PD guerilje kunder ndihmave

PD, guerilje kunder ndihmave

Anëtarët e Forumit Rinor të PD-së, bllokuan dhe fyen dje në drekë zyrtarët e qeverisë, ndërsa po shpërndanin ndihma në fshatin Ferras të Fierit. Katër të rinjtë, nxitën edhe persona të tjerë që t’i dilnin përpara kamionit të ndihmave, që shoqërohej edhe nga ministrat Erion Veliaj dhe Ilir Beqaj, si dhe kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi. Të rinjtë e nisur nga PD-ja, sipas ministrit Veliaj, bënë një gjest të shëmtuar dhe përdorën fjalor të ulët ndaj tyre, ndërsa filmonin dhe bënin foto, për t’i nisur drejt selisë blu, si prova se ministrat e qeverisë u dëbuan nga banorët e fshatit Ferras. Sipas policisë, të rinjtë që provokuan këtë situatë janë Fatjon Bathorja nga Farka e Tiranës, Gentian Gjonaj nga fshati Baz i Matit, Esard Mulaj nga Tropoja dhe Zekri Picari nga Shënmëria e Kukësit, që të gjithë anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. PD-ja, pas aktit të mesditës, shpërndau njoftime se revolta ishte e banorëve dhe ata ishin autorë të bllokimit të zyrtarëve. “Banorët e fshatit Ferras në Fier kanë bllokuar dhe dëbuar Drejtorin e Emergjencave Civile, Shemsi Prençi dhe ministrat Veliaj e Beqaj si dhe kreun e grupit të PS-së, Gramoz Ruçi. Incidenti ka ndodhur në mesditë, kur disa banorë ju bllokuan rrugën mjeteve, duke i detyruar të ktheheshin pas. Makina tip “Vokskwagen Tuareg”, ku ishin ministrat është kthyer pas, ndërkohë në makinën tip “Hundai” ndodhej Gramoz Ruçi dhe Shemsi Prençi. Menjëherë pas incidentit, Shemsi Prenci ka zbritur dhe debatuar me banorët. Mjeti me të cilin udhëtonte Prençi është pa targa. Banorët bllokimin e rrugës për ministrat e kanë kthyer në protestë për mungesën e ndihmave dhe të mbështetjes nga qeveria”-thuhej në njërin prej njoftimeve të shpërndarë nga PD-ja.

Reagimet

Shoqërimi në polici i katër të rinjve prodhoi më pas tension politik mes qeverisë dhe opozitës. Sipas kreut të PD-së, dega Fier, Luan Baçi, ata që bllokuan makinat qeveritare nuk kanë qenë anëtarët e Forumit Rinor të PD, por banorë të zonës, ndërsa 4 të rinjtë e shoqëruar në polici ishin rastësisht aty. “Banorët bllokuan rrugën e mjetit. Nuk ishin anëtarët e FRPD-së që bllokuan rrugën. Do të qëndrojmë jashtë komisariatit derisa të dalin të rinjtë. Ishim prezent kur banorët e zonës i bllokuan rrugën automjetit”- tha Luan Baçi. Në një lidhje telefonike me gazetën “Shekulli”, z. Baçi sqaroi edhe situatën dhe pse të rinjtë ndodheshin në Fier. “Ishim në fshatrat e Fierit, duke shpërndarë ndihma dhe, pasi mbaruam punë, në të dalë të Fierit janë ndaluar pa asnjë arsye katër anëtarët e Forumit Rinor të Tiranës. Policia ka ngritur një pretendim sikur katër personat i paskan zënë rrugën ministrin Veliaj, por kjo nuk është e vërtetë. Në kohën kur banorët e fshatit i kanë zënë rrugën ministrit ne kemi qenë të gjithë bashkë duke shpërndarë ndihma në bashkëpunim me shumë të rinj të PD-së të PS-së, sepse sot nuk ka pasur ndarje dhe prandaj nuk e kuptojmë arsyen”-tha ai”. Z.Baçi rrëzoi pretendimet e policisë se katër të rinjtë ishin pjesë e grupit që penguan shpërndarjen e ndihmave në fshatin Ferras. “Absolutisht që jo. Asnjëri nga këta nuk kanë qenë aty. Ministrit i kanë dalë përpara banorët dhe jo anëtarët e Furimit Rinor. Nuk është e ndershme që të arrestosh anëtarët tanë vetëm pse janë të një krahu tjetër ndërkohë që ata ishin në Fier për të ndihmuar banorët e zonës nga përmbytjet”-u shpreh kreu i degës së PD-së në Fier. Në mbrëmje, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani kërcënoi qeverinë, se nëse nuk liroheshin të rinjtë, do të ngriheshin në protesta. “Kemi të bëjmë me një shtet policor, të dhunshëm dhe të paligjshëm. Partia Demokratike i bën thirrje Policisë së Shtetit të lirojë menjëherë 4 të rinjtë e Forumit Rinor. Çdo vonesë në këtë drejtim është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kreut të Policisë, drejtorit të Policisë së Fierit, e Ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit. Përgjegjësi penale dhe politike që do ta mbajnë deri në fund”, nënvizoi Ristani. Në mbrëmje vonë, katër të rinjtë, anëtarë të FRPD-së u liruan nga komisariati i policisë së Fierit.

Veliaj: Video e Topallit zbuloi të rinjtë

Pjesë e autokolonës ka qenë edhe makina e ministrit Veliaj i cili në një lidhje telefonike për A1 Report sqaron se ishin nisur për t'i shkuar në ndihmë një familjeje me tre vajza të vogla të cilat kishin mbetur të rrethuara nga uji dhe pa ushqim. “Ka qenë një autokolonë ushqimesh dhe po udhëtonim drejt një familjeje për t’i dërguar tre vajzave të vogla ushqime. E para ishte makina e Shemsi Premçit, e imja ishte e dyta dhe pastaj një autokolonë me ndihmat që kishim nisur për vajzat. Udhëtuam pa badigardë dhe ishim me makina civile, siç edhe mund ta keni parë nga videot e publikuara. U pikasëm nga grupi i ardhur nga Tirana, dhe fillimisht më erdhi mirë kur dëgjova që edhe PD po kontribuonte, por jo për atë që bëri me incidentin e të rinjve. E kuptuam që nuk ishin banorë të zonës se nuk kishin pikë balte në rroba dhe ishte jologjike që banorët të refuzonin ndihmën e dhënë nga shteti. Adela e vogël gjithsesi i mori ushqimet dhe të gjitha ndihmat që ishin për të, tashmë ajo ka ushqime dhe çdo gjë që i nevojitet.”- tha Veliaj. “Ishte i tmerrshëm reagimi i Topallit që e shiti videon si një fitore të madhe dhe më vjen keq që në këtë situatë ku të rinjtë e PD patën mundësinë të tregonin solidaritet treguan të kundërtën.”- tha Veliaj.

Rama: Ndihma për çdo familje, të mos ketë abuzime

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj, ka ndjekur nga afër shpërndarjen e ndihmave në zonat e përmbytura në jug të vendit. Shefi i qeverisë ishte në një nga fshatrat më të goditura të Vlorës, në Novoselë ku bëri thirrje që të mos ketë abuzime me shpërndarjen e ndihmave dhe çdokush të marrë atë që meriton. Në një nga 9 pikat e grumbullimit të ndihmave, kryeministri Rama ka theksuar se është e dorës së parë nevoja morale për t’iu gjendur pranë çdo familjeje. "Kjo fazë e dytë është shprehja më kuptimplotë e solidaritetit të shqiptarëve ndaj banorëve të prekur nga përmbytjet, ndërsa ne kemi për detyrë që t’i shtrijmë këto ndihma deri sa të normalizohet situata. Dua të theksoj këtu edhe falenderimin nga zemra për Prefekten e Vlorës, deputetët e këtij qarku si dhe kryepleqtë e fshatrave, të cilët përbëjnë një bazë solide për shpërndarjen e emergjencave”, është shprehur kryeministri Rama. Prefektja Etjona Hoxha është shprehur se “magazinimi është gjëja e parë që u mendua të bëhej pas asaj situate thuajse alarmante pas fatkeqësisë natyre, ndërsa gjithçka po funksionon bazuar mbi të dhënat që sollën kryepleqtë e fshatrave, duke siguruar se të gjitha familjet e përmbytura kanë marrë dhe do të marrin mbështetje sa herë të jetë e nevojshme”. Nga ana tjetër, drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Prençi ka bërë të ditur se janë disa magazina që po shpërndajnë ushqime dhe veshje për banorët e zonave të përmbytura dhe se asnjë familje nuk ka mbetur pa ndihma. “Janë shpërndarë gjithashtu edhe ushqime për bagëtitë, ndërsa ushtria është gjithnjë në gatishmëri, duke vënë në dispozicion për çdo mjet nga 6 ushtarë për shpërndarjen e ndihmave”. Në magazina janë përfshirë ndihmat vendase por edhe të huaja, sipas Prençit, ndaj dhe janë të gjitha kushtet e nevojshme për të përballuar situatën.

Në zonat e prekura nga përmbytjet, vijon dhënia e ndihmave

Situata në zonat e prekura nga përmbytjet është përmirësuar teksa ka nisur edhe shpërndarja e ndihmave dhe solidarizimi nga opinioni publik dhe bizneset për t’u ardhur në ndihmë familjeve që vuajnë pasojat e reshjeve të dendura. Kështu në Vlorë shirat e lehta të rëna gjatë mbrëmjes së djeshme, nuk kanë shkaktuar rritje të basenit të lumit Vjosa. Kështu sipas shtabit të emergjencave në qarkun Vlorë janë në total 602 banesa të cilat kanë prezencë uji në oborret e tyre por jo brenda. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë rikthyer në banesat e tyre rreth 95 familje. Po ashtu janë dhënë ndihma ushqimore dhe veshmbathje për rreth 648 familje. Sa i përket Fierit dje rezultonin se janë 4500 ha tokë të përmbytura në ndryshim nga 7530 ha që ishin deri ditën e djeshme. Po ashtu janë rreth 60 banesa të cilat kanë prezencë uji në oborre. Lidhur me shpërndarjen e ndihmave mësohet se janë dhënë për familjet e prekura 3000 pako me ndihma.

