PPP-te ne bregdet Ministri Ahmetaj dhe shtepia e tij

PPP-të në bregdet, Ministri Ahmetaj dhe shtëpia e tij

Ministrja e Ekomomisë Milva Ekonomi dhe ai i Financave Arben Ahmetaj kanë nisur një fushatë propagandistike për partneritetetet publike private (PPP) në turizëm, në veçanti, në bregdet.

"Si është e mundur që nuk ka asnjë kontratë për partneritet publike private?" - pyeti sot i habitur ministri Ahmetaj.

Pyetja e tij tregon, për të disatën herë, sa pak i informuar është ai mbi ato që ndodhin dhe do të ndodhin në ekonominë e vendit.

Edhe pse nuk quheshin kontrata PPP, gjatë qeverisë Meksi u dhanë me qira për 99 vjet shumë terrene përgjatë bregdetit, me qëllim ndërtimin e të ashtuquajturve fshatra turistikë, ndërtimi i të cilëve ndodhi gjatë qeverisjeve të mëvonshme socialiste--kur Zoti Ahmetaj ishte drejtor i përgjithshëm i tatimeve dhe zëvendës ministër. Kjo skemë u zbatua veçanërisht përgjatë bregut me pisha të Golemit deri në Qerret.

Por, fshatrat e destinuar për infrastrukturë turistike, në vend që të përdoreshin si hotele, u shndërruan në rezidenca vilash dhe apartamentesh, të cilat u shitën individualisht si shtëpi private plazhi--shumica për për elitën politike e shoqërore dhe pasanikët e rinj të vendit.

Pastaj, ndodhi që asnjë nga fshatrat nuk paguante tarifat e qirasë për terrenin, kështu që një ditë të bukur qeveria e gjeti "zgjidhjen" duke u dhënë të drejtën pronarëve të vilave e apartamenteve të privatizonin, për fare pak para, terrenin nën ndërtesat e tyre.

Zoti Ahmetaj ka vetë një shtëpi në një nga fshatrat më ekskluzivë, e cila është ndërtuar pikërisht mbi një terren të privatizuar nëpërmjet një PPP-je.

Pikërisht këto PPP, të shpikura nga qeveria Meksi e të finalizuara nga qeveritë Nano-Meta, e pastaj të privatizuara nga qeveria Berisha, prodhuan një shëmtirë urbanistike të paparë në ndonjë vend tjetër të botës dhe shkatërruan çdo lloj potenciali turistik në pjesën më të madhe të bregdetit tonë.

Zoti Ahmetaj hiqet si i paditur në një kohë kur disa nga klientët kryesorë të tij dhe të Zotit Rama janë duke shkatërruar, me të njejtin model, bregdetin e jugut duke filluar nga Palasa deri në Sarandë.

Madje, nuk do ishte çudi sikur të mësohej që në fshatrat rezidencialë që po ndërtohen në bregdetin e Jonit, ndër të tjerë nga zotërinjtë Mane dhe Carapuli, të kenë prenotuar vilat e tyre dhe drejtuesit e lartë të qeverisë Rama.

Ky pra është modeli i biznesit inovativ, i cili sipas Rilindjes, do të sjellë zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit në Shqipëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama