Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses Laura Vorpsi ka reaguar të premten, pas ngjarjes që ka ndodhur në autostradën kryesore të vendit, Tiranë-Durrës, ditën e djeshme, ku i është vënë eksploziv, arkitektes Entela Çano. Partia Demokratike, marrë shkas nga kjo ngjarje, e ka konsideruar si dështimin e kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm për vendosjen e rendit dhe qetësisë në vend. Kriza e rendit, është e lidhur me paligjshmërinë që buron në kupolën e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, tha Vorpsi. Ajo theksoi se eksplozivi i djeshëm ka prishur qetësinë e të gjithë qytetarëve të vendit, pasi kur organizohet ekzekutimi i një gruaje në mes të ditës, krimi ka marrë revanshin më të egër dhe autoriteti i policisë dhe i Shtetit është në kuotat më të ulëta .
Partia Demokratike është e shqetësuar për këtë klimë kriminale në vend, që nuk kursen më askënd, as gratë, as fëmijët dhe i bëjmë thirrje Kryeministrit të marrë masa të menjëhershme, tha ajo.