TIRANE, 28 Tetor /ATSH/ - Partia Socialiste, në përgjigje të akuzave të kreut demokrat Lulzim Basha ndaj punës së qeverisë, akuzoi këtë të fundit si autor të drejtëpërdrejtë të një sërë veprash kriminale, korruptive e antikombëtare.
Deputetja socialiste, Olta Xhacka, gjatë një deklarate për mediat, tha se "si ministër i Transporteve, Lulzim Basha do mbahet mend për skandalin e korrupsionit mbi 240 milionë euro vjedhje, si ministër i Jashtëm, Lulzim Basha do të mbahet mend për tradheti kombëtare, duke shitur detin tek fqinjët, si ministër i Brendshëm do të mbahet mend për vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm, në mes të bulevardit të Tiranës, ndërsa si kryetar i Bashkisë, si mashtruesi dhe dembeli më i madh, që katër vjet bëri veç zullume dhe skandale me lejet e ndërtimit".
Sipas saj, Basha sot është i pabesueshëm, ndaj dhe premtimet e tij nuk bëjnë asgjë veçse kthejnë Shqipërinë mbrapa, në kohën e borxheve të mëdha dhe krizës ekonomike./b.k//f.n/.