PD feston sot 23-vjetorin e ditelindjes ftese per Ramen. Mbi 4 mije te ftuar

PD feston sot 23-vjetorin e ditelindjes, ftese per Ramen. Mbi 4 mije te ftuar

Partia Demokratike do të festojë sot 23-vjetorin e krijimit, me një pritje që do të zhvillojë në Pallatin e Kongreseve. Burime nga selia blu bëjnë të ditur se për këtë ceremoni janë shpërndarë rreth 4 mijë ftesa, përfshi këtu një ftesë për kryetarin e Partisë Socialiste dhe Kryeministrin e vendit, Edi Rama. Mësohet gjithashtu se gjatë aktivitetit do të mbahet një fjalim nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Pak orë përpara se PD-ja të bëjë 23 vjeç, ish-kryetari historik i kësaj force politike, Sali Berisha, ka postuar një status në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, ku shkruan: “Një grup studentësh me në krye liderin e Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, intelektualë dhe punonjës të Tiranës, themeluan më 11 dhjetor të vitit 1990 Partinë e parë opozitare të vërtetë në historinë e Shqipërisë. Partia Demokratike u themelua si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore, tregut të lirë, interesit kombëtar dhe integrimit euroatlantik dhe europian të Shqipërisë”.

Sipas tij, në 23 vite PD-ja ia doli të përmbysë me votën e lirë diktaturën komuniste si dhe të garantojë liritë dhe të drejtat e njeriut. “Partia Demokratike mbrojti me vendosmëri çështjen kombëtare, sot Kosova është e lirë dhe e pavarur dhe shqiptarët jetojnë të lirë kudo që janë. PD në këto vite u dëshmua lokomotivë e integrimit. Ajo anëtarësoi Shqipërinë në KE, në NATO, garantoi lëvizjen e lirë dhe mori dy vite me radhë rekomandimin për statusin e vendit kandidat, të cilin e bllokoi dhe po e bllokon Edi Rama. Ky 23-vjetor fton demokratët të ngrihen fuqishëm kundër regjimit të neobllokmenëve që po zëvendësojnë shtetin ligjor me shtetin policor dhe sistemin demokratik me sistemin kleptokratik. Gëzuar ditën e themelimit të PD dhe pluralizmit politik në Shqipëri! Nder përjetë atyre që themeluan PD!”, shkruan më tej ish-kreu i PD-së.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama