PDU Nacionalizmi i PBDNJ dhe Omonia-s ka kaluar caqet Athines zyrtare

PDU: Nacionalizmi i PBDNJ dhe Omonia-s ka kaluar caqet Athines zyrtare
Partia për Drejtësi dhe Unitet ka reaguar dje lidhur me deklaratat e Janullatos për vrasjen në Himarë, ku i ka kërkuar kryepeshkopit që të flasë me të njëjtën gjuhë edhe kur bëhen vrasje shqiptarësh në Athinë. PDU deklaron se nacionalizimi i shprehur prej drejtuesve të PBDNJ-së dhe i Omonias ka kaluar edhe caqet e Athinës zyrtare. PBDU bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe mospolitizimin e çështjes.

Deklarata

Politizimi i vrasjes në Himarë ka ngjallur edhe reagimin e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, të cilat kanë kërkuar që politikanët të lënë drejtësinë që të bëj punën e saj. “Partia Drejtësi dhe Unitet është e shqetësuar për reagimet e tipit nacionalist të drejtuara nga qarqe të minoritetit grek në Shqipëri, por edhe qarqe nacionaliste greke, të cilat cenojnë rëndë institucionet e pavarura shqiptare. Institucionet e drejtësisë duhet lënë të bëjnë punën e tyre në përputhje me parimet profesionale dhe ligjet e shtetit shqiptar. Fqinjët tanë jugor, drejtuesit e organizatave të minoritetit grek dhe kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, duhet të vetëpërmbahen nga politizimi i këtij krimi dhe të respektojnë normat ndërkombëtarë të mospërfshirjes në punët e brendshme të institucioneve të pavarura shqiptare. Nacionalizmi i shprehur prej drejtuesve të PBDNJ dhe Omonia ka kaluar akoma edhe caqet e Athinës zyrtare, e cila nuk nguroi dje t’i kritikonte për këtë politizim”, citohet në deklaratën për shtyp të PDU-së .

Apeli

Partia për Drejtësi dhe Unitet u ka bërë thirrje të gjithë atyre që tentojnë të përfitojnë politikisht ose të dëmtojnë imazhin e vendit të lutemi së bashku për shpirtin e Aristotel Gumës dhe të të gjithë personave të tjerë të vrarë padrejtësisht ditët e fundit. “Reagimet e minoritetit grek, të drejtuara nga kryetari i Omonias, z. Vasil Bollano dhe kryetari i PBDNJ-shit, z. Vangjel Dule janë raste flagrante të një tentative për të përfituar politikisht dhe për të dëmtuar Shqipërinë në mes të sezonit turistik. Kjo përforcohet nëse marrim parasysh qëndrimin dinjitoz të familjes të të ndjerit, e cila ka mbajtur një qëndrim stoik në këto çaste të vështira për ta, duke iu shmangur çdo lloj politizimi. U bëjmë thirrje të gjithëve, që t’i gjendemi pranë familjes Guma në mënyrën më të sinqertë dhe pa tentativa për përfitime, siç fatkeqësisht po ndodh nga disa aktorë politikë”,  citohet në deklaratë. Ndërsa për kryepeshkopin Anastas Janullatos, PDU ka kërkuar që të reagojë në çdo rast të tillë ose të heshtë në çdo rast. “Në gjitha rastet e tjera të racizmit dhe ksenofobisë ku shqiptarët janë vrarë nga shtetas me kombësi apo shtetësi greke, kryepeshkopi ka heshtur. Ka ardhur çasti që Hirësia e Tij të reagojë ose të mos reagojë në të njëjtën formë për të gjitha komunitetet, ose të dënojë çdo akt, ose të heshtë përpara çdo akti”.

Ngjarja e Himarës, Lëvizja Studentore: Jo hetimit të njëanshëm

Lëvizja Studentore e qytetit të Vlorës akuzon për hetim të njëanshëm dhe kërkon lirimin e shtatë prej tetë të arrestuarve të ngjarjes në Himarë, ku si pasojë e përplasjes me makinë mbeti i vdekur himarioti 35-vjeçari, Aristotel Guma. Ngjarja ndodhi më 12 gusht dhe për vrasjen policia ndaloi drejtuesin e mjetit, Ilir Muka, si dhe shtatë të rinj. Lëvizja Studentore thotë se vdekja e Gumës erdhi si pasojë e përplasjes së automjetit që drejtohej nga një person, me motorin, dhe shtatë të rinjtë e tjerë, “nuk kanë pse rrinë të burgosur për shkak të gënjeshtrave dhe presionit të politikanëve këtej dhe andej kufirit shqiptar” – thuhet në peticionin që kanë dërguar pranë prokurorisë së rrethit. “Këmbëngulim në lirimin e tyre, pasi gjykojmë se arrestimi i tyre ka qenë politik, thjesht për të kënaqur interesat e tyre aspak ligjore dhe kombëtare”- vazhdon më tej deklarata. Lëvizja Studentore akuzon prokurorinë e rrethit për njëanshmëri në reagimet e institucioneve ligjzbatuese dhe i kërkon prokurorisë përgjigje "nëse ka pasur persona të shoqëruar apo të arrestuar për bllokimin e paligjshëm të rrugës në datat 12 dhe 13 gusht, dhe që dhunuan qytetarët dhe gazetarët në vendngjarje".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama