Partia Demokratike ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama se punëson njerëz me precedentë penal. Zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, ka deklaruar se Drejtori i Zyrës së Punësimit në Kavajë është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga prokuroria dy vite më parë, me akuzën e kontrabandës.
“Dy vite më parë, në verën e vitit 2012 Saimir Kurti, u zbulua nga autoritetet doganore teksa një kontenier që vinte nga kina plot me cigare, e deklaronte si të mbushur me dyer, për të shmangur detyrimin prej 400 milionë lekësh. U kallëzua, dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria. Pak ditë më parë, ky person ka marrë postin e lartë të Drejtorit të Zyrës së Punës në Kavajë, i propozuar nga Erion Veliaj, në një ceremoni më shumë ngjyra, ku prezantimin ia ka bërë Kryeministri, Edi Rama.
Mund ta dalloni në këtë foto, personin e shpallur në kërkim për kontrabandë, që qëndron para kryeministrit dhe në krah të ministrit. Nuk do mend e kalem, për ta kuptuar se sa boshe është retorika e Kryeministrit për merita e profesionalizëm. Me emërimin që po denoncojmë ne sot, del qartë se rilindja e Edi Ramës, është thjeshtë e vetëm rilindje e personave që kanë probleme të rënda me ligjin, por që i shërbejnë interesave klienteliste të partisë, Kryeministrit dhe Ministrave të linjës”, ka thënë Vorpsi.