Partia Demokratike ka lëshuar sot akuza ndaj Ministrisë së Brendshme dhe policisë që sipas kësaj force politike ka mbajtur të shoqëruar në komisariat një fëmijë 5 vjeç së bashku me nënën e saj pasi nuk mund të paguante dot faturat e energjisë elektrike.
Drejtori i Departamentit për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Ervin Salianji ishte sot para ambienteve të komisariatit numër 3 ku denoncoi rastin.
“Marrëzia, papërgjegjshmëria dhe pashpirtësia e kësaj qeverie nuk ka fund. Tek ky komisariat, Komisariati nr 3 në Tiranë, është shoqëruar dhe mbajtur e izoluar kjo fëmijë 5 vjeç, çka duket nga fotot që vajza është mbajtur për një kohë të gjatë në qelinë e izolimit, në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Deklaratën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Deklaratën e Pekinit. Shoqërimi i fëmijës është bërë për shkak se nëna e saj nuk ka mundësi të paguajë energjinë elektrike”, u shpreh Salianji.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike nënvizoi dy standardet që manifeston qeveria.
“Qeveria po arreston dhe po shoqëron njerëzit e pamundur dhe të varfër, fukarenj, dhe po promovon kriminelët, personat me precedent penal, vjedhësit e energjisë, duke i bërë drejtorë. Qeveria po lejon në rrugë kriminelët dhe po izolon si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore fëmijët. Identitetin e vajzës nuk e bëjmë të ditur për shkak se është minorene por në datën 30 nëntor, sipas dëshmisë së nënës së vajzës së ndaluar me inicialet N.N, janë izoluar në komisariat”, tha Salianji
Reagon Ministria e Brendshme: Gruaja kërkoi ta merrte me vete fëmijën
Ministria e Brendshme ka reaguar lidhur me akuzat e Partisë Demokratike duke sqaruar se gruaja që u shoqërua nga policia për lidhje të paligjshme të energjisë kërkoi vetë që ta merrte me vete vajzën.
“Në datë 30 nëntor, në ora 13:00, grupi i punës së OSHEE-së, ka konstatuar një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në rrugën “Jordan Misja” Tiranë, pallati Gener 2, kati 5, pasi në datë 25 nëntor i ishte ndërprerë lidhja me energji për shkak të debisë së krijuar nga mospagimi i faturave në shumën rreth 500 mijë lekë. E dyshuar për vjedhjen e energjisë është shtetësja N.N. dhe këtë arsye është shoqëruar në Komisariat. Ajo me dëshirën e saj i ka kërkuar policisë të marrë me vete fëmijën. Për këtë arsye në ambientet e Komisariatit nr. 3, iu krijua mundësia që të qëndrojë në një ambient të përshtatshëm gjatë kohës së marrjes në pyetje, dhe jo tek dhomat e të shoqëruarve. Ajo sqaroi se kontrata rezulton në emër të bashkëshortit të saj. Shtetësja N.N, pranoi se në datë 30.11.2014 e ka rilidhur vetë në matës energjinë elektrike, të ndërprerë nga OSHEE”, – thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.
“Pas konsultimit me Prokuroren, shtetësja N.N u la e lirë, ndërsa materialet procedurale në ngarkim të saj i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Policia e Tiranës ka shoqëruar me mjetet e saj për në banesë shtetasen N.N. së bashku me fëmijën”, – përfundon njoftimi i MPB-së.