Vlorë

Situata në qytetin e Vlorës është përmirësuar në ndryshim nga ditët e fundit. Sipas shtabit të emergjencave, shirat e lehtë të rënë gjatë mbrëmjes nuk kanë shkaktuar rritje të nivelit të basenit të Vjosës, teksa niveli i saj arrin në lartësinë 4.25m. Mësohet se institucionet arsimore do të qëndrojnë të mbyllura deri sa të kryhet dezifenktimi i plotë i tyre nga Drejtoria e Shëndetit Publik, procedurë e cila përfundon sot. Deri më tani bëhet e ditur se janë 602 banesa me prezencë uji në oborret e tyre, por jo brenda. Në shtëpitë e tyre janë rikthyer 95 familje, ndërsa janë shpërndarë ndihma ushqimore dhe veshmbathje për 648 familje.

Fier

Pushimi i reshjeve të shiut ka ndikuar në përmirësimin e situatës së përmbytjeve në fshatrat e rrethit të Fierit, teksa uji në pjesën më të madhe është tërhequr nga tokat e përmbytura. Sipas të dhënave të shtabit të emergjencës të ngritur pranë prefekturës Fier, aktualisht janë 7 banesa nën ujë, ndërsa në 60 të tjera ka prezencë uji. Ndërkohë aktualisht ka prezence uji në 4500 hektarë tokë nga 7530 hektarë tokë që ishin ditë më parë. Sakaq edhe dje vijoi shpërndarja e ndihmave, kryesisht pako me ushqime si për njerëzit ashtu dhe për bagëtitë. Sa i përket shpërndarjes së ndihmave nuk kanë munguar pakënaqësitë nga ana e banorëve të përmbytur.

Rezervuari i Maskurisë nën kontroll

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto dhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, inspektuan paraditen e djeshme rezervuarin e Maskurisë në Kavajë. Ky rezervuar paraqiti gjatë javës që shkoi, një potencial me rrezikshmëri të lartë, për arsye të defekteve dhe çarjes së digës, ku banorët e zonave përreth rrezikonin përmbytjen. Ministrat theksuan se autoritetet janë angazhuar maksimalisht për të pasur situatën nën kontroll dhe për të menaxhuar uljen e nivelit të ujit. Haxhinasto bëri me dije se situata është nën kontroll të plotë, dhe ka një angazhim maksimal nga të gjithë institucionet për realizimin e hapjes së sistemit të shkarkimit, problematikë e dalë si pasojë e ndërhyrjeve të gabuara në projekt. Ministri Tahiri deklaroi se Shtabi i Emergjencave Civile dhe çdo strukturë, janë në gatishmëri të plotë në çdo zonë problematike në vend. Ai bëri me dije se do të vazhdojë monitorimi rigoroz nga specialistët në këtë rezervuar, gjatë ditëve në vijim.

E.H

Basha: Në Jug vazhdon drama

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar sërish qeverinë se nuk po bën asgjë për familjet e përmbytura. Në një status në rrjetin social Facebook, Basha shkruan se në jug të vendit vazhdon drama e familjeve të përmbytura. Kreu i PD ka kërkuar sërish të shpallet emergjenca kombëtare. Basha i kërkon qeverisë të bëjë punën për të cilën është zgjedhur. “Vazhdon drama e dhjetramijë familjeve në jug të vendit - burra, gra dhe fëmijë në mëshirë të fatit. Dëshpërimi i tyre është dëshpërimi ynë, fatkeqësia e tyre është fatkeqësia jonë. Ka një solidarizim të fortë kombëtar që na nderon, por edhe një reagim të dobët qeveritar. Me shpërfillje nuk shpallet emergjenca kombëtare që do e ngrinte ndihmën shtetërore në nivelin më të lartë. Me shpërfillje nuk dedikohet asnjë fond i posaçëm dhe nuk realizohet asnjë plan konkret. Çfarë presin? Gënjejnë nga një ditë në tjetrën, presin të hapet koha dhe me arrogancën tipike t'u thotë njerëzve të ngrohen në diell. Për këtë specie politike, njeriu i thjeshtë nuk ekziston. Një fshatar i dëshpëruar kërkoi ndihmë në Vlorë për familjen e tij, por u trajtua prej kryeministrit me përbuzje, se ishte jashtë skenarit të propagandës qeveritare”-shkruan Basha.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama