin. Koha e lavdisë ikën, dhe ikën shumë shpejt kur populli preket aty nuk duhet”, përfundon deklarata e PD.